Çfarë shkruante Enver Hoxha në ditarët e tij?

Urdhëri i Ramiz Alisë

U publikuan ditë më parë dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhen ditarët sekretë të ish-kreut të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, të cilët i përkasin periudhës janar – shkurt të vitit 1961, kur konfliktet në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Moskës zyrtare, ishin acaruar së tepërmi, sidomos në prag të mbajtjes së Kongresit të IV-të të PPSH-së.

Çfarë shkruan ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste në ditarët e tij, lidhur me vijën e re politike që po ndiqte kreu i Kremlinit, Nikita Hrushov, procesin e destalinizimit të Bashkimit Sovjetik, marrdhëniet me Shqipërinë, si dhe raportet e Tiranës zyrtare me disa nga vëndet e tjera të Evropës Lindore dhe ato të partive marksiste-leniniste të vëndeve Perëndimore, si Dolores Ibarruri, etj.

Bashkë me ditarët sekretë, Memorie.al publikoi dhe disa foto të rralla të Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, ku ata kanë dalë gjatë vizitave të tyre në Bashkimin Sovjetik dhe disa vende të tjera komuniste të Evropës Lindore, si: Bullgari, Hungari, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, etj.


“Që prej pesë ditësh vazhdon punimet Plenumi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Plenum i thënçin, pse ai ka marrë pamjen e një mitingu të madh kuadrosh. Atje po mbahen raporte nga të gjithë sekretarët e partisë të republikave sovjetike, nga të cilat del qartë se ka gabime shumë të rënda. në bujqësi.

Por këtë herë Nikita s’ia hedh dot fajin Stalinit, sepse “vijën e re” në bujqësi jo vetëm e ka formuluar, por edhe e ka udhëhequr vetë që nga dita kur mori fuqinë.

Megjithatë, edhe në këtë plenum Nikita ka: gjetur e po ndjek një rrugë tjetër: fajin e vijës së tij të gabuar ia hedh partisë dhe sekretarëve të republikave. Skandaloze! Kjo nuk është metodë pune marksiste! Hrushovi ndërhyn nga 15-20 herë në çdo diskutim dhe i bën paçavure sekretarët, kuadrot, partinë. Hrushovi është një shkatërrimtar i tmerrshëm i kuadrove e i partisë.

Ai vetëm kërcënon e diskrediton. Dhe plenumi – “qesh”, se s’mund të qajë, duartroket, dëgjon, ndërsa Hrushovi kritikon, gjëmon, mallkon, “udhëzon” e “drejton”.

Kjo që bën Hrushovi është një metodë pune e turpshme, antimarksiste, ajo e shkatërron partinë. Kur njerëzit gabojnë, duhen kritikuar, por rruga që ndjek Hrushovi është e paparë ndonjëherë. Ai e ka vënë plenumin nën këmbë, kurse veten e ka vënë në pozita të privilegjuara.

Askush s’mund ta kritikojë atë, as vijën e ndjekur prej tij dhe as metodën e tij të punës e të drejtimit në atë -panair- të madh që ka mbledhur në sallën e Sovjetit Suprem”. Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, në shënimet të mbajtura në ditarin e tij që mban datën 6 janar të vitit 1961, në të cilat duket qartë konflikti i acaruar në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe asaj të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, të kryesuar prej Nikita Hrushovit.

Konflikte të cilat e kishin zanafillën për vijën e re politike që po ndiqte kreu i Kremlinit në atë kohë dhe kryesisht procesi i destalinizimit të Bashkimit Sovjetik, që kishte nisur që me Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste Bolshevike, ku Hrushovi dhe mbështetësit e tij filluan të dënonin ‘kultin e individit’ të Josif Visarianoviç Stalinit. Lidhur me këto marrdhënie të acaruara në mes udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Moskës zyrtare, si dhe raportet që kishte asokohe Shqipëria komuniste me disa vënde të tjera të Europës Lindore, si Hungaria, Polonia, Bullgaria, Gjermania Lindore etj., dhe disa prej krerëve kryesorë të partive komuniste marksiste – leniniste të vëndeve Perëndimore, si Dolores Ibarruri e Spanjës, etj., na njohin këto dokumente arkivore të publikuara nga Memorie.al, ku ndodhen ditarët sekret të Enver Hoxhës.

Bashkë me ditarët sekret, Memorie.al publikon dhe disa foto të rralla të Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së, ku ata kanë dalë gjatë vizitave të tyre në Bashkimin Sovjetik dhe disa vënde të tjera komuniste të Evropës Lindore, si: Bullgari, Hungari, Çekosllovaki, Gjermaninë Lindore, etj.

Pjesë nga ditarët sekret të Enver Hoxhës, për periudhën: Janar- Shkurt 1961

E PREMTE

6 JANAR 1961

FILLUAN PRESIONET EKONOMIKE SOVJETIKE

Ambasada sovjetike në Tiranë na dorëzoi një notë të qeverisë sovjetike, me anën e së cilës na kërkohet të dërgojmë në Moskë një delegacion partie dhe qeverie të nivelit më të lartë për të zgjidhur “çështjet ekonomike” në marrëdhëniet midis të dy vendeve për periudhën 1961-1965. Një qëndrim i tillë i qeverisë sovjetike nuk është as i drejtë, as i rregullt dhe as në frymë miqësore.

Prej kohësh delegacioni ynë i nivelit më të lartë ka qenë në Moskë e atje kemi biseduar me palën sovjetike dhe bashkërisht kemi vendosur në parim gjithçka. Atëherë përse na kërkojnë të shkojmë përsëri për një problem tashmë të vendosur? E vërteta është se me anë të kësaj kërkese udhëheqja sovjetike na bën neve presion ekonomik e politik në prag të Kongresit tonë të IV-t. Ne s’duhet ta pranojmë dhe nuk do ta pranojmë propozimin e qeverisë sovjetike, i cili bie erë presion.

E ENJTE

12 JANAR 1961

TE DEMASKOHEN PRESIONET EKONOMIKO – POLITIKE TE SOVJETIKEVE

Bisedova me shokët Hysni dhe Ramiz, që të përgatitin një letër të Komitetit Qendror të PPSH-së për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në përgjigje të notës së qeverisë sovjetike për marrëdhëniet ekonomike midis të dy vendeve. Në letër të hidhen poshtë presionet ekonomike dhe politike që po u bën qeveria sovjetike Partisë dhe vendit tonë si dhe të demaskohen qëllimet e këqija që fshihen prapa këtyre presioneve.

E DIEL

15 JANAR 1961

HRUSHOVI — SHKATËRRIMTAR I KUADROVE DHE I PARTISË

Që prej pesë ditësh vazhdon punimet Plenumi Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Plenum i thënçin, pse ai ka marrë pamjen e një mitingu të madh kuadrosh. Atje po mbahen raporte nga të gjithë sekretarët e partisë të republikave sovjetike, nga të cilat del qartë se ka gabime shumë të rënda. në bujqësi. Por këtë herë Nikita s’ia hedh dot fajin Stalinit, sepse “vijën e re” në bujqësi jo vetëm e ka formuluar, por edhe e ka udhëhequr vetë që nga dita kur mori fuqinë.

Megjithatë, edhe në këtë plenum Nikita ka: gjetur e po ndjek një rrugë tjetër: fajin e vijës së tij të gabuar i’a hedh partisë dhe sekretarëve të republikave. Skandaloze! Kjo nuk është metodë pune marksiste! Hrushovi ndërhyn nga 15-20 herë në çdo diskutim dhe i bën paçavure sekretarët, kuadrot, partinë.

Hrushovi është një shkatërrimtar i tmerrshëm i kuadrove e i partisë. Ai vetëm kërcënon e diskrediton. Dhe plenumi – “qesh”, se s’mund të qajë, duartroket, dëgjon, ndërsa Hrushovi kritikon, gjëmon, mallkon, “udhëzon” e “drejton”.

Kjo që bën Hrushovi është një metodë pune e turpshme, antimarksiste, ajo e shkatërron partinë. Kur njerëzit gabojnë, duhen kritikuar, por rruga që ndjek Hrushovi është e paparë ndonjëherë. Ai e ka vënë plenumin nën këmbë, kurse veten e ka vënë në pozita të privilegjuara.

Askush s’mund ta kritikojë atë, as vijën e ndjekur prej tij dhe as metodën e tij të punës e të drejtimit në atë -panair- të madh që ka mbledhur në sallën e Sovjetit Suprem.

