Çelen këndet arkivore në Tetovë, Kërçovë, Ferizaj dhe Podujevë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë ka çelur këndin arkivor në bibliotekën e Universitetit të Tetovës. Ky është më i fundit që DPA hap në viset shqiptare.

Në një qytet të universitar shumë të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut siç është Tetova, studiuesit dhe studentët që kryejnë kërkime në lëmin e historisë, do të mund të marrin shërbimin përmes këtij këndi, njoftoi zyra për shtyp e DPA.

Tanimë, çdo studiues merr shërbimin njësoj siç e merr në sallën e studimit të AQSH-së në Tiranë kudo ku janë instaluar këto njësi shërbimi të DPA.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido diskutoi me zëvendësrektorin e Universitetit të Tetovës, Shefik Shehu për bashkëpunime të ndryshme për të nxitur më tej kërkimet në fushën albanologjike.

Ndërkaq, më herët u çelën edhe tri kënde arkivore në bibliotekat e tri qyteve të rëndësishme, falë bashkëpunimit me komunat e këtyre qyteteve.

Tanimë, në bibliotekën e Kërçovës në Maqedoninë e Veriut dhe në bibliotekat e Ferizajt dhe Podujevës në Kosovë, çdo studiues mund të marrë shërbim të unifikuar, pa qenë e nevojshme të udhëtojë në Tiranë.

Çelja e këtyre këndeve arkivore është një ndër nismat më të rëndësishme të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave e cila nisi në fundin e vitit 2020 për të vijuar me hapjen e këtyre njësive të shërbimit kudo ku jetojnë shqiptarët, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë./ATSH

LEXO EDHE: Arkivat thyejnë barrierat: Salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe qytetet shqiptare në rajon