Çfarë mendon Mevlan Shanaj për kërkesën e ndalimit të filmave shqiptarë “të komunizmit”?

Mevlan Shanaj

Në Shqipëri po qarkullon një përpjekje për të ndaluar filmat e kohës së komunizmit për të mos i shfaqur në televizione. Instituti për Krimet e Komunizmit ka ngritur shqetësimin dhe e ka argumentuar ndalimin e tyre, duke thënë se kjo do të ndalonte nostalgjinë për regjimin komunist.

Mevlan Shanaj ka kaluar më shumë se 45 vite jetë mes filmit dhe krijimtarisë artistike. Këto ditë që është hapur ky debat mbi ndalimin e filmave të prodhuar në kohën e diktaturës, ai ka një ndjeshmëri të lartë mbi temën. Pavarësisht diktateve, ai tregon se ka punuar me pasion duke dhënë më të mirën brenda kornizave ku është gjendur.

Shanaj, artisti i merituar, është një figurë e shquar në kinematografinë shqiptare si një nga aktorët e nivelit të lartë, si regjisor në kinema e televizion, si prodhues filmash, si skenarist e producent, si autor e si profesor në degën e regjisë pranë Akademisë së Arteve thotë se i gjithë ky debat është absurd dhe shashkë për marrje fondesh.

Në këtë intervistë për Dita-n, të dhënë kohë më parë, Mevlan Shanaj rrëfehet për krijimtarinë e tij… dhe çfarë mendon për ndalimin e një krijimtarie artistike e cila ka historinë e vetë në të.

-Z. Shanaj, këto ditë është hapur një debat në lidhje me ndalimin e filmave që janë prodhuar përpara viteve ’90…

Bëni një sondazh për këtë temë dhe do shikoni se mbi 90 për qind janë pro filmave dhe që i duan shumë ata. Kështu që minoranca e cila ka hedhur idenë e di që është një shashkë për sigurim projektesh e fondesh. Mes tyre ka pasur shumë të paditur. Përgjigje të shkëlqyer ka dhënë Dom Gjergj Meta , ku thotë se: “Tragjedia është te ata persona që mbrojnë me fanatizëm ligësinë që gjendej brenda atyre filmave, ideologjinë poshtëruese dhe manipuluese të masave. Fjala censurë nuk ka vetëm një kuptim.

Ka rrafshe semantike të shumëfishta. Censura, sa është e rrezikshme për lirinë e një populli, aq është e rëndësishme në ruajtjen e disa parametrave.

Prandaj që do të isha i kujdesshëm ta përdorja vend e pa vend, e sidomos me inat dhe urrejtje, pasi mund të kthehet në bumerang. Në komunizëm, censura u përdor në mënyrë kriminale, dëmtuese e shëmtuese.

Censura ishte fytyra e shëmtuar e sistemit komunist. Ne sot duhet të jemi të kujdesshëm. Liria është e çmuar e nuk fitohet e as nuk jepet me inat apo zemërim”. Jam dakord me këtë shpjegim të Dom Gjergjit.

-Ju personalisht keni punuar në atë periudhë, do ju vinte keq që puna juaj të mos shfaqej apo më keq, të zhdukej? Kush do ta zhdukë?

Nuk mundet në sistem demokratik të krijohet një censurë e re. Nuk ndodh kurrën e kurrës. Janë ide infantile mediokre ultrareaksionare. Nuk ka njerëz që mund ta bëjnë këtë gjë. Shoqëria shqiptare e flaku censurën dhe diktaturën në vitin 1991. Ndërsa veprat kanë gjykatës vetëm kohën. Koha përzgjedh nivelet dhe mediokritetin. Tashmë kjo gjë është arritur, çdo shashkë kthehet në bumerang.

Sa nën presion keni qenë ju apo kolegët tuaj në realizimin e filmave? Çdokush e di çdo të thotë të krijosh në sisteme të mungesës së shprehjes e të alternativës së mendimit.

Gjithë lindja ishte nën sistemin komunist me një ideologji. Pikërisht për mungesë të shprehjes dhe të ekonomisë së centralizuar, humbi ai sistem. Ishte Shtet me një Parti dhe çdo gjë bëhej sipas diktatit të Partisë-Shtet. Arti dhe kultura pati një hov dhe zhvillim shumë të madh, edhe pse nën kontrollin e rreptë të Partishmërisë.

-Ju thoni se çdo gjë bëhej nën diktatin e partisë, por sa cilësor ka qenë ky art, si e vlerësoni sot, pas kaq vitesh?

