Obsesioni që Dikensi kishte për burgjet, shfaqet që në romanin e tij të parë, duke e shoqëruar përgjatë viteve. Në shkurt të vitit 1824, Çarls Dikensi asistoi i dëshpëruar në arrestimin e të atit, për borxhe, dhe u dërgua në burgun Marshalseas, në jug të Thames, në Londër. “Në të vërtetë, asokohe kujtova, – i tha Dikensi shokut dhe biografit të tij, John Forster, – se ma copëtuan zemrën”.
S’kaloi shumë dhe babait iu bashkua në Marshalsea edhe nëna e Dikensit, me motrat e vëllezërit, ndërsa Dikensi, tërë mllef punonte për të fituar para në një fabrikë. Edhe pse i ati do lirohej brenda disa muajsh, Dikensi nuk do ta fshinte kurrë nga mendja kujtimin e burgosjes së familjes.
Në biografinë e vitit 2011, Claire Tomalin, vëren se, në moshë madhore, Dikensi u bë “një vizitor i fiksuar i burgjeve”. Në esenë autobiografike: “Night Walks” (“Shëtitjet e mbrëmjeve”), ai përshkruan ndalesën nën hijet e burgut Newgate, “duke prekur gurin e tij të fortë” dhe duke u zgjatur “tek ajo derë tinëzare e Debitorëve të vegjël – duke u mbyllur më fort se çdo derë tjetër që kisha parë ndonjëherë”. Gjatë një turneu në Amerikë, tashmë si shkrimtar i mirënjohur, ndër të tjera nuk harroi të shkonte të vizitonte burgjet në Boston, Nju Jork dhe Baltimorë.
Obsesioni i Dikensit u shfaq në romanin e parë: “Letrat e kamionçinës” dhe do të vazhdonte ta shoqëronte kreativitetin ndër vite.
Në librin “Shpresa të mëdha”, heroi provincial Pip viziton Newgate dhe mendon “sa e çuditshme, që unë të përfshihesha nga gjithë kjo njollë burgu dhe krimi… duke nisur si njollë e venitur, por e pazhdukur; që, në këtë mënyrë duhet të përhapë fatin dhe përparimin tim”.
“Rrëfenja e dy qyteteve” fillon me kthimin në shtëpi të një të burgosuri të Bastijës dhe përfundon në La Force, vendi ku revolucionarët francezë i mbanin këta të dënuar për t’i çuar në gijotinë. Dhe “Doriti i Vogël”, i cili u serializua në 1855-1857, ka të bëjë me Marshalsea, një kthim imagjinar në vendin ku shpëtoi i ati i Dikensit. Të hapësh një derë, sugjeron Dikensi, s’është domosdoshmërisht e mjaftueshme për të liruar dikë.
Në fakt, në krijimtarinë e tij burgu është më i pranishëm si metaforë sesa si vendqëndrim. “Rrëfenja e dy qyteteve” është e mbushur me burgje, por edhe banka e romanit, Tellson, përshkruhet si një rrobë e lagur.
Siç mund të tregojë kushdo në karantinë, një burg metaforik dëshiron një të burgosur metaforik. Dikensi e kuptoi lehtësinë me të cilën ne mund të izolohemi brenda jetës tonë, qoftë përmes zakonit, rrethanave, padrejtësisë ose qarkut gjithnjë e më të ngushtë të fiksimeve tona.
Në njëfarë mënyre, disa nga personazhet e tij të paharruar arrestohen. Zonjusha Havisham, e cila kur takon Pipin, e pyet: “Ju nuk keni frikë nga një grua që nuk e ka parë kurrë diellin, që kur ka lindur?”. Më pas, zonja Clennam, nga “Doriti i vogël”, e cila, e ulur në errësirë, vazhdimisht bluan në mendje të shkuarën.
Çarls Dikens, shkrimtari që shihte në të katër anët izolim (lockdown)
Nisur nga gjendja e këtyre personazheve, gjendja që mund të na duket e njohur, Dikensi shkruan: “Për të ndalur orën e njerëzve të angazhuar, në çastin kur ne privohemi personalisht prej saj; të mendojmë për ata njerëz të lënduar të ngujuar, kur na shpien në një vend të palëvizshëm […] është sëmundja mendore e pothuajse gjithë të burgosurve”. Për Dikensin, burgimi nuk ishte vetëm një njollë në shoqëri, ishte një anë e vetvetes. Emrat e jashtëzakonshëm të personazheve na paraqesin që në vetvete personi duhet të jetë një formë kafazi.
I paepuri z. Gradgrind, i marri z. Bumble dhe kopraci Skruxh etj. Skruxh, i cili është hedhur në “gjuetinë” e parave të gatshme, bllokohet nga obsesionet personale – “i fshehtë dhe i mbyllur në vetvete, i vetmuar si një gocë deti”. Në fillim të “Rrëfenjë për dy qytete”, ai mediton sesa të largët dhe të panjohur jemi për njëri-tjetrin.
Në mbërmje, imagjinon një “qytet të madh”, megjithatë si një zëvendësues turnesh në burgjet e tij, na kërkon të mendojmë se “secila prej atyre qelive të përqafuara nga errësira fsheh sekretin e vet; se çdo dhomë ruan një sekret; se çdo zemër që rreh në ata qindra kraharorë, në disa prej imagjinatave të tij, është një sekret i zemrës më të afërt!”.
Rreth e rrotull tij, Dikensi vëren jetë të izoluara, përkundër mitit çlirues të përparimit. Ai fajëson shtetin, institucionet e të cilit i mbytin banorët me dokumente. “Shtëpia e zymtë” është dëshmi e gjallë, sepse satirizon një sistem të autorizuar që vë në shërbim të qytetarëve pajisje të ngadalta. Në shoqërinë e mbytur të Dikensit, vetëm sëmundja qarkullon lirshëm.
Në vitin 2019 bëri bujë një mori letrash nga Edward Dutton Cook, një i besuar i gruas së Dikensit, Katerina. Në njërën prej letrave, Cook pretendon se Dikensi e urrente të shoqen, pasi nuk ishte më e hijshme, madje “ai u përpoq ta mbyllte atë në një azil të marrësh, të gjorën!”.
Dihej që Dikensi ishte një bashkëshort i keq, hera-herës edhe mizor, mirëpo letrat e paraqesin autorin si një gardian të mundshëm djallëzor burgu. Si mund të ishte kaq brutal në marrëdhëniet e tij, burri që dramatizoi kaq shumë padrejtësi të epokës së vet: kushtet mizore të punëtorëve, tregun e martesave të grave, hipokrizinë morale të institucionit? Ai ishte i harmonizuar me tmerret e burgimit.
Në skicën letrare: “Një vizitë në Newgate”, Dikensi imagjinon ëndrrën e një të burgosuri të dënuar me vdekje, që vdekja ta marrë të nesërmen. “Nata është e errët dhe e ftohtë, – shkruan ai, – dyert janë lënë hapur dhe sa hap e mbyll sytë, ai e sheh veten në rrugë, duke fluturuar si era nga skena e burgimit”. Ndjehet një jehonë e vetë shkrimtarit në këto gjurmë. Të shkruarit e rillimeve e çliroi atë financiarisht, nga ana tjetër i siguroi një arratisje nga burgu i vetvetes.
Në krijimtarinë e tij, ai ktheu shumë personazhe. Nëse tashmë fantazma e Dikensit është e prangosur, vetë romanet, për shtrirjen dhe seriozitetin e imagjinatës dhe parashikimit e tyre etike, mund të pastrohen nga krimet e shkrimtarit të tyre. Maja e krijimtarisë janë arratisjet finoke të artistit. Duke farkëtuar në mënyrë misterioze çelësat personalë, ai çlirohet dhe… fluturon./Konica.al
ObserverKult
Lexo edhe: