Çapajev Gjokutaj: Tonat janë gratë që na kanë braktisur

Çepajev Gjokutaj adem jasharin
Çapajev Gjokutaj

E keni vënë re besoj: gjatë këtyre ditëve, kur presim Vitin e Ri, kujtojmë shumë gjëra, sidomos nga fëmijëria.

Kjo duket pak e çuditshme: me logjikë të thjeshtë mendimet dhe ndjenjat tona do të duhej të endeshin në të ardhmen, se festojmë Vitin e Ri dhe jo të vjetrin.

Duke vrarë mendjen për këtë paradoks m’u kujtua copa-copa e nëpër të një poezi e Borges. ‘Posedimi i të djeshmes’, e ka titullin. Edhe këtu një paradoks: a mund të zotrosh ato që ikën e vanë?

E di që kam humbur shumë gjëra, thotë i verbri largpamës, aq shumë sa nuk mund t’i numëroj. Dhe tani gjithë katandia ime përbëhet nga gjëra që i kisha dikur.

Im atë ka vdekur, por vazhdon të jetë krah meje.

Në verbërinë time kujtoj ngjyrat që shihja dikur, por s’janë ato që shihni ju.

Vetëm ajo që ka vdekur bëhet tërësisht jona, jona është vetëm ajo që kemi humbur.
Tonat janë gratë që na kanë braktisur. Tërësisht tonat, se tanimë janë të zhytura në mall dhe të zhveshura nga xhelozitë dhe frikërat e dikurshme.

Nuk ka parajsë tjetër veç parajsës së humbur, përfundon Borges, duke e kyçur në të shkuarën edhe ëndërrën për ardhmëri.

( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: KËTA TË SOTMIT NUK BIEN NË DASHURI