‘Çfarë grerëze e ka pickuar’, qëndrimi i Kadares për fituesin e Nobelit kur mbronte gjenocidin e Milosheviç

Rrëmbeu çmimin Nobel në Letërsi për 2019, por Peter Handke është sot personazhi më i urryer në Shqipëri. Shkak për këtë është fakti se Handke ka mbrojtur krimet e Millosheviçit në Bosnje dhe Kosovë.

Shkrimtari Ismail Kadare nuk e ka komentuar dhënien e këtij çmimi, por ka folur për shkrimtarin austriak Handke rreth 20 vite më parë. 

Gazeta letrare “Exlibris” ka publikuar qëndrimin e Kadaresë për Peter Handken, nxjerrë nga ditari i tij për Kosovën “Ra ky mort e u pamë”.

Ismail Kadare, 20 prill 1999

Televizioni austriak më kërkon një mendim për qendrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qendrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.

Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake “Residennz Verlag”, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.

E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadoja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.  

Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.

Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.

Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.

A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo.