Çeliku: Përulem përpara të aftit, punëtorit dhe humanistit…

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet profesori Arbër Çeliku.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Mospasja e smirës, lakmisë, xhelozisë dhe dashaligësisë.

Cila është frika juaj më e madhe?
-Se mund të vdes pa u bashkuar populli shqiptar.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Të gjithë ata, të cilët e kuptojnë se këtë botë nuk do ta marrin dot me vete dhe, si rrjedhojë, të gjitha kapacitetet shpirtërore dhe materiale i vënë në shërbim të njerëzimit.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
-S’para mëtoj të identifikohem me dikë, ngaqë, qoftë i mirë apo i keq, kam individualitetin tim, por përulem përpara figurës së Adem Jasharit dhe familjes së tij, që sakrifikuan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur… Tjetër punë është se vepra e tyre hyjnore u përvetësua nga parti politike, politikanë dhe figura të papërgjegjshme në liri.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
-Të qenët i drejtpërdrejtë me njerëzit. Hajdutin nuk e glorifikoj, kurse përulem përpara të aftit, punëtorit dhe humanistit.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
-Stisja, egoizmi, cinizmi dhe konformizmi.

Në cilat gjëra e teproni?
-Lexoj dhe shkruaj pa ndërprerë.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
-Edhe po të mos gënjeja, në ndërthurjet e sotme shoqërore tonat, edhe kur e thua të vërtetët, i tillë perceptohesh: si një gënjeshtar i ndyrë. Kemi arritur relativizimin e padurueshëm si të gënjeshtrës ashtu edhe të së vërtetës.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Kthimi në vetvete.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
-Dreqi e marrtë! Thuajse për çdo ditë, teksa shoh që në kohë pandemia po na helmojnë me tym kancerogjen (TEC Osllome, Kërçovë), Tetova pa ujë të pijshëm, kazino dhe bastore në çdo hap, konsumimi i drogës më zi se çaji i Rusit, etj.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
-Që kam kërkuar mirënjohje nga njerëzit, të cilët kanë dashur të më shkatërrojnë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
-I dua ata, të cilët nuk ma deshën të mirën. Dy herë më larguan dhunshëm nga puna, më internuan në Gjermani, ku doktorova për së dyti dhe, si rrjedhojë, më bënë njeri.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
-Më i plotë, më i paqtë dhe më i kthjellët se kurrë ndonjëherë më parë, pasi u tërhoqa nga jeta publike si dekan dhe prorektor universiteti.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Po të doja të ndryshoja ndonjë gjë, nuk do të isha vetvetja.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
-Që kurrë nuk jam blerë dhe shitur.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
-Vetëm profesionin.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
-Përsëri ky që jam.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
-Dashuria e madhe për popullin tim.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
-Politikën shqiptare.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Jetën dua të mbyll në Cërvicën time, atje ku kam varret e të parëve brez pas brezi.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Burrëria.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
-Burrërinë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
-Mendjemprehtësinë dhe sensin për humor.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Fatos Kongoli.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Ata që janë vetvetja dhe merren me punët e tyre.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
-T’i bija kitarës.

Si do të dëshironit të vdisnit?
-Nuk e kam menduar ndonjëherë, thjesht sepse besoj se unë dhe vdekje nuk do të takohemi kurrë. Ajo mbase do të vijë për dere unë do të dal për dritareje.

Cila është motoja juaj?
-Nëse s’mund t’i bësh mirë dikujt, të paktën, mos i bëj keq. / ObserverKult