Çapajev Gjokutaj: Më vjen keq që je prishur me mikun e vjetër….

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

Më vjen keq që je prishur me mikun e vjetër. Për një fjalë goje, thua. Mundet, ti e di më mirë. Por ndruaj se është pak më e rëndë. E ke kritikuar në publik dhe kjo s’është aq e lehtë.

Njeriu e pëlqen kritikën, po aq sa fëmija pëlqen ilaçin e hidhur.

Por njeriu, do thuash ti, s’është foshnjë, e di se kritika dhe ilaçi i bëjnë mirë; jemi apo s’jemi qenie racionale?

Po, jemi thellësisht racionalë, sidomos kur bëjmë detyrat e matematikës apo kur parapërgatitim një plan më nge etj.

Por kur është fjala për marrëdhënie me tjetrin, ndruaj se jemi më shumë emocionalë se racionalë. Veprojmë më shumë mbi bazë pasioni e emocionesh.

Dhe dihet sa më i madh të jetë emocioni aq më i zbehtë bëhet gjykimi racional. E thotë dhe Remarku: emocionet e zbehin gjykimin, ashtu si tepria e vajit e shuan kandilin.

Veç kësaj, kur tjetri na kritikon në publik, pa na thëne gjë më parë, ndihemi të sulmuar. Instiktet e stërlashta të vetëruajtjes na shtyjnë që, sa herë ndihemi të sulmuar, të kundërveprojmë tak-fak.

Janë këto arsyet pse, kur e kemi të domosdoshme të kritikojmë tjetrin, duhet të matemi mirë, ta bëjmë me takt e të gjejmë çastin e duhur. S’na bën keq të kujtojmë porosinë e të lashtit: bëj hesap në trupin tënd, sa të dhemb, më dhemb.

(Nga cikli ‘Kioska e këshillave’)


LEXO EDHE: ÇAPAJEV GJOKUTAJ: KËTA TË SOTMIT NUK BIEN NË DASHURI

Nga Çapajev Gjokutaj

Këta të sotmit nuk bien në dashuri. Disa engledisen, kalojnë kohën e plotësojnë nevoja biologjike, të tjerë bëjnë arithmetikë, dmth shohin të plotësojnë interesa a të sigurojnë jetë komode. Ndjenja ka vajtur për lesh

Kështu më shkruan një mik fejsbuku, që me sa duket i takon çetës së përjetshme të të moshuarve, që kritikojnë brezin e ri dhe qahen se kjo botë po prishet.
Ndruaj se ata që idealizojnë dashurinë e dikurshme dhe injorojnë a zhvleftësojnë dashurinë e … ‘këtyre të sotmve’, nuk e kuptojnë se janë duke folur jo aq për realitete se sa për për sendërgji e paragjykime…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA GJENi KËTU