Charles Aznavour: La bohème (teksti në shqip dhe kënga)

“La Bohème” (lah boh-ehm ose la bɔɛm) është kënga më e famshme e këngëtarit francezo-armen Charles Aznavour. E regjistruar në vitin 1965, kënga u shkrua nga Aznavour dhe tekstshkruesi francez Jacques Plante.

La Bohème është këngë e zhanrit Chanson. Muzika Chanson (shanson) i referohet epokave të ndryshme të këngës franceze. Nga këndimi monofonik i Mesjetës, deri te këndimi polifonik i Rilindjes.

Muzika moderne Chanson lidh muzikën kabare të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Paris me muzikën bashkëkohore pop. Çdo përsëritje e Chanson ofron karakteristika dalluese.

“La Bohème”, Aznavour e këndon në rolin e një piktori që kujton ditët e vjetra bohemiane në Montmartre, kur ishte i ri dhe i lumtur, ndonëse i varfër.

Montmartre njihet si lagja e artistëve në Paris.

Në vazhdim po ju sjellim tekstin e këngës “La Bohème” të përkthyer në shqip:

Ju flas për atë kohë
Që për ata nën njëzet vjet
Është e panjohur

Montmartre, asokohe
I tëri me lejla t’lulëzuara
Deri nën dritaret tona

Kjo thjeshtësi e stolisur
Që na shërbente si fole
Nuk t’mbushte syrin

Ja këtu u njohëm
Unë i uritur vuaja
Ti e zhveshur pozoje

La bohème, la bohème
Do t’thoshte “jemi t’lumtur”
La bohème, la bohème
Hanim çdo t’dytën ditë

N’kafenetë fqinje
Ishim disa
Që prisnim lavdinë

Ani se t’mjerueshëm
Barkun bosh
Nuk humbnim shpresën

Dhe kur ndonjë gjelltore
Na blente ndonjë pikturë
Për një pjatë t’ngrohtë
Recitonim vargje
Grumbull përreth oxhakut
Dhe harronim dimrin

La bohème, la bohème
Do t’thoshte “ti je e bukur”
La bohème, la bohème
Ne kishim gjithë talent

Nganjëherë m’ndodhte
Përpara pikturës sime
T’kaloja net pa gjumë

T’riprekja vizatimet
Ndonjë linjë t’gjoksit
Deri vija tek vithet

Dhe vetëm n’ag
Uleshim më n’fund
Para një café-crème

T’rraskapitur por t’ekzaltuar
A duhej t’duheshim?
E ta donim jetën…

La bohème, la bohème
Do t’thoshtee “kishim njëzet vjet”
La bohème, la bohème
Dhe shijonim çastin e jetës

Kur rastësisht një ditë
Shkova për një xhiro
N’adresën e vjetër
Nuk njoh më
As muret, as rrugët
Që rininë time panë

Lart n’majë t’shkallëve
Kërkoj dhomën e punës
Ku s’ka mbetur asgjë
N’dekorin e saj t’ri
Montmartre duket i trishtuar
Dhe lejlat janë tharë

La bohème, la bohème
Ishim t’rinj,
Ishim t’shfrenuar
La bohème, la bohème
Nuk do t’thotë më asgjë

Përktheu: Çlirim Lazaj

Përgatitit: ObserverKult

Lexo edhe:

ARDIT GJEBREA: MË ERDHE NË NJË KOHË TË DËSHPËRUAR…JON (TEKSTI DHE KËNGA)