Analizë e tregimit të Carlos Fuentes marrë nga vëllimi “Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme”, përkthyer nga Bajram Karabolli
Rigel Rizaj
Dy personazhe, Oliverio dhe xha Diego, qëndrojnë në sallën e një galerie arti duke kundruar dhe komentuar një pikturë të Rufino Tamayo-s. Ndërkohë që xha Diego llomotit mbi artin pamor dhe rrymat e tij, e pastaj hedh vëmendjen mbi këtë pikturë, – “Shikoje, vure re mirë, ajo gushë iluzore, ajo… bah! Po ku është parë një grua e tillë?!”, – me ç’duket, Oliverio e humbet durimin pas bisedës dhe e mbërthen gojën e pikturës me grusht, e shkul prej saj dhe e hedh në një kovë akulli që e kishin lënë kamerierët diku aty. Vëmendje!
Ndërkohë që plaku gungaç dhe i shëmtuar, xha Diego, lebetitet tek sheh se pikturës i ka mbetur një plagë gjaku dhe se ky veprim, – pra, t’ia shkulësh portretit të një pikture buzët, – është antiestetik, Carlos Fuentes mbrun në këtë tregim të shkurtër një estetikë letrare që matet të përzihet me të magjishmen ose të mrekullueshmen si një trajtë rrëfimore. Me ç’duket, kjo situatë letrare, ky trill krijues, na bën të ndeshemi me një mekanizëm të cilin do ta quaja “fabulim gjenetik”.
Më qartë: fabulim si proces i fabulës si një formë prozaike, i cili duket se është trashëguar, – me apo pa vetëdije, – gjenetikisht në kohë, hapësirë dhe kontekste të ndryshme kulturore apo sociopolitike.
Një buzë shkulet prej pikturës, fiton një pavarësi ndaj rrëmbyesit të saj, gati duke e denigruar këtë të fundit; është një përngjasim gjenetik, – në lëmin letrar, – me rrëfimin e Nikollaj Gogol, ku hunda një ditë të bukur ia mbath prej fytyrës së të zotit dhe krijon një jetë të vetën me një individualitet të pazakontë.
Por, le të rikthehemi edhe një herë tek ky tregim i Carlos Fuentes me titull “Nga goja e perëndive”. Të dhënat reale që na jep shkrimtari janë fort të pakta; emri i autorit të pikturës, Rufino Tamayo, dhe fill pas tij viti 1958. Por sa i saktë është ky informacion?
Në katalogun e këtij piktori të shquar meksikan, nën këtë datë, gjen vetëm një pikturë me titull “Matrimonio” (Martesa), ku me një nuancë delikate dhe të përzishme të ngjyrës rozë, dy trajta të çuditshme, nën ndikimin e Picassó, mund të merren fare lehtë si burrë dhe grua. Ajo që na shpëton, ndoshta, duke tjerrë kësifarë ngatërrese, është se këto dy informacione, – pra, autori (ndaj të cilit jemi të bindur) dhe data e pikturës (çka na mëdysh), – janë dhënë prej personazhit të vetë tregimit, xha Diegos.
A ka gjasë që Fuentes ta përdorë këtë teknikë narrative jo për të na e bërë të qartë, por për ta ngatërruar situatën rrëfyese, duke ngatërruar edhe të dhënat (saje përligjjes se ato dalin nga goja e personazhit)?
Nga aq sa vendosen në gojën e personazhit xha Diego, mësojmë se bëhet fjalë për një portret, një grua me “gushë iluzore”, një grua me buzë afërmendsh të kuqe, si plaga që lënë në një çast të mëpastajmë, ndaj më bën të dyshoj për një pikturë më të vonë të Tamayo-s, “Retrato de Olga” (Portret i Olgës), ku shfaqet një grua as fort e re dhe as fort e moshuar; e trishtë, e dhimbshme në fytyrë. Padyshim që tek e sheh të tillë, mendon se ajo e ka parandjerë se do t’ia shkulnin buzët, se një personazh do t’ia behte si batakçi për t’ia grabitur.
Por, sipas bisedës së dy personazheve, kur këto buzë i ngjajnë një veshi, kanë një zgërdhirje kaq të paparë dhe fyese kundrejt personazhit që i sheh (ndaj edhe i shkul gjithë duf), bëhem të mendoj për tablonë “Comedor de Sandías” (Ngrënësi i shalqirit), të cilën Tamayo e ka punuar shumë vite më herët.
Aty paraqitet një burrë i zi (ndoshta çmeritja e xha Diegos nuk arrin ta bëjë këtë dallim gjinor), një burrë-shtazë, krejt kaos në fytyrë, me organe të shtrajtësuara, një shtazë-perëndi. (Çka më bën të ndërmend veshin, është se goja i përngjet atij dhe, po të ngjitemi drejt tipareve të fytyrës, – si hundë, kurrizi i hundës dhe sy, – ato më tepër të ngjajnë me kanalin e brendshëm të veshit, çekiçin e veshit të mesit, daulles dhe veshit të brendshëm fill më pas.
Fuentes na qerthullon në një lojë imazhesh për të paraqitur një imazh kaotik nëpërmjet të rrëfyerit; pandehma se flitet për organe perëndish që hapin plagë për të mbjellë nocione estetike, paranteza dhe metatekst për të ofruar një sugjerim mbi përpunimin e stilistikës, të përralluarin si një teknikë kurthi dhe mrekulli. Fuentes mëton të paraqesë përsosurisht një qasje të re rrëfimore të bazuar tek e magjishmja.
Oliverio i hedh buzët në enën e vogël të alumintë dhe ia mbath duke i lënë pas pikturës një plagë të mbytur në gjak. Kemi në këtë pamje një sugjerim: ajo plagë është një seks i dhunuar: seksi i erotikës. Çka mbeti në pikturë është rrënja e seksit, gropa plot keqardhje; pjesa e mbetur në kovë, goja: seksi i shpëtuar dhe i domosdoshëm.
Oliverio e merr këtë gojë dhe, sa më tepër ajo largohet bashkë me të, aq më shumë ajo nxjerr në pah individualitetin e vet, duke cënuar, madje fyer, personalitetin e Oliverios. Goja çirret, ulëret, spërdridhet si e marrë në kovë dhe e vetmja mënyrë që i shkrepet në kokë personazhit tonë për ta qetësuar dhe për “t’ia mbyllur gojën”, është duke e mbështjellë me sytjena. Goja hesht.
Pra, goja përfton nocionin e një alter-egoje të gojës së vetë personazhit; kjo e fundit flet pak dhe ngjet e paplotësuar – me gjasë nuk ka provuar të pushojë mbi gjirin e një vajze, ndaj dhe goja e pikturës plotëson këtë patologji të personazhit. Fill më pas, i gjendur në hotel me një vajzë të çuditshme që mbart emrin e perëndeshës acteke të seksualitetit, Oliverio bën dashuri me atë, “ndërkohë që goja mbeti çuditërisht e mbyllur”.
Dhe më pas, ajo (goja, gjithnjë) ia del të arratiset dhe personazhi vihet në kërkim të saj, duke ngrënë në ndërgjegje shpotitjet e saj. Siç e përmend edhe Todorov-i, jemi në situatën e një rrëfimi fantastik ku organe trupore fitojnë individualitet.
Fuentes, më tepër se të zbardhë, nxin kuptimin e këtij rrëfimi duke kaluar në situata surreale, po aq sa shfaqet surreale edhe vetë organizmi i përçudnuar i pikturës që dhunohet. Të tilla përçudnime, prishje të rendit logjik, personazhe që kanë për alter-ego të tjerë personazhe, të tillë bipolaritet të personazheve që beftas iu shfaqen karaktereve duale, gjenden edhe në tregimet e tjera të këtij vëllimi, siç përmendim “Çak Moli”, “Aura”, “Një fantazmë tropikale” etj.
Statuja që mishëzohen duke ngjyer veten me thelb ndijimor, një djalë i ri që bie pré e një situate ku alter-egot përballen me shoshojnë në kapërcime të jashtëzakonshme kohore, personazhe që gjininë e vet organike e kamuflojnë duke sajuar një legjendë si ndërtimi i një breroreje mbrojtëse rreth vetes dhe një pikturë së cilës i grabiten buzët në formën më të pacipë dhe të hatashme.
Të tillë magji rrëfyese kanë në brumë rrëfimet e Carlos Fuentes në përmbledhjen “Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme”, të sapobotuar nga shtëpia botuese “Pika pa Sipërfaqe”, përkthyer me mjeshtëri nga Bajram Karabolli, i cili ka bërë që Fuentes-it të mos nungojë në shqip e magjishmja dhe fraza e përpunuar, duke na shpënë në një mrekullim letrar.