Një nga rrëfimet më të rralla, që shërben edhe si dëshmi, është ajo e Bedri Blloshmit. Pas pushkatimit të të vëllait, poetit Vilson Blloshimi dhe kushëririt të tij, Genc Lekës, Bedriu tashmë ishte nën survejim të rreptë. Për herë të parë, ai sjell në një libër, dosjen formulare me dokumente arkivorë, me letra të papublikuara, ku përfshihet edhe ngjarja e 11 prillit, reagimin e të burgosurve, dhe shtrëngimin e masave nga ana e sigurimit.
Bedriu për shkak të gëzimit, të shprehur edhe hapur, në atë mëngjes të 11 prill 1985, u spiunua dhe përgjua nga operativët e sigurimit brenda burgut, gjë që çoi në ridënimin e tij, me izolim.
Më poshtë pjesë nga libri, në proces botimi, nga ISKK, ku Bedri Blloshmi kujton ditën e 11 prill 1985 në burgun e Spaçit, si dhe një letër, raport shërbimi mbi sjelljen e tij pas vdekjes së “udhëheqësit”, të publikuar në faqen e facebook të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
***
Bedri Blloshmi -11 prill 1985, Spaç
Po mbushet viti që kam ardhur nga Qafë – Bari (ekzakt më 5 korrik 1984). Këtë burgun e Spaçit, që më parë ishte për politikanë (ose “armiq”), tani e gjeta të mbushur me të burgosur ordinerë. Kështu, për ne “armiqtë”, kanë ndërtuar disa gazerma në përrua, në krah të pallateve. Në Qafë – Bari kishim tjetër mineral. Tani duhet të rimësohem me piritin, i përzierë me shume acid dhe me temperaturën 40-45 gradë. Tani, kur dalim në punë rrjeshtohemi te një urë-kafaz që lidh barakat tona me pallatet dhe komandën. Mbas dy ngjarjeve në të dy kampet, me distancë 11 vjetësh, policët me riardhjen tonë na thonin: “ju të Qafë – Barit do rrini urtë, apo doni ta provoni prapë?” Të gjithë, ne, sa ishim, nuk përgjigjeshim. Kështu, të frikësuar, nën këtë presion të policisë, kalonin ditë, javë e muaj në një monotoni të mërzitshme. Ditën e 11 prillit ndodhi kjo: Ishim turni i parë. Unë punoja në galerinë 20, të vjetër. Mbasi pastruam frontin e punës, isha bërë gati dhe prisja të vinte ajri (i kompresorëve) për të bërë birat e plasjes. Prita sa prita, e pashë që koha po kalonte dhe dola nga galeria të shihja si është puna. Lart në kodër shoh shumë levizje, shumë policë dhe civilë. Ishte një situatë e pazakontë. Thirra policin për ta pyetur për ajrin, pse nuk kishte ardhur. Ai ishte 10-15 metra larg, kur më vërsulet: “Ik qërohu, futu brenda në galeri”. Në krah të galerisë 20, ishte një kapanon ku rrinin ushtarët (jashtë rrethimit). Sapo u ktheva, për të hyrë në galeri, vë re që mbi kapanon flamuri ishte ulur në gjysëm shtizë. Shtanga në vend, kuptova që diçka kishte ndodhur. Nxitova dhe u futa brenda, vajta në frontin e punës të një shoku dhe i tregoj çfarë kisha parë. “Të bëjnë sytë”, ma ktheu me mosbesim.
Ymer, – i them, – dikush ka vdekur sepse nuk ka arsye tjetër, të ulet flamuri gjysmë shtizë. “Mirë, mirë – më thotë ai, – ishalla është ashtu siç thua ti”. Pas pak na lajmëruan që të lëmë punën dhe të dalim jashtë. Pak nga pak u mblodhëm të gjithë dhe dukej qartë, se policët ishin të lotuar, civilët ca më keq. Pasi na numëruan, na nisën për në kamp. Sapo u afruam pamë se në kamp ishin mbi 20-30 policë dhe civilë, altoparlanti i varur në degën e një plepi vajtonte me muzikë funebër. Sado që mundoheshin ta fshehnim gëzimin, ishte e pamundur. Nuk e zotëronim dot veten. U takuam me disa shokë dhe porositëm njeri-tjetrin të mos binim në sy, se ajo që ne kishim lutur gjithmonë, kishte ndodhur. Diktatori kishte vdekur. Mendonim se si do rridhnin ngjarjet. I them një miku: “shko në depo, merre sheqerin miellin dhe vajin që kemi ruajtur për këtë ditë dhe na trazo një hallvë”. Mehmeti më qortoi: “pusho se do të të vrasin, nuk e sheh që janë bërë si të tërbuar, ik shtrihu në krevat dhe fli”. “Met, – i them, – ku më zë gjumi mua, sot është dita më e gëzur e jetës time.”
Në kamp, policët e civilët vinin vërdallë, me kokë ulur me sy të përlotur. As natën nuk më zuri gjumi, fare. Rrija shtrirë, mbuluar me batanije. Shumë nga ne rrinim shtrirë e nuk flisnim asnjë fjalë nga frika, sepse policia ishte prezent gjatë gjithë kohës.
***
Spaç 11.4.1985
Raport shërbimi nr. 36
Data 10.5.1985
Sot më datën 12.4.1985 në repartin 303 Spaç në rajonin e banimit për krime kundër shtetit rreth orës 6:00 i dënuari Bedri Blloshmi në kohën që ka qenë duke ngrënë mëngjesin në mensë dhe kur të dënuarit e tjerë kishin ulur kokën e po hanin bukë u shpreh me fjalët: “Gëzuar o shokë”. Këtë thënie të tij e dëgjoi vetë kryetari i këshillit Dhimitër Stefa i cili informoi menjëherë. Ky i dënuar i ka thënë këto fjalë në një kohë kur mbarë populli mbante zi për vdekjen e shokut Enver Hoxha. Ky i dënuar paraqet rrezikshmëri. Për këtë mendoj të izolohet dhe të ndiqet penalisht.
Kom. Togës. Policisë
Josif Sadikaj
(firma)
Shënime të oficerit të rojes: të izolohet me 30 ditë, të përpilohen dokumentet dhe të ndiqet penalisht.
Oficeri i rojes
Refat Shkëmbi
(firma)
Shënime të komandës: të izolohet 30 ditë.
(firma)
konica.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ObserverKult