Vetë koha që i ka rezistuar tregon cilësinë. Unë personalisht nuk retushoj asgjë nga krijimtaria ime pasi filmi është histori dhe kush retushon historinë bëhet lehtësisht i nënshtruar. Unë nuk pajtohem me nënshtrimin.

-Po kërkesën për transmetimin e disa prej filmave me sqarim paraprak, si e gjykoni?

Idiotësi. Veprat e artit kanë të drejtën e lirisë së komunikimit. Shpjegimi fyen inteligjencën e shikuesit. Nuk ka probleme Shqipëria, aq më tepër 1,5 milionë në emigracion, përse të sqarohen se mos përhapin komunizmin në SHBA, në Gjermani apo në Angli ku jetojnë?! Çdo ide imponuese, gjoja sqaruese mbi shikuesit, është “diktat” i shëmtuar. Ato vepra që kanë probleme janë skualifikuar nga koha.

I konsideroni ata që shprehen për ndalimin e filmave si njerëz që nuk janë shkëputur nga diktatura…?

Jo, është e drejta e tyre të shprehen, por ndoshta janë të vonuar. Me sa duket më 1990 nuk kanë mundur dot, ndërsa ne jo vetëm mundëm më 1990, por u bëmë zëdhënës të vrasjes së frikës se diktaturës.

-Ju keni punuar me shumë filma. Mund të na tregoni një nga ato historitë ku ka ndërhyrë “Partia”?

Në çdo vepër krijuese ishte mekanizmi i kontrollit, që nga miratimi i skenarit, kontrolli i shfaqjes së filmit, komisionet e ndryshme sipas hierarkisë. Filmi shfaqej pas aprovimit të fundit që vinte nga Blloku. Kjo për Kinostudion, ndërsa neve në TVSh vinin kontrolluesit si për çdo gjë nga Komiteti Qendror i Partisë. Nuk duhet harruar autocensura. Pasi çdo krijues e dinte vijën e kuqe.

-Z. Shanaj, a ndiheni krenar sot për punën që keni bërë dhe a e ndjeni se duhet t’i kërkoni falje dikujt?

Krenarinë ma shton publiku në çdo hap të jetës. Kush ma njeh krijimtarinë, vetëm më respekton. Unë çdo ditë marrë sadisfaksion nga njerëzit dhe vazhdoj të punoj me përkushtim dhe dashuri. Falje? Nuk kam kujt t’i kërkoj falje!

Në sistemin demokratik janë të shenjta alternativat e mendimit, konkurrenca e prodhimit dhe barazia ligjore. I besoj krijimtarisë që nuk ka nënshtrim, por që mbetet e lirë dhe befasuese.

Rëndësi ka të këtë prodhimtari në ditët e sotme për në ekranin shqiptar dhe homazh të përjetshëm atyre që startuan filmin në Shqipëri. Të gjithë ne që lëvruam ekranin, e emancipuam shoqërinë shqiptare aq sa mundëm më shumë se në çdo fushë tjetër. Ndaj, artistët në atë kohë përgjoheshin më shumë se çdo kush tjetër.

-Çfarë do të mbani mend nga ajo kohë, z. Shanaj, nga krijimtaria përpara viteve ‘90?

Si çdo njeri që mban mend jetën e tij, me të bukurat dhe dhimbjet e veta. Nga krijimtaria mbaj mend shumë episode krijuese me figurat më të shquara të kinemasë shqiptare. Kam pasur fatin të punoj me të gjithë artistet e mëdhenj pa përjashtim, ose si partner i tyre, ose si aktor i tyre ose ata si aktorë në filmat e mi.

Duke filluar nga Sandër Prosi, Kadri Roshi, Rikard Ljarja, Bujar Lako e Kastriot Caushi apo Vangjush Furxhi, Agim Qiriaqi e Pandi Raidhi, Elvira Diamanti , Arben Imami, Niko Kanxheri, Ndrek Luca etj, me regjisorët Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Gëzim Erebara, Piro Milkani, Piro Mani, Saimir Kumbaro etj, e deri me kamerat e Ilia Terpinit, Pali Kuke etj. Kompozitorët Kujtim Laro, Limos Dizdari, Hajg Zaharian, Aleksander Lalo etj.

——————-

Lexo edhe:

MEVLAN SHANAJ: S’KA AKTOR MË TË FUQISHËM NË SKENË SE KADRI ROSHI

ObserverKult