Po harrojnë vetëm një gjë… nuk jemi në fillim të viteve ’90

Nga Çapajev Gjokutaj

Mali është i lartë, fiku i ëmbël, topi i rrumbullaktë, lepuri frikacak, kurse politika shqiptare – konfliktuale. Kjo është vetia e parë që të vjen në mend.

Konfliktualiteti karakterizon politikën edhe në vende me demokraci të maturuar. Por, ka një ndryshim: atje politika bëhet konfliktuale kryesisht gjatë fushatave elektorale. Kohën tjetër punojnë. Këtu kemi muharrebé non stop.

Duhej te ishte e kundërta. Atje forcat e mëdha politike kanë programe të ndryshme, shpesh të kundërta për ekonominë, taksat, privatizimet, sigurimet shqërore etj. etj.
Tek ne këto lloj programesh janë përcaktuar nga institucione ndérkombëtare si FMN etj, rrjedhimisht në thelb janë të njëjta si për gjasme të majtët ashtu edhe për kapso të djathtët.

Atëhere nga buron ky konfliktualitet? Ku t’ia gjejmë rrënjët?

Mentalitet folklorik? Shndërrohen tak-fak nga njerëz të thjeshtë në politikanë, deputetë, ministra e më lart. Dhe u ngjan vetja si Muji e Halili. Gati për beleg. Yxhym!

Vraga të thella të mentalitetit totalitar? Nuk e njohin konkurrencën, por vetëm luftën. Kundërshtari shfaroset simbolikisht ose, në pamundësi, baltoset.

Kompensim? Meqë në realitet s’kanë dallime nga kundërshtari, stërtheksojnë kufijtë në retorikë. Avazi i stërlashtë: ne engjëj – ata djaj.

Apo bëjnë beteja fiktive, vetëm për të joshur elektoratin? Sipas mendësisë: kur s’ke gjë reale për t’u dhënë, jepu kënaqësinë e luftës imagjinare. Ngopi me lugë të zbrazur.

Sido që të jetë, harrojnë vetëm një gjë. Nuk jemi në fillim të viteve ’90. Secila palë ka patur rast të qeverisë gjatë. Dhe e kanë ndritur…

Ka ikur koha kur qindramijëra mund të rreshtoheshin në taborre nën hyqmin e tyre.
Sot retorika konfliktuale është si mangall gjysmë i shuar. Vështirë se ngroh edhe militantët e çartur.

Gjithsesi ky mangall në të shuar bëhet karburant tejet i kërkuar nga mediat: përgojimet, stigmatizimet, sharjet, gërmushjet bëhen tak-fak lajm dhe kalojnë nga portali në portal. Një udhë e tri punë: edhe klikimet shtohen, edhe lexuesi edukohet e qytetërohet, edhe etika e ligjërimit publik ruhet e forcohet.

ObserverKult

Çepajev Gjokutaj

——————————————

Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: KUR KA QENË HERA E FUNDIT QË KE BËRË NJË GJË PËR…

Kur ka qenë hera e fundit që ke bërë një gjë për herë të parë? Kjo pyetje mund të të duket si lojë fjalësh. Në fakt është treguesi kryesor i jetëgjatësisë.

Mos u çudit. Jeta nuk matet me kohështrirje, dmth me ditë, muaj apo vite të jetuara. Matet me sasinë e gjërave që përjeton.

Dita e të rriturit ikën shpejt e si pa u kuptuar. Dita e të moshuarit nuk ikën, fluturon. Kurse ditët e fëminisë tënde ishin pafundësisht të gjata.

Jo si kohë, 24 orë ishin dhe ato, por mbusheshin me përjetime gjërash të reja, të paprovuara. Këto mund të ishin lindja e motrës, vdekja e gjyshit, por shumicën e herëve ishin gjëra të vogla si një zog që trokiste me sqep në dritare, një lule që kundërmonte mes barit, një zhuzhak gjithë ngjyra e gjithnjë i pakapshëm.

Tekstin e plotë e gjeni KËTU