Ç’bën moj ti aty përposh, Laj fustanin e tim zot, herë me ujë, herë me lot (VIDEO)

Ç’bën moj ti aty përposh?

Në këngë populli ka shprehur gjendjen e tij shpirtërore, e gëzueshme e ekzekutuar në dasma, e trishtueshme nga humbja e bijve të vet trima në luftë për atdheun, drejtësinë apo kurbetin.

NGA AGRON DORACI

Të shumta janë këngët labe, e shumëllojshme përmbajtja e tyre. Po shprehemi për një këngë lirike të Gjirokastrës, që më duket një kryevepër. Kryevepër në fjalë, që shprehin një gjendje shpirtërore të ngarkuar, me fjalë të dala nga një shpirt me plagë të rënda, shoqëruar me një melodi që rrjedh nga tinguj të harmonizuar, që prekin thellë çdo zëmër njeriu sado indiferente qoftë me muzikën.

Për një periudhë mijëravjeçare nën pushtim të huaj, të vetmet punë për të riun shqiptar ishin, çoban dhe ushtar jashtë atdheut. Të dyja këto, punë që e detyronin atë të rrinte me kohë të gjatë larg familjes së vet. Për sa më sipër, jeta bashkëshortore e shqiptarit të thjeshtë ishte shumë e kufizuar në kohë. Në periudhën më të bukur të jetës.

Kënga prek pikërisht momentin e kthimit të burrit në familje pas një kohe të gjatë larg saj. Një nga punët e shumta të grave në këtë situatë të kthimit të burrave në shtëpi ishte larja dhe pastrimi veshjeve të burrit, i cili do të largohej përsëri. Motrës i ka ardhur vëllai, siç u tha më lart vizitë e përkohshme në familje.

Ai do të largohet përsëri shpejt. E pret puna e vështirë në stan.

Kopeja e dhënë që nga halli e malli e la përkohësisht. Motra hap portën. Ngjit shkallët, në oborr sheh nusen që lan në magje. I bërtet: ç’bën moj ti aty përposh? Nusja, duke larë e duke qarë përgjigjet: laj fustanin e tim zot. Herë me ujë e herë me lot.

Një pyetje, një përgjigje, ku shprehet një vuajtje një dhimbje e thellë. Dhimbje e pambarimtë që e bën jetën të vështirë për familjet që merren me blegtori. Në Gjirokastër nuk ishin pak këto familje. Gjirokastritët këto momente të dhimbshme i përjetësuan në këngë.

Kënga “Ç’bën moj ti aty përposh”, është një nga këngët më të bukura labe të Gjirokastrës. Kam bindjen, besoj se nuk e teproj të shprehem, se është kryevepra e këngës polifonike labe. “Ç’bën moj ti aty përposh” shpreh në mënyrë lakonike, një histori gjirokastrite. Të trishtueshme, por plot me dhembshuri e dashuri.

Ç’bën moj ti aty përposh
Laj fustanin e tim zot
Herë me ujë e herë me lot
Bëj durim e s’duroj dot.

Katër rreshta një epope e shprehur në vargje 7-rrokësh që vlerësohet jo vetëm nga përmbajtja, por dhe nga shprehja poetike e saj. Emocioni i shprehjes poetike të këtyre vargjeve është i dukshëm. Është i ndjeshëm, por muzikaliteti që e shoqëron atë është akoma më emocionues. Duke dëgjuar këtë këngë, qysh kur marrësi nis i vetëm këngën me fjalët “Ç’bën moj ti aty përposh”, me një tonalitet të ulët, plot ndjenjë, dhimbje e dashuri, emocione të forta të mbërthejnë. Pasi përfundon marrësi ndërhyn kthyesi. Ai bën thirrjen, se është moment për fillimin kolektiv të këngës.

Vlen të theksohet se katër grupet e këngës, marrësi, kthyesi, hedhësi dhe isoja dëgjohen të unifikuar dhe harmonizuar. Por dhe të veçuar, sidomos marrësi dhe kthyesi. Kur kënga mbërrin te zanorja e tretë e rreshtit të dytë te fjala; fus-tan, Marrësi a-në e zgjat dhe e dredh zërin me një ëmbëlsi të jashtëzakonshëm që shpreh gjithashtu një dhimbje të madhe. Këtu, sado indiferent të jesh ndaj këngës, nuk ka mundësi t’i shmangesh emocionit.
Pas kësaj e vazhdon ritmin kthyesi me një harmoni të habitshme, duke ia lënë radhën hedhësit që kënga arrin kulmin. Në emocionet që merr nga dëgjimi kësaj kënge, një rol shumë të madh ka grupi ekzekutues. Në veçanti marrësi, kthyesi dhe hedhësi që udhëheqin këngën.

Është fat për Gjirokastrën dhe folklorin e saj që ne fund të shekullit të XX të e fillim të shek. XXI iu gjendën tre djem gjirokastritë, që me talentin e tyre në ekzekutimin e këngës labe Gjirokastrite, ngritën shumë lartë nivelin artistik të saj. Pa u futur thellë në analizë profesionale shkencore të këngës polifonike labe nuk është vështirë për të dalluar, se nga ana muzikale marrësi kthyese dhe hedhësi janë struktura bazë. Struktura themelore e kësaj melodie. Isoja natyrisht është pjesë e kësaj strukture të këngës. Por nuk përcakton vijën melodike të saj.

Melodia e këngës labe ndryshon nga kënga në këngë. Isoja është e njëjtë në çdo këngë. Është vënë re në shtyp kohët e fundit se studiues të ndryshëm, emërtojnë këngën polifonike labe me termin iso-polifoni. Çfarëdo argumentimi që mund të jepet për një emërtim të tillë nuk mund të justifikohet veprimi. Kjo ngase isoja në këngën polifonike labe nuk ka peshë në formulimin muzikor të këngës labe. Megjithëse isoja përforcon karakterin polifonik të këngës labe.. Por nuk mund të justifikojë për t’i dhënë asaj rolin përcaktues në vlerësimin e përgjithshëm të kësaj kategorie të kulturës sonë kombëtare në fushë e muzikës.

Me të drejtë ne jemi mësuar të nderojmë njerëzit që kanë dhënë për përparimin e këtij vendi e këtij kombi, por ekzekutuesit e talentuar, të rrallë që i kanë dhënë kulturës tonë kombëtare në gjininë e folklorit, kanë pak vëmendje. Mendoj nuk e teproj aspak që personalisht të shprehem: artistët e folklorit popullor, janë dhe ata heronj të popullit, por të një kategorie më të veçantë, se vërtet nuk japin jetën, por japin shpirtin e tyre për popullin që jeta e tij të jetë e pasur shpirtërisht përjetësisht.

Cilët janë këta djem gjirokastritë që e ngritën kaq lart këngën labe me ekzekutimin e tyre? Marrësi Arian Shehu, djalë nga Dunavati, me një zë të ëmbël që të kënaq, jo vetëm duke e dëgjuar të flasë, por në këngë zëri transformohet në një tingull magjik, që të lë me gojë hapur, shoqëruar me emocione të jashtëzakonshëm.

Kthyesi Mehmet Vishe, është djalë nga fisi i leshtë gjirokastrit i Vishanje në lagjen Palorto. Qysh fëmijë filloi të këndonte, fillimisht me shoqërinë e fisin e vet, gjer sa një ditë u bashkua me një grup të rinjsh, ku zëri i tij së bashku me shokët do të bënte një tingull brilant që do të habiste qytetin e tij të lindjes e më gjerë. Hedhës Roland Çenko e Kastriot Çenko, gjithashtu dy talente të jashtëzakonshëm në ekzekutimin e këngës labe.

Zëri brilant, pasioni për këngën, i bëjnë të dy këngëtarë të mrekullueshëm të këngës labe. Grupi i isos i përbërë nga Mevlud Meleqi, Mirosh Gagani, Shkëlqim Xhiku, Avni Ahmeti dhe Adriatik Çenko janë gjithashtu mjeshtër në ekzekutimin e kësaj kënge fantastike. Mjeshtëria e tyre në ekzekutimin e isos në këtë këngë qëndron në faktin se isoja përbëhet nga pesë tinguj, por në veshin e publikut dëgjohet si një i vetëm. Grupi të rinjve u krijua në vitin 1980. Ka marrë pjesë në shumë koncerte e festivale brenda dhe jashtë vendit. Në Shqipëri ka marrë pjesë në festivalet e vitit 1983, 1988, 2000, 2004, 2009, 2015 2023.

Është nderuar me çmime të ndryshme. Ka marrë pjesë në koncerte e festivale jashtë vendit në Francë, në Greqi, në Austri, në Zvicër, në Suedi, në Maqedoninë e Veriut etj. Duhet të gjendet një mënyrë për të bërë një diferencim në vlerësimin e këngës polifonike, duke u nisur nga përmbajtja, niveli melodik artistik, dhe ekzekutimi në perfeksion i saj.

Kënga “Ç’bën moj ti aty përposh” duhet të shpallet monument kulture në fushën e folklorit, duke mbetur për jetë në kujtesën kolektive të popullit. Një vlerësim merotin edhe grupi i të rinjve, ekzekutues të shkëlqyer të këngës polifonike gjirokastrite. Një vlerësim i arsyeshëm është ngritja e një basorelievi rrotull sheshit “Çerçiz Topulli”.

ObserverKult

Kliko edhe:

KËNGA POLIFONIKE SHQIPTARE, 15-VJET NË LISTËN E MBROJTJES NGA UNESCO