Si i duron Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik këto metoda antimarksiste e trockiste?! Si i duron Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik këto veprime të paligjshme, shkatërruese?! Të gjithë këta kuadro partie kanë përgjegjësi të rëndë përpara partisë së tyre dhe përpara komunizmit ndërkombëtar. Nikita Hrushovi ka shkelur çdo normë leniniste në punën me kuadrot, të cilët ai i frikëson dhe i nxit të japin dorëheqjen brenda vitit nga funksionet e tyre.

Të vënë përballë një gjendjeje të tillë diskredituese, këta njerëz, këta kuadro rrojnë dhe punojnë në ethe, nuk mund as të ndreqen në punë dhe as të nxjerrin mësime prej gabimeve të tyre. Kjo s’është politikë leniniste e kuadrit, përkundrazi, ky është shkatërrim i tyre, është konfuzion, pasiguri dhe sforcim jo vetëm për kuadrot, po për të gjitha problemet e partisë.

E MARTË

17 JANAR 1961

HODHËM POSHTË AKUZAT SHPIFARAKE TE ULBRIHTIT

I dorëzuam letrën e Komitetit tonë Qendror, Komitetit Qendror të Partisë Socialiste të Bashkuar Gjermane, në lidhje me shpifjet dhe akuzat që ka bërë kundër nesh Walter Ulbrihti në referatin e mbajtur në plenumin e 11-të të K.Q. mbi rezultatet e mbledhjes së partive komuniste e punëtore në Moskë. Ky referat, ku ne akuzohemi si “dogmatikë e sektarë”, u botua në shtypin e Republikës Demokratike Gjermane.

Në letrën tonë hidhen poshtë me vendosmëri akuzat pa baza të ngritura në referatin e Ulbrihtit dhe, midis të tjerash, thuhet se na çudit fakti që shoku Walter Ulbriht, megjithëse i kishte të gjitha mundësitë që në Mbledhjen e Moskës të shfaqte pikëpamjen e tij ndaj qëndrimit të Partisë së Punës të Shqipërisë në atë mbledhje, ai nuk tha asgjë dhe preferoi të zgjedhë një rrugë të dëmshme për të bërë akuza pa asnjë bazë kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj.

Në letrën tonë theksojmë, gjithashtu, se Walter Ulbrihti, jo vetëm që ka shtrembëruar qëndrimin e delegacionit të Partisë së Punës të Shqipërisë në Mbledhjen e Moskës, porse, duke vepruar në atë mënyrë, ne mendojmë se ai nuk i është përmbajtur Deklaratës së Moskës të vitit 1960.

E MËRKURË

18 JANAR 1961

KOMITETIT QENDROR TE P.K. TË B.S. IU DORËZUA PËRGJIGJJA JONË

Me anë të ambasadorit tonë në Moskë, shokut Nesti Nase, Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i’u dorëzua letra 1e Komitetit Qendror të Partisë sonë, në përgjigje të notës së qeverisë sovjetike disa ditë më parë mbi çështjen e marrëdhënieve ekonomike.

Letra jonë bën fjalë për presionin e paturpshëm që qeveria sovjetike po ushtron mbi Partinë dhe Qeverinë tonë, duke kërkuar që ne dërgojmë në Moskë një delegacion partie dhe qeverie të nivelit më të lartë, për të rregulluar çështjet e kredive sipas marrëveshjeve që janë vendosur dhe nënshkruar më parë nga delegacioni ynë i po atij niveli partie dhe qeverie. Ne i hedhim poshtë këto propozime, duke kërkuar njëkohësisht që të shkojë atje zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave dhe president i Komisionit të Planit të Shtetit, vetëm për të firmosur marrëveshjen mbi cleringun për vitet 1961-1965, që ka ngelur pa firmosur.

Çdo gjë tjetër në mes të dy palëve ka qenë rregulluar më parë. Në këtë letër ne e bëjmë të qartë se kërkesa që na vihet është kulmi i poshtërsisë që na bëhet nga ana e udhëheqjes sovjetike përpara Kongresit tonë të IV-t. Duke kërkuar që ne të vemi në Moskë, Hrushovi synon të na bëjë presione ekonomike dhe të na diktojë vullnetin e pikëpamjet e tij antimarksiste. Me fjalë të tjera, ai, me kërkesën që bën, do të thotë “ose Kongresi juaj i 4-t duhet të zhvillohet në harmoni të plotë me ato që do t’ju diktoj unë, ose marrëveshjet ekonomike që kemi nënshkruar më parë, nuk vlejnë më”.

Kështu, Kongresi ynë, sipas mendimit të këtij aventurieri dhe shantazhisti, nuk mund të bëhet. Po ne nuk trembemi nga kërcënimet e revizionistëve sovjetikë. Kongresin ne do ta bëjmë dhe do t’u japim një grusht të mirë politiko-ideologjik hrushovianëve.

E ENJTE

19 JANAR 1961

AUTOKRITIKË E IBARRURIT?

Mora një letër autograf prej Dolores Ibarrurit, Sekretare e Përgjithshme e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Spanjës së bashku me një ekzemplar të “Historisë së Partisë Komuniste të Spanjës”.

Letra, që është dorëzuar në ambasadën tonë në Moskë më datën 11 janar 1961, fillon me fjalët “I dashuri shoku Enver Hoxha…” dhe mby1let kështu: “Përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur juve ndjenjat e respektit më të thellë. Përshëndetje miqësore, Dolores Ibarruri”. Letra s’ka datë, por ajo mund të jetë shkruar prej saj pas Mbledhjes së Moskës, ku Ibarruri nga shokët spanjollë, ndofta duhet të kenë rilexuar fjalimin që mbajta në atë mbledhje, duhet të kenë reflektuar mbi ato që ngrija dhe të kenë arritur në konkluzione të drejta.

Mundet. Dhe, po të jetë kështu, a është kjo letër si autokritikë nga ana e Ibarrurit? Koha do ta sqarojë. Rëndësi ka që rruga jonë është e drejtë, marksiste-leniniste.

E PREMTE

20 JANAR 1961

HUNGAREZËT TREGOJNË SHENJA SOLIDARITETI

Shokët e Partisë Socialiste Punëtore të Hungarisë vazhdojnë të tregojnë më hapët solidaritetin e tyre me qëndrimin e drejtë të Partisë sonë: Dje qeveria hungareze na njoftoi se për pesëvjeçarin e tretë do të na japë falas mallra të konsumit të gjerë në një vleftë prej 15 milionë rublash. Disa ditë më parë, kryeministri Ferenc Mynih, në mes të tjerash, i tha ambasadorit tonë në Budapest, se ne respektojmë shumë Shqipërinë dhe udhëheqjen e saj, “udhëheqja juaj punon me temperament… temperamenti i saj është i nevojshëm”. Sot erdhi ambasadori i ri sovjetik në Shqipëri, J.V. Shikin. Bashkë me të erdhi edhe këshilltari i parë i ambasadës, që ka rangun e ministrit fuqiplotë.

E SHTUNË

21 JANAR 1961

SOVJETIKËT FILLUAN TË TËRHEQIN SPECIALISTËT E TYRE

Sot qeveria sovjetike, nëpërmjet një nëpunësi të GUES-it, njoftoi ministrin tonë të Industrisë, Adil Çarçanin, se tërheq 20-25 specialistët sovjetikë që punojnë në sektorin e naftës, nën pretekstin se “u mbaroi afati i qëndrimit”.

Afati i qëndrimit të këtyre specialistëve në Shqipëri vërtet mbaron, por ka katër muaj që nga ana jonë i është kërkuar zyrtarisht qeverisë sovjetike, që ky afat të zgjatet. Nëpunësi sovjetik i tha Adilit se brenda pesë ditëve, specialistët sovjetikë do të largohen nga Shqipëria. E njëjta gjë ngjet edhe me një grup teknikësh ushtarakë në bazën e Vlorës. Akoma pa mbaruar punën, për arsye se s’kanë ardhur materialet e nevojshme nga Bashkimi Sovjetik, ata u lajmëruan të largohen nga vendi ynë.

Këto veprime, të ndërmarra me urdhër të udhëheqjes sovjetike, tregojnë se po intensifikohen presionet armiqësore para Kongresit tonë. Prandaj është e nevojshme që çdo veprim të tyre armiqësor ne ta demaskojmë, ashtu si e meriton dhe të gjitha këto t’ua ngremë udhëheqësve sovjetikë me letër që ata të mbajnë përgjegjësinë për gjithçka po bëjnë në këtë drejtim.

E DIEL

JANAR 1961

NJË AMBASADOR TURIST

Behar Shtylla më raportoi se ambasadori i ri sovjetik në Shqipëri, J.V. Shikin, shkoi te shefi i protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për të përgatitur procedurën e paraqitjes së letër kredencialeve. Atje ai qëndroi gati dy orë dhe s’bisedoi veçse si turist, për kohën e bukur, për Dajtin, për gjahun.

VEPRIM ARMIQËSOR I QEVERISË POLAKE

Behari më raportoi, gjithashtu, se qeveria polake e ka deklaruar person të padëshirueshëm ambasadorin tonë në Poloni, Musin Kroin. Do të studiojmë masat që duhet të marrim edhe ne nga ana jonë me këtë rast. Më njoftuan se bisedimet e delegacionit tonë tregtar me delegacionin tregtar hungarez, shkuan shumë mirë, shumë ngrohtë dhe çdo gjë përfundoi si duhet.

E MARTË

24 JANAR 1961

VETËDEMASKIM I UDHËHEQJES SOVJETIKE NDAJ VENDIT TONË

Sot para dite ambasadori i ri sovjetik, J.V. Shikin, paraqiti letër kredencialet në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Fjala e mbajtur atje prej tij është shumë e keqe. As edhe një ambasador i vendeve perëndimore nuk ka mbajtur një fjalim aq të thatë dhe ofendues sa sovjetiku.

Kjo tregon edhe një herë qëndrimin jomiqësor të qeverisë sovjetike ndaj Partisë, Qeverisë dhe shtetit tonë. Përballë fjalimit të shokut Haxhi, që shprehte, ashtu siç e ndiejmë dhe e zbatojmë ne, shqiptarët, vijën e miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, një vijë internacionaliste, vëllazërore e komuniste, fjalimi i ambasadorit sovjetik është një vetëdemaskim për ta.

E PREMTE

27 JANAR 1961

LETËR, NGA NJË BOLSHEVIK I VJETËR

Dje mora një letër nga një bolshevik i vjetër sovjetik, anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që prej vitit 1919. Ai më shkruan nga Moska se “komunistët sovjetikë janë plotësisht dakord me gjithçka shtroi delegacioni i Partisë së Punës të Shqipërisë në Mbledhjen e Moskës” dhe njëkohësisht na falënderon për qëndrimin tonë të vendosur atje. Letra erdhi me postë dhe nënshkruhet nga Horoharem Mihail Vasilieviç, Prodolni Pereullok Nr. 3 Ap. 17 Moskë G. 314.

E HËNË

30 JANAR 1961

SHFAQJE E MEGALOMANISË SOVJETIKE

Sot ambasadori sovjetik, J.V. Shikin, bëri vizitën protokollare në Kryeministri. Në bisedën që pati me këtë rast shokët vunë re tek ai një qëndrim shumë të shpëlarë. Kjo është një taktikë e ndyrë nga ana e tyre. Në vend që të shtronte për bisedim çështjet që duheshin shtruar e për t’u dhënë atyre rrugëzgjidhje, ai kërkoi dhënien e “ndihmës protokollare”, për t’u njohur me vendin dhe me popullin tonë!

Qëndrimi i ambasadorit në këtë vizitë reflekton plotësisht megalomaninë e qeverisë sovjetike ndaj shtetit tonë. Ai tregon, gjithashtu, se udhëheqësit sovjetikë kanë vendosur të ecin në rrugën e presioneve, për të na detyruar ne të gjunjëzohemi përpara tyre e gabimeve të tyre të mëdha. Ata mendojnë se ne do të shkelim parimet për shkak të ndihmës ekonomike sovjetike.

Por gabohen, sepse mendojnë si revizionistë. Edhe kërkesa që bëri ambasadori i tyre, siç duket, ka për qëllim që, në kuadrin e qëndrimeve të qeverisë sovjetike, “të marrë kontakte” me popullin tonë në mënyrë revizioniste, ashtu siç përpiqej e vepronte paraardhësi i tij, Ivanovi. Sovjetikët gabojnë rëndë me qëndrimet e veprimet ndaj nesh dhe në rast se nuk ndërrojnë rrugë dhe taktikë, atëherë ata vetë do të demaskohen me gabimet që po bëjnë./Memorie.al

—————

Lexo edhe:

Ky është mjeku që përjetoi gjithçka, por kurrë s’u dorëzua

ObserverKult