Nga Çapajev Gjokutaj
Buzëmuzg pashke tek kodrat e liqenit. Para meje çapitet një çift në kufijtë e sipërm të të 70-ave. Burri nis e rënkon.
Çfarë ke?, e pyet gruaja. Zëri përcjell dhembshuri e shqetësim njëherësh.
Asgjë, thotë i moshuari dhe i vë dorën në krah.
Po pse rënkon atëhere!?, pyet gruaja me një bezdi të shtirur.
Që të të vijë keq ty, thotë i moshuari.
Toni i zërit nuk më ndihmon të dalloj nëse vërtet kërkon vemendje, apo po bën alkimistin: përpiqet të shndërrojë dhimbjet e moshës në përkëdheli.
Kush tha se dashuria shteron?, them me vete. Gjëllin përherë, vetëm se ndërron trajtë dhe intesitet. Si drita që po bëhet fir në horizontin e këtij buzëmuzgu…
ObserverKult
Lexo edhe: