Më 29 korrik të vitit 1890, Vincent van Gogh ndërroi jetë. Që prej asaj kohe, shumë teori mjekësore dhe psikologjike janë përpjekur t’i japin shpjegim vendimin të tij, për t’i dhënë fund jetës në moshën 37-vjeçare. Çfarë ndodhi me piktorin?
Një studim i fundit, publikuar në Gazetën Ndërkombëtare të Çrregullimeve Bipolare përpiqet t’i japë shpjegim produktivitetit të artistit postimpresionist dhe arsyeve që mund ta kenë çuar në vetëvrasje. Në tri vitet e fundit të jetës, Van Gogh ishte në kulmin e prodhimtarisë artistike dhe realizoi 30 autoportrete, ndër të tjera.
“Ai kishte shenja çrregullimi bipolar të humorit, me tiparet e çrregullimit kufitar të personalitetit, por kjo ka të ngjarë të përkeqësohej përmes përdorimit të alkoolit, si dhe kequshqyerjes, që më pas çoi ndikoi në rritjen e tensioneve psikosociale, krizë që e detyroi të priste veshin [gjatë një debati],” – thanë autorët e studimit, që u udhëhoqën nga profesori i psikiatrisë Willem Nolen në University of Groningen në Holandë.
Van Gogh ishte në spital tri herë radhazi në Arles, Francë, mes dhjetorit të vitit 1888 dhe majit 1889 dhe më pas, u transferua në azilin Saint-Rémy-de-Provence në maj të vitit 1889. Gjatë dy qëndrimeve në spital, Van Gogh shkroi se kishte “halucinacione të padurueshme”, ankth dhe makthe. Studiuesit sugjerojnë që simptomat ishin të lidhura me një periudhë të detyruar pa alkool. Ata shtojnë, se deliri i tij u pasua nga episode të rënda depresive, që çuan në vetëvrasje. Por, pasi në këtë rast, pacienti nuk mund të intervistohet, studiuesit theksuan se përfundimet duhet të trajtohen me kujdes.
Teoria buron nga shqyrtimi i 902 letrave të piktorit, 820 prej të cilave i drejtoheshin vëllait të tij Theo dhe të afërmve të tjerë. Studimi është bazuar edhe tek intervistat me tre historianë që e kanë studiuar artistin në thellësi. Nolen, paralajmëroi që Van Gogh mund t’i ketë “zvogëluar apo edhe zbukuruar disa gjëra” në letrat e tij.
“Megjithëse [ato] përmbajnë shumë informacione, duhet të kujtojmë se ai nuk ua shkroi letrat mjekëve, por anëtarëve të familjes dhe të afërmve të tjerë për t’i informuar, për t’i qetësuar ose për të bërë diçka. Prandaj, artikulli ynë, sigurisht nuk do të jetë i fundit për sëmundjet nga të cilat vuante Van Gogh.”
Një nga diagnozat e para pas vdekjes së tij ishte skizofrenia, por studiuesit zbuluan se ai nuk shfaqte simptoma të sëmundjes. Studiuesit gjithashtu sugjerojnë se, nuk ka gjasa që Van Gogh të ketë pasur sifiliz ose epilepsi, gjatë muajit të fundit të jetës. Studiuesit besojnë se ka të ngjarë të ketë pasur “epilepsi të fshehtë”. Kjo do të thotë që pacienti nuk ka kriza klasike, por më tepër çrregullim të sjelljes bazuar në aktivitetin epileptik në pjesët më të thella të trurit. Në rastin me Van Gogh, aktiviteti epileptik mund të jetë shkaktuar nga dëmtimi i trurit, si rezultat i stilit të jetesës, si abuzimi me alkoolin, kequshqyerja, gjumi i paktë dhe lodhja mendore.
Përfundimi i studimit tregon se Van Gogh vuante nga sëmundje shoqëruese dhe ka të ngjarë të ketë pasur çrregullimin bipolar të humorit, kombinuar me çrregullime personaliteti. Simptomat, thuhet t’i jenë përkeqësuar nga alkooli dhe kequshqyerja, që pasuan nga gjendja e delirit, për shkak të tërheqjes nga alkooli./konica.al