“Ç’e do librin, thonë, s’bën kokërr leku”, dhe mendja u fluturon, tek fama, pushteti, paraja…

Ç’e do librin?, thonë…

Nga Fatmira Loci

Duke qenë të rrethuar nga ekrane televizive, kompjuterikë, celularë, libri shpesh mbetet i mbuluar nën pluhurin e harresës.
Bëjmë shumëçka, por anashkalojmë më të rëndësishmin. Shohim filma, ndjekim politikë, japim opinione, bëjmë statuse në rrjete sociale për keqeverisjen e vendit, s’lëmë foto pa parë e komentuar në fejzbuk, instagram… por pak prej nesh gjejnë kohë të shfletojmë së paku ca faqe libri.

E di, pothuaj të gjithë jemi të rraskapitur nga përditshmëria, puna, shkolla, aktivitetet e ndryshme që duhet të ndjekim, familja, shoqëria, por secili prej nesh mund ta gjejë një orë kohë para gjumit për t’ia kushtuar kalitjes së trurit. Se, ashtu siç ka nevoje trupi për ecje, stomaku për ushqyerje, edhe trurit i duhet informacion dhe rifreskim i tyre.

Mund të niset me 10 – 20 faqe në mbrëmje. Gradualisht do filloni ta ndjeni domosdoshmërinë e atyre labirinteve ku të çon leximi i një libri. Do keni fjalor më të pasur. Do ndjeheni me të qetë, më optimistë, më të kuptueshëm, më të arsyetueshëm dhe më të drejtëpërdrejt.

P.sh. Civilizimet antike, kur krijuan shkrimin, (besoj, kjo ndodhi kur donin të iknin nga gojëdhëna) shfrytëzuan gjithë bazat ku mund të shkruhej: gurë, argjilë, pllaka druri, metalike… Më pas, Grekët dhe Romakët shkruan në fletë papirusi, derisa erdhen tek letra në shekullin 14. Dalëngadalë bëhet kalimi i shkrimit me dorë në procesin e shtypit, i cili përmirësohet në vitet e mëvonshme. Mirëpo atëherë, dituria në Evropë nisi të bëhet vetëm pjesë e të privilegjuarve, ndërsa sot, s’na pengon asgjë të lexojmë. I kemi të gjitha. Kemi njëmijë mënyra për të shfletuar, kemi librari, biblioteka, internet…

Por, çe do! Tmerrohesh kur lexon të dhënat e INSTAT, se Shqiptarët nuk lexojnë! Mbi një milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër – thuhej në të dhënat e 2018-tës. Pra 1/3 e popullsisë nuk lexon asgjë. Rreth 40% e lexuesve shfletojnë veç gazeta, portale, lajme, dhe 60% e asaj qe mbetet lexojnë libra.

Ja pra arsyeja pse kemi rënë në këte vdekje klinike; kemi vënë trurin në gjumë, dhe sillemi kot së koti si somnambul në kërkim të zgjidhjes që s’po gjendet. U zhvendosem nëpër qytete por s’u qytetëruam mjaftueshëm; morëm diploma por s’u shkolluam mirë, punojmë e prapë ndihemi bosh, të paplotësuar; kërkojmë arratinë, atje ku s’flitet shqip, s’mendohet shqip, ku s’ndërtohet shqip, ku s’vidhet shqip. Po edhe të ikur, shohim që ikja nuk është zgjidhje.

Sikur të lexonim – padiskutim që më tej do arrinim. Edhe ikja mund të kthehej në favorin tonë, përmes punës, eksperiencave, jo të dyndeshim pa kthim! Të ndërtonim, madje, të kopjonim – pse jo? – nga arkitektura e botës, por jo të betonizonim! Të vidhnim zanate, informacione, ide, – jo bizhu e mallra konsumi në apartamente europianesh.

Ndaj, zgjidhja e pasurimit të shpejtë, mbjellja e arës së pa punuar, me farë të kalbur, prodhon djerrimin e së ardhmes. Po prapë, “Ç’e do librin, – thonë – s’bën kokërr leku”, dhe mendja u fluturon gjetkë, tek fama, pushteti, paraja, suksesi…
Ama sesi ardhka kjo madhështi kështu tak fak s’di ta shpjegoje njeri.

Shumë veta, po ti pyesësh, ç’kanë të përbashkët njerëzit më të suksesshëm – përgjigjen, – Milionat nëpër banka, Pllaka ari në sirtarët sekrete, Makinat e shtrenjta, vilat luksoze… po besoj pak shohin dhe mendojnë leximin. Kur pikërisht falë leximit ndryshuan të ardhmen e tyre, dhe mbarë shoqërisë…

S’po flas për barkshqyerit a barkderrat e pangopshëm që ushqehen me përsheshë nga taksa e popullit, djersa e punëtorit apo hajni të lloj-llojshme, siç jemi mësuar t’i shohim me shumicë në Atdheun tonë të dashtun.

Flas për njerëz të suksesshëm si, Bill Gates, pronar dhe kryearkitekt i Microsoft-it, firmë e cila bënë xhiro rreth 37 miliardë dollarë amerikan në vit. Ama Gates, edhe sot lexon mesatarisht një libër në javë. “Leximi është domosdoshmëri nëse dëshiron të kesh sukses” – shprehet në intervistat e tij.

Flas për, Elon Musk, sipërmarrës, ndër më të pasurit në botë, themelues i disa kompanive amerikane, njëra nder ta për transport hapsinor, shpikës, inxhinier, që ka arrit majat e biznesit… dhe, kur e pyeten se si kish mësuar të ndërtonte raketa, ai u përgjigj: “lexoj libra”.

Ndërsa Ismail Kadare lexon Shekspirin vetëm 12 vjeç, më pas e rishkruan në fletore. “Më magjepsi se kishte fantazma dhe shtriga” – thotë gjeniu i letrave, përkthyer ne rreth 50 gjuhë të botës, nominuar disaherë për Nobel në letërsi, fitues i disa çmimeve letrare në vende të ndryshme…

Pra, fama, suksesi, arritja, mirëqenia, nuk vijnë nga hiçi. Më parë duhet të lexosh, të ndriçosh mendjen, pasurosh shpirtin, stimulosh fantazinë. Kështu do kuptosh se ç’rrugë duhet nisur dhe cila është ëndrra që t’i do mundesh ta kthesh në realitet.

Nga një libër mund të nisë ndryshimi i jetës tënde, i shoqërisë, i të ardhmes së një vendi.
Ndaj, mos humb kohë.
Lexo, njihu dalëngadalë me hapat e ndryshimit, shkallët e ngjitjes, kulturen e zhvillimit. Mbase s’do jetë e lehtë, por do jesh i vetëdijshëm për secilën gjurmë të hedhur.

Duke lexuar libra, gjen atë prehje shpirtërore që s’ta ofron asgjë në botë, njeh qindra mijëra karaktere, zbulon të pazbuluaren tek vetja, udhëton përmes tyre, njeh botën, me të mirat dhe të ligat e saj, meson të vetëmboresh, krijon imunitet, bëhesh i pashkelshëm, influencon tek të tjerët, si një misionar i ardhur posaçërisht për të transmetuar dritën e dijes.

Duhet të lexosh,
Në don ti thuash JO politikës së degjeneruar, arsimimit të degraduar, drejtësisë së zhdrejtë, rendit pa rend, sistemit pa sistem. Sepse vetëm leximi mund të mësojë sesi ta artikulosh, argumentosh dhe mbrosh JO-në tënde të madhe.

Duhet të lexosh,
Për ta çliruar këtë vend nga prangat partiake, armiku më i madh i vendit tonë prej më shumë se 75 vjetësh. Partia mbi Atdheun! Qesharake veç ta mendosh, jo më ta jetosh kaq gjatë. Dhe asnjëri nga këta lider që kemi s’ka në plan të ikë pa ngordhur. Ama ne mund t’i luftojmë vetëm përmes dijes, dhe ti çojme aty ku meritojnë.

Duhet të lexosh,
Për të rrojtur i lirë në vendin tënd, për të gëzuar e shijuar pasuritë dhe bukuritë e tij: për t’ja diktuar brengat, sheruar plagët; për t’ja njohur të shkuaren e dhimbshme, dhe për t’ja ndrit të ardhmen. Askush më mire sesa ti që lexon s’do mund ta bëjë këtë.

Duhet të lexosh,
Për të njohur magjinë e germave, bukurinë e fjalës, simfoninë e vargut, melankolinë e paragrafit, termetet e tregimeve, romancat e novelave, botkuptimet e romaneve.

Për ta kthyer mosdijen në dije, dinakërinë në zgjuarsi, falsitetin në besim, hipokrizinë në guxim, duhet patjetër të lexosh.

Arratisuni nga monotonia, hyni në këtë parajsë dijesh, flladiteni shpirtin me arome poezie, lundroni përmes fjalësh, idesh, përqafoni dallgët, përqeshni demonët, qani, qeshni, ulërini, shkarkojeni gjithë enërgjinë negative, ç’lirohuni nga pranga e së keqes, fluturoni pa kurrëfarë frike drejt qiejve të lirisë, sepse, libri është liria e mendimit, liria e fjalës, liria e veprës.

ObserverKult

Lexo edhe:

KËNAQËSIA E DASHURISË ZGJAT VETËM NJË MOMENT. DHIMBJA E DASHURISË ZGJAT SA NJË JETË…