Çelet në Berat ekspozita “Thesare të risjella në jetë”

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Qendra Muzeore Berat, hapi ekspozitën e titulluar “Thesare të risjella në jetë”, një pavijon i ri për vizitorët.

Kreu i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se është një koleksion ikonash dhe objektesh një pjesë e tyre të pa ekspozuara më parë, të cilat prej 7-8 vitesh i janë nënshtruar procesit të ndërhyrjes restauruese në Laboratorin e veprave të Artit në Qendrën Muzeore Berat, por dhe në atë të DRTK-së.

“Thesare të sjella në jetë”, konsiston në një koncept të ri në menaxhimin e vlerave të trashëgimisë kulturore për t’i dhënë jetë koleksioneve e për të qenë me aktiv në kujdesin ndaj tyre, për t’i bërë më të ekspozueshëm, më të prekshëm për publikun, për ta bërë muzeun përherë me joshës e destinacion për vizitorët. E konceptuar në këtë mjedis të veçantë dhe impresionues që i paraprin Laboratorit të Veprave të Artit si edhe në fondin e ekspozuar në të kemi pasur qëllim të sjellim tek publiku për të bërë prezente atë anë të fshehtë, të padukshme e plot mister të asaj pune të madhe, shumë të rëndësishme, që realizohet ditë pas dite pa ndërprerje si detyrim parësor për konservimin e fondit të veprave të muzeut dhe të vet monumentit, kishës Fjetja e Shën Mërisë”, tha Demo.

Në këtë pavijon janë ekspozuar një seri ikonash që u atribuohen mjeshtërve më të njohur ikonografë si Nikollë Onufër Qipriotit apo mjeshtërve të atelies së familjes Cetiri.

Gjithashtu janë ekspozuar kapak ungjijsh si dhe lipsanat e shenjtorëve Angjellari e Gorazdi, një koleksion i realizuara ndërmjet shekujve 16-20 dhe e restauruar nga Erion Lezi dhe dy punonjësve të DRTK-së, Altin Tabaku dhe Miltiadh Bibo./ATSH

LEXO EDHE: Në Tiranë çelet ekspozita për 40-vjetorin e demonstratave të Prishtinës