Do të dëshiroj t’i kërkoja ndjesë lexuesit për faktin që unë, një psikiatër, po ndërhyj në një diskutim kaq të zjarrtë lidhur me Pikason.
Sikur të mos më kishin propozuar personalitet autoritare, s’do ta kisha kapur penën, dhe aspak për shkak se ky piktor me artin e tij unikal nuk më duket i denjë për një bisedim serioz, se krijimtarinë e shokut të tij të fushës së letërsisë, Xhojsit, e kam trajtuar me kujdes dhe respekt. Përkundrazi, ky problem për mua paraqet një interes të vërtetë, mirëpo ai është shumë i gjerë dhe seriozisht i ndërlikuar që të mund ta trajtosh qoftë edhe në mënyrë të përafërt në një shkrim gazete. Dhe nëse mora guximin t’i drejtohem Pikasos, këtë e bëra me një kusht të detyrueshëm për veten time: do të prek jo artin e tij, por vetëm psikologjinë e artit të tij. Duke ua lënë aspektet estetike studiuesve të artit, por kufizohem vetëm me psikologjinë që përbën bazën e krijimtarisë artistike.
Kam gati njëzet vjet që merrem me studimin e psikologjisë së shprehjeve të ndryshme të proceseve shpirtërore, prandaj tablotë e Pikasos i shoh me syrin e profesionistit.
Duke u nisur nga përvoja ime, mund të them me plotë gojën që problematika psikologjike e shprehur në tablotë e Pikasos është e njëjtë me atë që kam takuar te pacientët e mi. Për fat të keq, tani kjo është e pamundur të argumentohet për shkak se materiali i krahasueshëm njihet vetëm nga pak specialistë. Prandaj gjykimet e mia të mëtejshme qëndrojnë pezull në ajër dhe kërkojnë mbështetje nga ana e imagjinatës dashamirëse te lexuesve të mi.
Arti pa objekt plotësohet kryesisht nga “Thellësia e brendshme”, e cila nuk mund t’i përgjigjet vetëdijes, mbasi kjo e fundit përmban në vetvete pasqyrimin e sendeve të qarta për të gjithë, të cilat për shkak të domosdoshmërisë janë të detyruara të duken në përputhje me at, çka zakonisht pritet prej tyre. Sendësia e Pikasos, megjithatë, duket krejtësisht ndryshe, e jo ashtu, siç ndodh zakonisht dhe madje në një shkallë të tillë, që nuk mund të lindin kurrfarë iluzionesh lidhur me pakrahasueshmërinë e saj me përvojën e përditshme. Madje me kalimin e kohës në krijimtarinë e tij po shpejtohet gjithnjë e më shumë largimi nga empirikja dhe shtohen elementët që tanimë nuk i përgjigjen përvojës së jashtme, por që vijnë nga po ajo “thellësia e brendshme”, e cila ndodhet përtej suazës së vetëdijës, sidoqoftë, jashtë caqeve të asaj vetëdije, e cila, duke përgjithësuar të thënat e pësë shqisave, është drejtuar nga bota e jashtme. Përtej vetëdijes nuk gjendet Hiçi absolut, por psyche e pavetëdijshme, të cilën vetëdija e ndjen si diçka që ndodhet mbrapa e brenda, sikundër bota e jashtme e ndien si diçka që ndodhet përpara dhe jashtë. Elementët e tablove që nuk gjejnë përputhje në botën e jashtme, janë të detyruar të nsien nga “thellësia e brendshme”.
Por meqë kjo “thellësi e brendshme” nuk mund të shihet dhe të përfytyrohet, por megjithatë është e aftë të ushtrojë ndikim të vazhdueshëm mbi vetëdijen, pacientët e mi, që vuajnë nga influenca e faktorëve të tillë, i provokoj që këtë gjë ta shprehin në mënyra sa më pamore-në piktura. Qëllimi i “metodës së shprehjes” qëndron në faktin që strukturat e pavetëdijshme të bëhen të perceptueshme, e pas kësaj të bëhen prova për t’i kuptuar plotësisht ato. Falë kësaj metode arrihet efekti i terapeutik i mëposhtëm: mënjanohet shkëputja e rrezikshme midis proceseve të pavetëdijshme dhe vetëdijes. Të gjithë proceset dhe dukuritë e sfondit të fshehtë të vetëdijes që pasqyrohen në piktura, ndryshe nga përfytyrimet sendore, ose të kuptuar plotësisht, janë simbolike, d.m.th. atë të paktën aludojnë për një kuptim që më parë ka qenë i panjohur. Prandaj në çdo rast të veçuar është absolutisht e pamundur të konstatohet gjësendi. Lind vetëm ndjenja e paqartësisë, e ngatërrimit, e shumë llojshmërisë pa asnjë kuptim. Është krejtësisht e pakuptueshme çfarë është paraqitur këtu dhe çfarë ka pasur ndër mend piktori. Dhe vetëm me anën e krahasimit të serive nga shumë piktura bëhet e mundur të sqarosh diçka. Tablotë e pacientëve në përgjithësi janë më të qarta dhe prandaj edhe më të kuptueshme se tablotë e piktorëve bashkëkohore.
Është e domosdoshme të dallohen dy grupe të sëmurësh psikiatrikë: të sëmurët nga nervat dhe skizofrenët. Grupi i parë krijon tablo me karakter sintetik që përshkon nga një ndjenjë e fortë dhe tërësore. Ato, madje edhe po të jenë krejtësisht abstrakte dhe për këtë shkak të mos i transmetojnë dot ndijimet e autorit, të paktën janë qartas simetrike ose të paktën kanë një ngarkesë kuptimore që nuk mund të vihet në dyshim. Tablotë e grupit të dytë, përkundrazi tregojnë se për autorët e tyre emocionet janë të huaja. Në të gjitha rastet ato transmetojnë jo një ndjenjë harmonike të vetme, por ndijime kontradiktore, ose nuk kanë fare të tilla.
Në formën artistike të këtyre tablove mbizotron ndjenja e të grisurit, e shembjes, ajo shprehet në vija të thyera, gjë që tregon se autori psikologjikisht është i ndarë më dysh. Tablotë nuk i ngjallin emocion shikuesit ose e frikësojnë me përshtypjen e një paturpësie paradoksale, që të merr frymën dhe që është pabesueshmërisht e ekzagjeruar. Pikasja hyn në këtë tip psikik.
Pavarësisht nga dallimi i madh, të dy grupet kanë diçka të përbashkët dhe pikërisht përmbajtjen simbolike. Edhe njëri, edhe tjetri kuptimin e realizojnë me aluzione, mirëpo tipi i sëmurë nga nervat vrapon në kërkim të këtij kuptimi dhe ndijimet e veta përpiqet t’ia transmetojë shikuesit. Kurse skizofreni nuk zbulon ndonjë synim të tillë, dhe jo rrallë të duket sikur ai po bëhet viktimë e ndijimeve të veta. Kjo të krijon përshtypjen sikur këto ndijime e kanë mundur, e kanë mposhtur atë, e kanë shkrirë në ata elementë prej të cilëve i sëmuri nga nervat të paktën orvatet të bëjë diçka. Lidhur me krijimtarinë skizofrenike duhet thënë ajo që e kam vënë re prej kohësh te Xhojsi: ai s’ka asgjë tërheqëse për shikuesin, gjithçka përpiqet ta largojë atë.
Kështu që çdo vijë tërheqëse e rastësishme kuptohet si koncesion ose tërheqje e pafalshme. Shëmtitë, sëmundjet, grotesku, paqartësitë, shfaqen jo për të shprehur gjëkafshë, por, në të kundërtën, për ta fshehur atë, dhe kjo mbulesë e tërheq drejt vetes kërkuesin: ajo është si një mjegull e ftohtë që mbështjell kënetën e shkretuar dhe që s’ka asnjë kuptim, ajo i ngjet një spketakli që s’ka nevojë për shikues.
Njëri piktor duhet pyetur çfarë dëshiron të shprehë, tjetri-çfarë nuk dëshiron të shprehë; që të dy kanë një përmbajtje të fshehtë. Të tilla seri figurash (tablosh të vizatuara apo fjalësh të shkruara), si rregull, fillojnë me simbolin e Nekyjit, me zbritjen në ferr, me zbritjen tek e pavetëdijshmja, me largimin nga bota tokësore. Ajo, çka ndodh më vonë, shprehet në format dhe figurat e jetës së përditshme, por ama ka kuptim të fshehtë dhe karakter simbolik.
Pikasja e fillon me tablotë sendore me tone të kaltra: të kaltërsisë së natës, ngjyrës së hënës e të ujit, skëterrës egjiptiane bojë qielli. Ai vdes, por shpirti i tij i hipur mbi kalë, vepron drejt botës së përtejme.
Jeta e përditshme kapet pas tij, dhe një grua me fëmijë i drejtohet me një lutje. Edhe dita edhe nata për të përfaqësojnë figurën e fermës, gjë që psikologjikisht shënohet si shpirt (anima) i ndritshëm dhe i errët.
Terri është fshehur dhe i ka zënë pritë atij në muzgun e kaltër duke ngjallur prirje patologjike. Koloriti i transformuar na çon në botën e përtejme. Lëndësia është konsakruar me vdekje. Ajo shprehet në paraqitjen me mjeshtëri të një prostitute të mitur e të sëmurë nga tuberkulozi dhe sifilizi, motivi i të cilës lindet gjatë hyrjes në mbretërinë e vdekjes, ku piktori si një shpirt i vdekur takohet me një numër të caktuar njerëzish të ngjajshëm me të. Duke thënë “piktor”, nënkuptoj atë person të Pikasos, të cilit i qëlloi të ndodhet në skëterrë, atë njeri i cili me porosi të fatit gjendet jo në jetën e përditshme, por në errësirë, duke u udhëhequr jo nga idealet e gjithëpranuara të bukurisë dhe të mirës, por fuqisë djallëzore të tërheqjes drejt urrejtjes dhe të keqes, të cilat e shtyjnë njeriun e ditëve tona drejt Antikrishtit dhe Luçiferrit dhe krijojnë efektin e dekadencës botërore.
Dhe prandaj bota e ndritshme e jetës së përditshme, e mbështjellë nga re të ferrit, dekompozohet dhe në analizën e fundit, sikundër toka në raste tërmetesh, shpërbëhet duke u bërë copë-copë dhe kthehet në vija të thyera, fragmente, hedhurina, copa dhe elemente joorganike.
Pikasja dhe ekspozita e Pikasos është një dukuri e tillë kohe, si edhe njëzet e tetë mijë vetë që i kanë parë pikturat e tij.
Si rregull, e pavetëdijshmja njeriut (në qoftë se ky njeri bën pjesë në grupin e të sëmurëve nga nervat) i paraqitet në formën e “errësirës”, të një lloj shëmtie arkaike që të kall datën ose të një bukurie të tmerrshme. Në përputhje me katër figura grash të gjithësisë gnostike –Evën, Elenën, Marinë dhe Sofinë-në shndërrimet mistike të Faustit ne takojmë Grethenin, Elenën, Marinë dhe “Feminitetin e përjetshëm” abstrakt. Në këtë mënyrë transformohet edhe Pikasoja, tama sikur ngrihet nga ferri me pamjen e Arlekinit tragjik, motivi i të cilit vihet re në pikturat e tij të shumta; sikundër edhe Fausti, ai tundohet drejt vrasjes. Meqë ra fjala, duhet thënë që Arlekini është një hyjni e lashtë.
Kthimi në të shkuarën që nga kohët e poemave homerike ka të bëjë me Nekyja-n, Fausti i drejtohet botës iluzore të malit Bloksberg, Himerës antike. Pikasua u dhuron jetë formave të ngathëta, tokësore, veçanërisht primitive, dhe ringjall shpirtegërsinë e gërmadhave të Pompeit që shkëlqejnë me një dritë të ftohtë edhe më tmerrshëm se Xhuloi Romanua. Pothuajse nuk kam hasur në pacientë, të cilët të mos u drejtohen formave të neolitit artificial dhe të mos orvaten të thërrasin në jetë Dionisizmin antik.
Arlekini, si edhe Fausti, kalon përmes të gjitha këtyre formave, dhe praninë e tij e zbulon më tepër se çdo gjë tjetër e qara e tij, ulërimat, ose, të paktën, tingëllima e zileve plotë ngjyra në veshjen e tij prej bufoni. Çfarë do të mësojë ai në rrugëtimet e veta të çmendura nëpër shekujt e njerëzimit? Çfarë kuptimi do të gjejë ai në pirgjet e hedhurinave e të shkatërrimeve, si edhe në format dhe ngjyrat që mezi patën lindur, por që edhe ashtu patën ngelur mundësi që pa materializuara? çfarë simboli lind si shkak i fundit dhe kuptimi i shembjes së plotë?
Lidhur me shumëllojshmërinë marramendëse të Pikasos është zor të guxosh të thuash gjësendi me vërtetësi. Prandaj do të parapëlqeja të flisja për atë, çka kam gjetur në materialin tim. Nekyja nuk është aspak një përmbysje e paqëllimshme, shkatërrimtare, titanike, por një futje e menduar mirë brenda, një zbritje në humnerën e dedikimit mistik e të diturisë së fshehtë. Shtegtimi nëpër historinë e shpirtit ka si qëllim rivendosjen e njerëzimit si një tërësi, duke ringjallur në kujtesën e tij zërin e gjakut. Zbritja në Manastirin e Nënave i shërben Faustit për ta nxjerrë krejtësisht në sipërfaqe njeriun mëkatar, Parisin dhe Elenën, -atë njëri, i cili pasi u sorollat në njëanshmërinë e të tanishmes së përhershme, u la në harresë. Është pikërisht ky që në të gjitha kohët e turbullta ka qenë dhe do të mbetet shkak i turbullimit të botës së jashtme. Ky njeri është armik i njerëzve të ditëve tona, sepse i tillë ka qenë kurdoherë, kurse ata janë bërë të tillë vetëm tani. Duke u nisur nga ky fakt, pacientëve të mi në raste katabazi dhe kataklizime ui lind një vetëdije e karakterit kontradiktor të natyrës njerëzore dhe e domosdoshmërisë së konfliktit të poleve të kundërt. Prandaj si simbole të emocioneve imagjinare dhe të zgjidhjes së tyre lindin pëlhurat, në të cilat paraqiten kontrastet:-e ndritshmja-e errëta, lart-poshtë, e bardha-e zeza, mashkullorja-femërorja etj. Në pikturat e fundit të Pikasos bie në sy plotësisht motivi i qartë dhe domethënës i unitetit të të kundërtave në konfrontimin e tyre të drejtpërdrejtë. Njëra nga pikturat, që përbëhet e tëra, nga vija të thyera, përmban në vetvete figura të shpirtit të ndritshëm e të errët në të njëjtën kohë. Ngjyrat e periudhës së fundit-të ndritshme , të vrazhda, pa gjysmëtone-i përgjigjen synimit të të pavetëdijshmes për të sajuar në mënyrë të dhunshme ndeshjen e ndjenjave.
Zhvillimi shpirtëror i pacientit një gjendje të tillë nuk e quan as qëllim, as ndonjë rrugë pa krye. Ajo vetëm se bën të mundur që gjërat të shihen më gjerë, duke e rrokur tani njerëzimin në të gjithë tërësinë e tij shtazore-frymore plot pengesa, megjithatë nuk të lejon ta përfytyrosh atë si një unitet të gjallë. Drama e brendshme e Pikasos, që është shkaktuar nga peripecitë er jetës, e ka arritur këtë cak të fundit. Unë nuk marr dot përsipër të parathem të ardhmen e Pikasos, mbasi “jeta e thellësive” e mbushur me aventura, është një gjë jo pa rreziqe, ajo është në gjendje në çdo fazë ose të ruajë gjendjen e qetë, ose të çojë në copëzmin katastrofik të të kundërtave. Figura e Arlekinit përmban një ekuivok tragjike, pavarësisht se kostumi i tij nuk ka më shenja etapash të reja zhvillimi, të qarta për të mirinformuar. Ai është një hero që ka si mision të kryejë një rrugëtim përmes ferrit, por a do të mund ta kryejë? Unë s’kam përgjigje për një pyetje të tillë. Arlekini më shqetëson sepse më kujton shumë atë “djalosh laraman të ngjashëm me një bufon “ të “Zarathustrës” së Niçes, i cili shkoi pranë atij valltari që kërcente mbi litar, e kapërceu atë dhe në këtë mënyrë shkaktoi vdekjen e tij (paralel me palaçon). Atëherë Zarathustra shqiptoi fjalët tepër të tmerrshme për Niçen: “Shpirti yt do të vdesë edhe më shpejt se trupi-prandaj asgjëje mos iu tremb!”
Dhe se cili është “bufoni”, këtë e shpjegojnë po fjalët e tij që i drejtohen valltarit që kërcen mbi litar, alteregos (lat.-Uni i dytë) së tij më të dobët: “Ti po i zë rrugën atij që është më i mirë se ti!” Ai është shumë i fuqishëm, ai thyen guaskën, por nganjëherë pikërisht guaska është tru.
*Shkëputur nga libri i Carl Gustav Jung: “Mbi letërsinë dhe artet”
Përktheu: Myfit Mushi
Përgatiti: ObserverKult