Charles Aznavour: À ma fille – Bijës sime
E di se do të vijë dita, sepse kështu e do jeta,
dita, kur do ta kuptoj se ti do t’na braktisësh.
E di se do të vijë dita, kur i pikëlluar dhe i vetmuar,
derisa e mbaj nënën tënde për krahu dhe zvarris këmbët
do të kthehem në shtëpinë tonë të zbrazët,
do të kthehem aty, ku ti nuk do të jesh më.
Ti s’do të shohësh brendësinë e zemrës sime,
sytë do të t’verbohen nga gëzimi e lumturia.
Një zgërdhirje që ti s’e njeh, do të përshkojë fytyrën time,
që do të duket si një e qeshur e heshtur, por s’do t’jetë e tillë.
Duke e ndrydhur dhimbjen, me krenari pranë teje
do t’u prij hapave të tu, pavarësisht se ç’them e ç’mendoj,
në ceremoninë, në një kishë të qetë
për të të dhuruar te burri që ke për të zgjedhur,
i cili do të ta heqë mbiemrin tonë
për të ta dhënë një tjetër, që unë nuk e njoh.
E di se do të vijë dita, kur do t’arrish atë moshë,
kur thyen kafazin dhe gjen rrugën tënde.
E di se do t’vijë ajo ditë, kur mosha do t’lulëzojë
dhe agu i jetës tënde do të nisë dikund tjetër.
E unë me nënën tënde, të vetmuar,
si në verë ashtu dhe në dimër do t’kemi pak acar.
E ai, që nuk di gjë për mundin që kemi bërë,
ai, i cili s’ka bërë gjë për të përmbushur vitet tua,
ai, i cili do të vijë e të rrëmbejë atë, që më dhimbset më së shumti:
Pjesën e së kaluarës sonë, të lumtursë sonë.
Ky i huaj pa emër e pa fytyrë…
Oh! Sa shumë që e urrej!
E megjithatë, nëse ty të bën të lumtur,
s’do të ndjej aspak urrejtjeje ndaj tij,
por do t’ia ofroj zemrën së bashku me dorën tënde.
Do ta bëj këtë duke e ditur se ti e do.
Do ta bëj këtë, sepse të dua
Ditën kur ai të vijë…
Përktheu Shpresë Tafaj
ObserverKult
Kliko edhe: