Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij, e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro.
Bukowski është një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit të XX, një prej atyre për të cilët mund të thuhet me plot gojën se të shkruarit dhe arti përkojnë ose janë plotësisht në përputhje me jetën.
Për Bukowskin, të shkruarit nënkuptonte hedhja në letër e jetës pa pretendime stilistike, madje jo rrallë i ngacmonte ashpër kolegët që përdornin stilin ose historinë për të joshur lexuesin, duke treguar për gjëra që nuk i kishin përjetuar ose dinin fare pak, apo duke shkruar në një mënyrë të largët nga mënyra sesi realiteti mund të ndodhte ose të përjetohej nga një individ mesatar.
Bukowski tregoi se ishte gjithmonë i vetëdijshëm për kufijtë dhe virtytet e tij si shkrimtar, si dhe për mënyrën e guximshme dhe të egër (por, shpesh ironike) në të cilën, ai trajton tema të caktuara, duke i diskutuar hapur këto aspekte me bashkëbiseduesit e vet dhe duke treguar qysh në fillim, një pamje të jashtëzakonshme reflektimi ndërgjegjësimi dhe pjekurie artistike, pavarësisht nga ajo që shumëkush nxitet të mendojë, duke u fokusuar vetëm në qëndrimet, mënyrën e paraqitjes dhe stilin e shthurur të jetesës së tij.
Ashtu si të shkruarit e tij imagjinar, edhe letrat e Bukowskit janë autentike dhe të guximshme; në to stili i shkujdesur dhe vulgar, si në tregimet e tij, nuk është kurrë qëllim në vetvete, por gjithmonë funksional për përmbajtjen që duhet përcjellë.
Sa i përket poezive, ato vlerësohen jo si objekte artefakte individuale, por si kapituj në vijimësinë e rrëfimit të aventurave të tij të vërteta, si një libër komik ose një serial filmi. Ato janë fort narrative. Vargu i lirë i Bukowskit përmban një seri fjalish deklarative të ndara në një kolonë të gjatë, të ngushtë, rreshtat e shkurtër që të japin përshtypjen e shpejtësisë dhe rezistencës edhe kur gjuha është sentimentale ose klishe.
Ky është poeti që Bukowski e adhuronte
Robinson Jeffers ishte një nga poetët e njohur amerikanë të shekullit XX, madje më 4 prill 1932, revista “Time” i dedikoi hapësirën e kopertinës.
Në vitin 1969, Mary de Rachewiltz, e bija e Ezra Pound, përktheu një libër me poezi të Jeffers. Në atdheun e tij famës së Jeffers i ishte hedhur velloja e harrimit: ai nuk ishte një poet që qetëson, i cili shkruan vargje për të dekoruar fatin në pushime. Robinson Jeffers, një njeri që ka zgjedhur të jetojë një jetë të bjerrë, në shkretëtirën e vetvetes, në shkëlqimin e ashpërsisë, konsiderohet poet i pakëndshëm.
Shpesh i nderuar, Robinson Jeffers është një poet për t’u mbajtur i fshehur, për ta lexuar nën qetësinë e kurorës së pemëve, thojnë shumica e kritikëve. Charles Bukowski, për çudi e adhuronte: “Ai më frymëzoi shumë. Unë e adhuroja egërsinë e tij të vrazhdë në vargje… Jeffers është perëndia im… nuk i honepste burrat, mendonte se jeta njerëzore ishte e tmerrshme, si mund të mos e adhuroja?”
Thëniet “e pavdekshme” të Bukowskit për dashurinë
Charles Bukowski ka që i njohur edhe për thëniet e tij të shumta, të cilat janë mjaft të përhapura në internet dhe në të gjitha gjuhët e botës.
Në vazhdim do të keni mundësinë të lexoni disa nga thëniet më të bukura të Charles Bukowskit për dashurinë:
“Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin”.
“Një nga ndjesitë më të bukura në botë është kur përqafon dikë dhe ai person të shtrëngon akoma më fort mbrapsht”.
“Unë nuk kam nevojë për dikë që të më përsërisë vazhdimisht se do të jetë atys, se nuk do të më lëshojë, apo se nuk do të më tradhëtojë kurrë. Më mjafton dikush që në të gjitha rastet që të më dërgojë në djall, sërish të rikthehet tek unë”.
“Shpreheni atë që ndjeni, mos kini frikë nga pasojat, sepse koha nuk fal asnjë. Dashuroni, urreni, shpreheni çdo emocion të fortë që po përjetoni. Njerëzit janë spektakli më i bukur në botë, dhe për të cilin nuk paguhet ndonjë biletë”.
“Mua më pëlqejnë personat e hutuar, ata që sapo i përqafon duken të plotë, ndërkohë që më parë të dukeshin të thyer në mijëra copëza”.
“Mund të them se dashuria është si alkooli. E provon një herë, të trullos kokën, por sërish do një gotë tjetër, një tjetër, e kështu me radhë, të bën të ndihesh keq, aq keq sa nuk do ta provosh më. Por, më vonë, që me gotën e parë do të tundohesh dhe nuk do të thuash dot “Jo””.
“Asnjë marrëdhënie nuk është një humbje kohe: nëse personi tjetër nuk të ka dhënë atë që kërkoje, dije se të ka mësuar gjënë për të cilën kishe vërtet nevojë”.
E përgatiti: V. K. -ObserverKult
Lexo edhe: