Che Guevara, mes mitit dhe të vërtetave

Vështirë të gjendet një tjetër personalitet kaq kompleks dhe kaq kontradiktor i shekullit të XX, si ai i Ernesto Che Guevarës, të cilin revista “The Times”, e fut ndër 100 figurat më me ndikim të shekullit të kaluar.

Nga Spartak Topollaj

Ernesto Che Guevara u lind në Rosario, Santa Fe-Argjentinë, më 14 qershor 1928 dhe vdiq i ekzekutuar në La Higuera, Vallegrande – Bolivi, më 9 tetor 1967. Familja e tij gëzonte pasuri të konsiderueshme. Babai, Ernesto Guevara Lynch, me origjinë spanjollo-irlandeze, ishte një inxhinier i njohur, saktësisht arkitekt, por që u kthye në pronar plantacionesh, ndërsa e ëma, Celia de la Serna y Llosa ishte një intelektuale poliglote, militante politike e lëvizjeve feministe. Che kishte dy motra dhe dy vëllezër, si dhe u martua dy herë zyrtarisht. Së pari me Hilda Gadea Akosta (1955-1959), revolucionare e majtë peruane, me lidhje e njohje të forta politike, diplomuar për ekonomi dhe së dyti me Aleida March (1959-1967), luftëtare kastriste kubane. Ai pati pesë fëmijë, një vajzë, e quajtur edhe ajo Hilda, me gruan e parë, saktësisht Hilda Beatriz “Hildita” Guevara Gadea (L.1956-V.1995) dhe katër të tjerë me Aleidën, dy djem dhe dy vajza, të cilët jetojnë edhe aktualisht: Aleida lindur më 1960, Camillo lindur më 1962, Celia lindur më 1963 dhe Ernesto lindur më 1965.

Che Guevara, ndoshta me dëshirën e babait, i nisi studimet e larta më 1948 në një tjetër fakultet, por shpejt ndërroi, mendje edhe iu përkushtua mjekësisë, në Universitetin e Buenos Airesit, ku pas një ndërprerjeje, diplomohet në korrik të 1953, duke pasur idhull Njutonin në fizikë dhe Pastërin në biologji. Me një shpirt aventurier e rebel, pa ndonjë shkak të qenësishëm, në këtë periudhë të jetës, Che na kujton në një farë mënyre Xhejms Dinin, në filmin hollivudian me të njëjtin titull, pra “Rebel pa shkak”, që falë “RAI”-t, në fillim të viteve ’70-të, e kemi parë si pjesë e një cikli me katër filma, quajtur “Rebelët e së djeshmes”. Kështu, më 1951, ai nisi të parën aventurë të madhe, teksa guxoi, të ndërmarrë një udhëtim të gjatë 4.500 km nëpër vendet e Amerikës Latine, me një biçikletë të modifikuar si motor së bashku me mikun e tij Alberto Granada (në një tjetër version, më të besueshëm, thuhet se udhëtuan me një “Norton” 500 Ç). Inkursioni i dytë me mikun Calica Ferrer u bë një vit më vonë më 1952, kësaj here me një motor italian, “Garelli” dhe ishte 8000 km i gjatë. Vendi i parë ku qëndroi më shumë ishte Guatemala, pasi iu dukën interesante dhe i pëlqyen reformat e presidentit të majtë, Jakobo Arbenz Guzman. Këtu lidhi kontaktet e para me revolucionarë kubanë të lëvizjes së 26 korrikut 1953, që kishin sulmuar pa sukses kazermat Monkada në Santjago de Cuba. Po në këtë kohë, njihet dhe miqësohet me Helena Leiva de Holst (1897-1978), revolucionare e brumosur me ide marksiste në Bashkimin Sovjetik stalinian dhe Kinën e Maos, por kurrë nuk u mësua se deri ku shkoi miqësia e tyre!

Pas disa kohësh, ai u njoh e u miqësua me një tjetër femër, që më pas do të bëhej bashkëshortja e parë e tij, Hilda Akosta Gadea, e cila kish mbërritur deri sekretare për Ekonominë e Partisë Komuniste. Më 1952, me mbështetjen e diktatorit nikaraguan Somoza, atij dominikan Trujillo dhe atij venezuelan Jimenez, Presidenti Truman autorizoi Operacionin ‘PBFORTUNE’, që u pasua në gusht të 1953 nga Operacioni ‘PBSUÇESS’, i autorizuar nga Presidenti pas tij, Ajzenhauer. Ndërkohë, më 18 maj të 1954, në Guatemala kish mbërritur me anije një kamion i rëndë “Skoda”, ngarkuar plot me armë çeke. SHBA nuk mund të rrinte indiferente, aq më tepër, që këtu ishin në lojë interesat e prekura nga reformat të gjigandit “Unitet Fruit” me aksionerë kryesorë vëllezërit Dalles, njëri sekretar shteti dhe tjetri drejtor i CIA-s! Në këtë mënyrë, amerikanët nxitën dhe frymëzuan rebelimin anti-Guzman, që filloi më 18 qershor, duke organizuar një detashment special prej 480 trupash të mirëstërvitura, të udhëhequra nga Karlos Kamillo Armas, gjë që e detyroi Guzmanin të japë dorëheqjen, duke kërkuar strehim politik në Ambasadën Meksikane, për t’ia lënë pushtetin Armasit, deri ditën që ky i fundit u vra nga një pjesëtar i Gardës së tij Personale (Romeo Vasquez) më 26 korrik 1957. Che kërkon të luftojë, por zhgënjehet prej revolucionarëve vendas, të rënë në dëshpërim e të tërhequr pas humbjes, ndaj dhe vendos të kthehet në Argjentinë, për të vazhduar studimet e lëna në mes. Hilda ishte arrestuar dhe vetë Che, shpëton duke u strehuar në Konsullatën Argjentinase, ku qëndron deri sa siguron një leje për t’u larguar dhe ndërron papritmas destinacion, duke mbërritur në Nju Meksiko më 21 shtator 1954! Për një farë kohe punësohet në një spital dhe njëkohësisht bën edhe fotoreporterin për “Latina News Agency”. Rilidhet me revolucionarët kubanë, njohur që në Guatemalë, si Lopez, që e prezantoi me Raul Kastron (Qershor 1955), i cili pas pak kohe e njohu edhe me vëllain e madh Fidel Kastro Ruz, që po bënte emër si avokat me bindje të majta. Biografi i të dyve, Simon Reid Henry pohon se ato që i lidhën ngushtë Che me Fidelin ishin idetë revolucionare, madje ishte ky i fundit, që i kërkoi Che, t’iu bashkohej atyre në luftën guerile kundër regjimit të diktatorit proamerikan Fulgencio Batista. Ai pranoi menjëherë dhe u vetofrua të bëjë mjekun e luftës, por në të vërtetë, më mirë se mjekun, si tregoi koha më vonë, ai bëri guerilasin e pamëshirshëm nën komandën e gjeneral Alberto Bajos, luftëtar i vjetër republikan spanjoll. Kastro në rininë e tij qe pjesë e Partisë Popullore Kubane të Eduardo Shibas, i vetëvrarë publikisht në mënyrë të pakuptimtë para mikrofonit të radios në shenjë proteste!

I porsa martuar me Hildën në Nju Meksiko (shtator 1955), Che i bashkohet grupit prej 82 luftëtarësh, që më 25 nëntor, të hipur në anijen Granma u nisën nga Meksika dhe zbarkuan në Kubë. Forcat qeveritare i pikasën dhe i shpartalluan, pasi 60 prej guerilasve u vranë apo u ekzekutuan pasi u kapën. Ata 22 që shpëtuan, të ndarë në dy grupe morën pyjet në Vargmalet Sierra Maestra, ku gjetën mbështetje në fshatrat e zonës nga njerëzit e Frank Pais. Për fatin e Kastros dhe njerëzve të tij s’dihej gjë deri në fillimin e 1957, kohë kur edhe dha një intervistë të gjatë për Herbert Matthews i gazetës “The New York Times”. Fitoret e para, edhe pse të vogla ishin ato të janarit 1957, ndërsa në mars ata sulmuan Presidencën dhe Radion Qendrore, ku mbeti i vrarë drejtuesi i tyre Jose Antonio Echeverria. Në korrik u vra në Santjago de Cuba dhe drejtuesi i njësive të Sierra Maestras, Frank Pais. Che ndërkohë u rrit shpejt në përgjegjësi dhe vetë Fideli e vuri në krye të Kolonës së Katërt, apo si njihej ndryshe Armata e Dytë. Edhe pse do i kthehemi më gjerë kësaj teme, këtu është rasti të paraqesim një tjetër Che, të pamëshirshëm, të egër dhe brutal, ndaj atyre që për dyshimin më të vogël si tradhtarë, spiunë, apo thjeshtë dezertorë, ai vetë, apo me urdhër të tij u ekzekutuan! Shembulli më sinjifikativ ishte ekzekutimi i Eutimio Guerra-s, personalisht nga Che! Duke imituar CIA-n, e cila kish ngritur një radiostacion antiqeveritar në pyjet malore të Guatemalës, që luajti rol të rëndësishëm në rrëzimin e Presidentit Guzman, Che ngriti në Sierra Maestra radion “Rebelde”.

Në mars të 1958, kur forcat qeveritare filluan torturimin dhe ekzekutimin e të burgosurve, apo të kapurve rob, SHBA ndërprenë furnizimin me armë të regjimit të Batistës. Tani forcat kastriste marrin zemër dhe zhvillojnë disa beteja të mëdha si ajo e Las Mercedes në korrik, ku u shpartalluan 1500 ushtarë të gjeneralit Kantilo dhe më kryesorja ajo e Santa Klarës, që i hapi rrugën sulmit final mbi Havana, pas një marshimi cfilitës shtatë javor. Këtu shkëlqeu taktika e Che “sulmo dhe ik”, vlerësuar më vonë edhe nga eksperti i njohur ushtarak, majori amerikan, Lerri Bokman. Diktatori Batista arratiset për në Republikën Dominikane duke u gdhirë 1 janari i vitit 1959, madje thuhet bashkë me 300 milionë dollarë të grabitura, çka i mundësoi njësive të mëdha guerilase të komanduara nga Che, të hyjnë në kryeqytet të nesërmen, pra më datën 2 Janar 1959, ndërsa Fideli pritet me madhështi nga kubanezët një javë më pas, saktësisht më 8 janar 1959. Në luftën dyvjeçare dhanë jetën rreth 2000 luftëtarë. Në mes të janarit, Che pëson një atak të rëndë, si astmatik kronik që ishte dhe qëndron në një vilë pushimi në Tarara, ku bën dhe një muaj të dytë mjalti, por jo me Hildën, e cila tani që revolucioni fitoi, qe kthyer në Kubë për t’u ribashkuar me Che-në. Ai kish kohë që bashkëjetonte me Aleida March (lindur më 1936), një guerilase që i përkiste lëvizjes së 26 korrikut dhe pa i thënë asgjë Hildës, përgatit dhe realizon divorcin me të, më 22 maj, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 2 qershor formalizon martesën e re me Aleidën.

E zhgënjyer thellësisht, Hilda ra në dëshpërim të thellë, me një shëndet që sa vinte dhe përkeqësohej, deri sa edhe ndërroi jetë, kur sapo kish mbushur 48 vjeçe (1925-1974). Pasi e kaloi krizën astmatike, bëri muajin e mjaltit dhe pushoi disa javë, Che, duke befasuar të gjithë, mësohet t’i ketë kërkuar Fidelit ta emëronte në krye të Burgut Fortesë “Kabanja”, gjë të cilën ai e kish miratuar menjëherë, madje që me 2 janar, pa ardhur ende në Havanën e braktisur nga Batista. Në këtë funksion Che ndenji deri më 12 qershor, e kjo ndoshta mbetet njolla më e errët në biografinë tashmë paradoksale, plot enigma dhe kapërcime ekstreme të Che, por edhe për këtë, do të kemi rastin të shprehemi më pas, kur të thellohemi në analizën e këtij personaliteti kontravers, që s’i shpëton dot përcaktimit si një anarko-terrorist i së majtës ekstreme revolucionare. U kombinuan nga fitimtarët gjyqe të ngjashme me atë të Nyrembergut dhe gjyqe popullore, ku jeta apo vdekja vendosej nga një ‘Si’ ose ‘No’ e turmës. Më pas Che u mor me reformat, sidomos atë Agrare, që shtetëzoi tokën dhe shpejt u vu në krye edhe të dikasterit të Industrisë. Ka marrë kuptim gati anekdotik, emërimi i tij edhe në krye të Bankës Qendrore, kur Fideli, në një mbledhje me drejtuesit kryesorë, befas lëshoi pyetjen për pjesëmarrësit se kush prej tyre ndihej ekonomist i mirë. Che nuk priti aspak dhe u përgjigj: “Unë”. Fideli, në çast e emëroi guvernator të bankës. Che, fjalën ekonomist i mirë e kish dëgjuar gabim, pasi iu duk se pyetja ishte, se kush ndihej komunist i mirë.

Fideli, që në fillim mbajti vetë vetëm titullin komandant, vuri në krye të shtetit si president Manuel Urrutia Lleo-n (1901-1981) dhe kryeministër Jose Miro Kardona-n (1902-1974), personalitete liberalë demokratë, por që shpejt i shkarkoi të dy. Të parin e zëvendësoi pas gjashtë muajsh me dr. Osvaldo Dortikos Torrado (1919-1983, i vetëvrarë, pas 17 vitesh president dhe 6 vitesh guvernator i bankës), kurse të dytin, vetëm pas gjashtë javësh, duke u bërë vetë edhe kryeministër. Urrutia emigroi në SHBA dhe Kardona në Porto Riko, deri sa vdiqën. Tani Fideli, komandant suprem, çuditërisht i vetëgraduar major, i beson Che një sërë turesh diplomatike, i pari nga të cilët nis më 12 qershor 1959 nëpër 14 vende të Paktit të Bandungut, përfshi Japoninë dhe Indonezinë, ku edhe u prit respektivisht nga perandori Hiro Hito e presidenti Ahmed Sukarno. Të tilla ture, ai i ndërmori në Europë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, ku mori pjesë dhe foli edhe në Konferenca Ndërkombëtare, si në Punta del Este të Uruguait, Algjer, Gjenevë, apo edhe në sallën plenare të Pallatit të Qelqtë, të Asamblesë së Përgjithshme, në Nju Jork. Të dyja këto të fundit në OKB (25 mars, e 11 dhjetor 1964-ës ku dhe iu bë një atentat i dështuar prej kundërrevolucionarëve kubanë).
Che vizitoi Bashkimin Sovjetik të paktën tri herë, Kinën, Indinë, Egjiptin e vende të tjera në të katër kontinentet, duke u takuar me Maon, Nehruin, Hrushovin, Naserin, Titon, Ho Shi Minin, Kim ir Senin dhe shumë lider të tjerë, deri dhe Mehmet Shehun në Tiranë, për të cilin do zgjatemi më pas, për shkak të diskutimit që ka ngjallur kjo vizitë dhe ky takim në këto gati 30 vite.

Pas një turi të ri në Afrikë, Che kthehet më 14 mars 1965 në Kubë dhe e gdhin natën me Fidelin, ku diskutojnë për projektin guevarist të eksportimit të revolucionit, por çuditërisht nuk shfaqet në publik. Ngjarje të rëndësishme, që nuk mund të mos përmenden, kanë ndodhur më parë. Kështu kemi rebelimin e parë popullor antikastrist në Camaguey, korrik 1959, për të cilin Kastro fajësoi liderin Huber Matos Benitez (1918-2014), lider e shkrimtar i shquar, që pas kundërshtimit të fortë për reformat dhe shkarkimin e presidentit Urrutia, (i dërgoi edhe dy letra Fidelit), pati kontradikta të ashpra me Raul Kastron dhe Che, u arrestua dhe u dënua me vdekje, nga e cila e shpëtoi po vetë Fideli, ngaqë nuk dëshironte ta kthente në martir këtë disident, duke e burgosur plot 20 vjet (1959-1979), Për më tepër, pas “dëshmive” të Raulit dhe Che në gjyq, për shtatë orë rresht dëshmoi edhe vetë Fideli! Interesant mbetet fakti se, arrestimin e tij e bëri një 27-vjeçar, komandanti i shquar Camilo Cienfuegos, një lloj kaçaku e kaubojsi ekstremist, i cili gjatë kthimit për në Havana, humbi jetën në një aksident ajror me Cesna, ende të pa sqaruar deri në fund. Matos u akuzua edhe si agjent i CIA-s, për tradhti të lartë bashkë me Pedro Luis Diaz Lanz në ngjarjet e Gjirit të Derrave ose Plazhit Zhiron (kur zbarkuan 1400 forca invaduese dhe Che komandon me sukses operacionin kundër zbarkuesve) etj.


Ai u burgos në fillim në Burgun Isla de la Juventud (ku qe burgosur dikur Fideli) dhe më pas në Kabanja. Pas burgut të gjatë e të rëndë plot dy dekada, emigroi në SHBA, ku edhe vdiq në moshën 96-vjeçare. Diktatori dominikanas Truhijo ofron asistencë për Legjionin Antikomunist të Karaibeve, plot me kundërrevolucionarë kubanë e të huaj. I kësaj kohe (4 mars 1960), është edhe eksplozioni në portin e Havanës i fregatës franceze 4310-tonëshe, “La Coubre” ngarkuar me municion belg në Portin Antverp, që shkaktoi rreth 100 të vrarë e gati 200 të plagosur, ku Che ndihmon pa u kursyer për të shpëtuar jetë njerëzore në drejtim të operacionit. Ndër të akuzuarit kryesorë për masakrën ishte dhe amerikani William Aleksandër Morgan, që arrestohet gjashtë muaj më pas, gjykohet dhe ekzekutohet. Më 3 janar 1961, SHBA presin marrëdhëniet diplomatike me Kubën dhe më 3 shkurt 1962 shpallin embargon ndaj saj. Kriza mbërrin kulmin në tetor të po këtij viti, me zbythjen e turpshme të Hrushovit, që tërhoqi raketat balistike bërthamore sovjetike nga Kuba, të cilat rrezikonin një luftë botërore atomike, çka shënoi një fitore të madhe të Kenedit.

Me interes është edhe raporti i Che me Haydee Tamara Bunke Bider, e njohur më shumë me emrin Tanja Guerrilierja, lindur më 1937, bijë e një komunisti gjerman, Erich Bunker dhe ruso-polakes Judia Nadia Bider, të ardhur në Argjentinë më 1935 pas përndjekjes nga nazistët (mund të ishin me origjinë hebreje). Ata u takuan dhe u miqësuan në Republikën Demokratike Germane, gjatë një vizite të Che aty, ku ajo bëri dhe përkthyesen e tij në gjermanisht. Tanja i bashkëngjitet atij në aventurën e ndërmarrë për eksportimin e revolucionit dhe vritet duke luftuar më 31 gusht 1967 në Vallegrande, vetëm 40 ditë para se të dorëzohej i plagosur, e më pas të ekzekutohej edhe vetë Che.

Më 1 prill 1965, Che i bën një letër lamtumire Fidelit. Këtu ka dy pika të errëta. E para, ato që ai i shkruan në letër, pati mbi dy javë kohë t’ia thoshte personalisht me gojë Kastros dhe e dyta, si mund të shpjegohet që Fideli e bëri publike letrën vetëm pas gjashtë muajsh, saktësisht më 3 tetor, gjatë punimeve të Kongresit Themelues të Partisë Komuniste të Kubës!? E lexuar me vëmendje, në disa pika, ajo na kujton letrën e lamtumirës që Mehmet Shehu la për Enverin, para se ta vetëvritnin, në mesnatën e errët të 17-18 dhjetorit 1981, e natyrisht kjo thjesht është vetëm një koinçidencë.

Tani Che ka marrë vendimin t’i hyjë një aventure të re dhe mjaft të rrezikshme, duke u nisur drejt Kongos, në pamje dhe në dokumente transformuar mjeshtërisht nën emrin Ramon Benitez, me idenë dhe bindjen e palëkundur, se rruga Kubane do të ishte e suksesshme edhe në Kongon Belge postkoloniale (Zaire) të trazuar, aq më tepër që ajo ziente nga konfliktet mes palëve, ku nga një anë kishin qenë Lumumba (i vrarë më 1961) dhe Gizenga, e nga ana tjetër, Tshombe, Mobutu e Kasa-Vubu. Ai mbërrin atje në krye të një grupi miks kubano-afrikan në 24 prill 1965 dhe merr kontaktet e para me rebelë gjysmë komunistë të tipit Kabila (i cili u instruktua më vonë edhe nga ushtarakë shqiptarë në Tiranë), por shpejt u zhgënjye prej tij dhe nuk ia doli dot me forcat e Mobutus, këtij diktatori delirant e paranojak të pakrahasueshëm, abuzues super i korruptuar i pushtetit dhe financave, kleptokrat e nepotist! I quajtur që kur lindi me emrin Zhozef Desire Mobutu, ai u mbiquajt plot mburrje Mobutu Sese Seko Nkuku Ngbendu Wa Za Banga, që mund ta shqipërojmë si Luftëtar i Plotfuqishëm, Këmbëngulës i Pandalshëm nga Fitorja në Fitore, që mbrapa lë vetëm zjarr! Kështu Che, pasi dështoi me sukses të plotë, i dërgon nga Afrika nën pseudonimin Tatu, një letër të dytë plot pesimizëm Kastros.

Nga përgjigjja e tij kuptohet se Fideli nuk ka predispozitë të investohet, apo të vazhdojë t’i dërgojë ndihma, madje del qartë se ai është për kthimin e tij. Kështu, më 21 nëntor, me kokën ulur, largohet nga Kongo, si e pranon edhe vetë në ditar… “Pas një historie të mbyllur me dështim…”, e nga Dar Es Salaam i Tanzanisë (ku bëri një tentativë të fundit, pa mundur t’i bindë, për projektin luftarak të tij në Afrikë, përfaqësues të FRELIMO-s, Lëvizja për Pavarësi e Mozambikut, siç dëshmoi më vonë në Havana, Major Juan Almeida, në rolin e Ministrit të Forcave të Armatosura), Che udhëton në klandestinitet për në Pragë e më pas edhe në disa vende të tjera. Këtu ka disa pika të errëta, ku shkoi dhe kë takoi, por një gjë është e sigurt; ai pati një takim në fshehtësi të plotë me ish- presidentin argjentinas, Juan Peron (që jetonte në Spanjën frankiste), i cili e quajti vetëvrasje planin utopik të Che, nga i cili duhej hequr dorë menjëherë. Por koha tregoi se Che nuk i konsideroi këshillat e urta të tij dhe u nis në rrugën pa kthim drejt fundit të pashmangshëm, ndaj dhe i hipi avionit për t’u kthyer fshehurazi në Kubë, në dhjetor të 1965-ës. Kjo qe edhe hera e fundit e pranisë së tij në ishull, ndërsa ende mbetet e errët, nëse ai e takoi, apo jo Fidel Kastron.

I sapo kthyer në Kubë, pas dësh timit dhe zhgënjimit afrikan, ku kish marrë dizenterinë dhe pati kaluar një tjetër krizë akute të astmës kronike, Che përgatitet moralisht dhe materialisht për misionin, apo aventurën e fundit. Me bindjen e palëkundur se në një vend latino-amerikan mund të përsëriste suksesin e revolucionit kuban, zgjodhi Bolivinë e diktatorit Rene Barrientos Ortunjo, si vendin ku mund të realizonte ëndrrën delirante të tij. I maskuar në mënyrë të përkryer, duke u paraqitur si një biznesmen, me dokumente false nën emrin Adolfo Mena Gonzales, Che mes 3 dhe 4 nëntorit 1966 mbërrin nga Montevideo në La Paz, ku nuk vonon dhe merr kontakt me kreun e Partisë Komuniste Boliviane, Mario Molina Monje, më 31 dhjetor 1966. Të përçarë në disa rryma, udhëheqësit komunistë bolivianë nuk është se e mirëpritën atë për të mos thënë që s’u morën vesh për asgjë, madje Che, pak më vonë i klasifikoi edhe si tradhtarë ata. Kështu Che Guevara, po i hynte detit me këmbë, si i themi ne shqiptarët. Në krye të 58 vetëve, (29 bolivianë, 25 kubanë, 3 peruanë dhe Tanja) mori malet dhe pyjet në Kordiliere (Ande) dhe përgjatë lumit Nancahuazu me shpresën se fshatarët bolivianë do i përkrahnin, do i mbështetnin, do i ndihmonin e do iu bashkoheshin, siç pat ndodhur dikur me ata të Sierra Maestra-s në Kubë. Çeta e tij, nëse mund të quhet e tillë, bëri disa përpjekje të vogla me forcat qeveritare, por pa asnjë rezultat të dukshëm. Më 16 prill 1967, Che publikon “Mesazh për Tre Kontinentalin”, ku haptazi kërkon 2, 3, e më shumë vietnamezë, ndërkohë që katër ditë më pas, arrestohen dy intelektualë të majtë francezë, të afërt me guerilet, Regis Debray dhe Ciro Bustos, të cilët gjykohen dhe dënohen me nga 20 vite burg (Franca ndërhyri gjatë, deri sa ia mbërriti të lirohen pas katër vitesh).

Në maj mbërrijnë në Bolivi forcat speciale amerikane, që filluan stërvitjen e trupave qeveritare për luftë kundër guerilasve. Më 1 korrik Presidenti Barrientos, njofton publikisht se Che ndodhet në Bolivi dhe urdhëron dërgimin e dy batalioneve me rreth 1800 trupa, për të asgjësuar rebelët e armatosur. Nga ana tjetër, në Havana, Fideli bën edhe një përpjekje të fundit, natyrisht pa sukses, të sigurojë mbështetje për luftën guerilase në Konferencën e Solidaritetit të Amerikës Latine, (31 korrik-10 gusht), ku Che-së iu rezervua edhe karrigia e nderit. Më 4 gusht, një prej guerilasve dezerton dhe tradhtisht tregon bazën e Che dhe emrat e luftëtarëve të tij. Të rrethuar nga të gjitha anët, një pjesë e guerilasve shkëputet nga grupi dhe më 31 gusht bien në një pritë të mirorganizuar të forcave qeveritare, duke u asgjësuar të gjithë, përfshi dhe Tanjën e Che-së. Mes pyjeve, maleve të larta dhe humnerave, grupi i komanduar nga Che, të mbetur pa ushqime e municion, pa ndërlidhje e komunikim me Havanën (valët e dy radiove defektoze nuk mbërritën kurrë në Kubë) dhe të rrethuar në darën e forcave speciale të shumta në numër, te humnera El Juros, pranë fshatit Higuera në provincën Vallegrande, bënë rezistencën e fundit më 8 tetor.

Shumica syresh u vranë, disa u plagosën dhe u dorëzuan, ndër ta edhe vetë Che-ja. Për dorëzimin dhe orët e fundit të Che, ka dëshmi të shumta. Mbetur i plagosur, me pushkën gjysmautomatike vetëmbushëse M2, të papërdorshme nga dëmtimi dhe me revolverin pa karikator, siç tregon biografi i tij Jon Lee Anderson, që i referohet rreshterit Bernardino Huanca, dëshmitar në ngjarje, Che iu lut ushtarëve të mos shtinin mbi të, se kur të mësonin kush ishte, do të kuptonin pse ai u duhej i gjallë! Ashtu të plagosur, e lidhën dhe e izoluan në shkollën e fshatit, ku tentuan ta marrin në pyetje. Che refuzoi të përgjigjej dhe të vetmen gjë që kërkoi ishte një qese me duhan për llullën e tij, kërkesë që iu plotësua nga piloti i helikopterit ushtarak, Jaime Nino de Guzman, i cili kish sjellë posaçërisht kolonelin Zenteno Anaya dhe superagjentin amerikan me origjinë kubane, Felix Ismael Rodriguez Mendigutia (1941), mbajtës i katër pseudonimeve në karrierën e gjatë e të suksesshme. Të nesërmen, pra më 9 tetor 1967, Presidenti Barrientos urdhëroi ekzekutimin e tij, edhe pse amerikanët e deshën të gjallë, për ta transportuar e marrë në pyetje në Panama. Ai i trembej një arratisjeje të mundshme të Che, apo qoftë edhe një gjyqi, që mund t’a vishte Che me petkun e heroit. E habitshme mbetet edhe vetë vdekja e Barrientos në një aksident ajror në Koçabamba më 27 prill 1969 dhe mikut të ngushtë, Ministrit të Brendshëm, Antonio Arguedas Mendieta, që kish qenë një marksist dhe njëkohësisht agjent i fshehtë i CIA-s, arratisur nga Bolivia e kthyer më në fund në La Paz, ku duke përgatitur një bombë artizanale gjeti vdekjen, pasi ajo i shpërtheu në dorë në vitin 2000.

Ishte ky, që i dorëzoi CIA-s Ditaret e Che-së. I pranishëm në orët e fundit të Che, ishte siç e përmendëm, edhe superagjenti i famshëm CIA-s i ikur nga Kuba, Felix Rodriguez, dërguar posaçërisht me mision. Femra e fundit që Che takoi sa qe gjallë, ishte mësuesja 22-vjeçare e shkollës së fshatit La Higuera, e quajtur Julia Cortez, e cila dëshmoi se në orët e fundit, Che kishte një shikim zhbirues, ishte i qetë dhe ironik. Ekzekutimin e tij e mori përsipër vullnetarisht apo me short një tjetër rreshter, që njihej si i alkoolizuar, 27-vjeçari Mario Teran, në shenjë hakmarrje për vrasjen nga guerilasit, vetëm disa ditë më parë të tre shokëve të njësisë së tij, që për koinçidencë, kishin edhe ata të njëjtin emër, Mario. Pasi ushtarët bënë foto me Che-në e lidhur, Teran hezitoi disa sekonda, deri sa me një karabinë M2, shtiu plot 9 herë mbi trupin e Guevarës! Po këtë ditë u ekzekutuan edhe dy shokët e Che, Uilli dhe Cino. Ky qe fundi i Che-së, por jo ai i mitit dhe legjendave për atë, deformuar, zbukuruar dhe amplifikuar nga të majtët e çdo ngjyre, përfshirë edhe këta shqiptarët, mjeshtra të palodhshëm të rrugës së mundimshme të fshehjes dhe deformimit së të vërtetave, në këto plot 51 vite pas ekzekutimit të tij. Pa harruar asnjëherë t’i bënin, siç edhe vazhdojnë t’i bëjnë elozhe e ta ekzaltojnë, këtë figurë apokaliptike, të veshur plot mister dhe enigma. Më 15 tetor Kastro publikon lajmin mbi ekzekutimin e Che dhe shpall tri ditë zie, që mbyllen më 18 tetor, me një fjalim të tij para 1 milion vetëve në Sheshin e Revolucionit. Disa muaj më vonë, saktësisht me 22 shkurt 1968, kthehen në Kubë tre shokët e Che-së, që shpëtuan nga vdekja: Pombo, Urbano dhe Beninjo, ndërsa vetë Che, u kthye në Kubë, natyrisht i vdekur, vetëm 30 vite më vonë, kur edhe u gjet në korrik të 1997 varri i tij, diku afër vendit ku e ekzekutuan, kurse eshtrat u rivarrosën në Santa Klara.

A ka ardhur në Shqipëri Ernesto Guevara në marsin e vitit 1960?

Che Guevara duhet të ketë ardhur në Shqipëri në pranverën e vitit 1960 dhe unë rreshtohem mes atyre që e besojnë këtë, por nga ana tjetër, mbetet enigmatike; pse u mbajt kaq gjatë ky mister nga të dy palët, që edhe sot mbulohet nga një tis i errët! Si shpjegohet që atë, nuk e priti diktatori Hoxha, gjë të cilën, si më parë, ashtu edhe më vonë, ai e kish bërë dhe do e bënte, për figura dhe personalitete të rangut shumë më të ulët se Che?! Ende Enveri, që sapo i kish kaluar të pesëdhjetat, mbahej mirë me shëndet, madje pak muaj më vonë ai do merrte rrugën e gjatë, mes acareve politike të “Dimrit të Vetmisë së Madhe”, siç e ka përcaktuar gjeniu Kadare dhe acarit të njohur të motit në Moskën e nëntorit 1960, aq e famshme për shizmën e madhe të komunizmit. Njeriu që ka folur më gjatë për këtë vizitë, është Zeqi Agolli, i pari sekretar personal i diktatorit, kur ai ende jetonte dhe punonte në hotel “Dajti”, e që më pas u bë një nga diplomatët dhe funksionarët më jetëgjatë të Ministrinë e Punëve të Jashtme.

I thirrur nga kryeministri Shehu, Zeqi Agolli tregon se u urdhërua prej tij të priste në aeroportin e porsandërtuar nga të burgosurit në Rinas, një delegacion miqsh të huaj, të cilëve nuk u duhej bërë asnjë pyetje. Vetë Agolli, mesa duket e kuptoi mirë detyrën. I shoqëroi ata në zyrën e kryeministrit dhe mori edhe vetë pjesë në takim. Ai, rrëfen se u fol gjatë spanjisht mes tyre dhe pati shkëmbim pikëpamjesh, mes të cilave edhe nga ato që nuk përputheshin mes tyre. Che injoronte dhe nënvlerësonte partitë politike, qofshin edhe revolucionare ato dhe rolin udhëheqës të tyre (me sa duket nisej nga shembulli kuban). Ai parapëlqente ndezjen e vatrave lokale, të cilat do e përhapnin flakën e revolucionit kudo. Nga ana tjetër, Che ashtu si edhe Fideli, ende nuk kish një qëndrim të prerë, se anën e kujt duhej të mbante në konfliktin ideologjik mes komunistëve sovjetikë dhe atyre kinezë. Këto pikëpamje Shehu, duhet t’ia ketë transmetuar menjëherë Enver Hoxhës dhe në mënyrë të padiskutueshme, këto duhet të ketë qenë edhe arsyet e vërteta, pse ai nuk denjoi ta sajdisë as për kortezi Che Guevarën, që priti më kot dy net në vilën luksoze të Erebarave, dibranëve atdhetarë e intelektualë të shquar e të pasur, të cilëve regjimi ua kish shtetëzuar atë fill pas luftës. Ai e kaloi kohën pa dalë nga vila duke luajtur me një automatik, dhuratë surprizë kjo e Shehut, domethënien e çuditshme të së cilës, edhe sot e kemi të vështirë ta kuptojmë, po të kemi parasysh, se në mars të 1960, ende Shqipëria nuk prodhonte armë, pasi akoma s’ishte ndërtuar Uzina e Armëve e Gramshit, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë, që prodhoi me teknologji dhe çelik kinez e më pas suedez, “Kallashnikovë” dhe “Karabina” vetëmbushëse “Simonov” dhjetëshe dhe njëzetëshe (dhe jo siç thuhet shpesh gabimisht e Poliçanit, ku prodhoheshin vetëm fishekë e predha).

Che-së nuk i mungonin armët, qofshin amerikanet trofe, apo sovjetiket dhe kinezet! Si mund të shpjegohet fakti, që edhe pse Che, tashmë nuk ishte në ilegalitet, madje de facto ishte nr. 2 i regjimit kastrist, vizita në Shqipëri u mbajt “top secret”, ndryshe nga vizitat e së njëjtës periudhë në disa nga vendet e tjera socialiste, që u bënë të gjitha publike. Asnjë proces verbal, asnjë fotografi dhe asnjë filmim i vizitës dhe takimit me Shehun nuk është gjetur deri më sot, edhe pse regjimi ynë diktatorial u kushtonte rëndësi të veçantë këtyre, deri në detajet më të imta. Vetë diktatori e ka përmendur vetëm njëherë Che-në, gjatë një bisede me dy drejtues të Partisë Komuniste (M-L) të Ekuadorit plot 50 vite më parë, më 21 tetor 1968, ku ai e quan atë “një luftëtar të mirë të majtë”, por jo një marksist-leninist dhe vazhdon: “Përse duhet ta vajtojmë vrasjen e Che-së, në fund të fundit revolucionarët vriten”! Me sa duket, Hoxha nuk mund ta pranonte dhe miratonte dorëzimin e Che-së!

Interesant mbetet edhe një fakt tjetër. Në një intervistë të dhënë vite më parë për autorin pasionant të disa librave për Che Guevarën, të cilin duket haptazi që e ka idhull, Jovan Jano, studiues apartiak i majtë, Zeqi Agolli, edhe pse tregon për vizitën e Che-së në Tiranë, befason me anonimitetin e tij lehtësisht të kuptueshëm e të zbulueshëm, duke mos pëlqyer të identifikohet! Por vite më pas, teksa po i afrohet 100 viteve, duket se e “harron” këtë, madje shfaqet publikisht me zë dhe me figurë, në një ekskluzive të para disa javëve në “Top Channel”, dhënë gazetarit Marin Mema, ku pasi thotë që edhe pse flas pesë gjuhë, duke mos ditur spanjisht, unë nuk kuptova asnjë fjalë nga biseda Shehu-Che! Natyrisht, kuptohet me lehtësi, që këtu ka diçka që nuk shkon. Së fundmi, mund të arsyetojmë në favor të faktit që Che e ka vizituar Tiranën, edhe me dy argumente të tjera: së pari, Che merrte pjesë, siç dëshmon Zonja Pogaçe, bashkëshorte e ambasadorit shqiptar në Kubë, në pritjet që ambasada jonë atje jepte në raste festash dhe kjo s’ishte rastësi, e së dyti, ai ishte drejtuesi i vetëm i lartë, që vizitoi dhe bisedoi në një nga saletet e hotelit ku ishin akomoduar, me anëtarët e delegacionit më të lartë qeveritar të Tiranës, dërguar ndonjëherë në Kubë, kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi (nëse kishte një të tillë Shqipëria komuniste!), e natyrisht edhe kjo s’mund të ishte rastësi. Të tjerë shqiptarë që kanë takuar Che-në, mund të përmendim Kiço Ngjelën, ish-ministër i Tregtisë (dënuar më vonë), Eleni Pashko Terezi, aparatçikë të lartë të Komitetit Qendror si Mihallaq Gjinikasi e Qemal Myrseli, diplomatë si ambasadori Pogaçe, Labo Abazi, Pertef Hasanmataj, atasheu tregtar, Tiri Çollaku e ndonjë tjetër.

E vërteta ndryshe për Ernesto Che Guevarën dhe një përfundim

Do të ishte naivitet, nëse autori i këtij shkrimi për Che Guevarën do ta konsideronte shterues atë. Për Che-në, është e vërtetë që janë shkruar libra dhe publiçistikë e shumtë, janë bërë filma e dokumentarë kinematografikë dhe televizivë, madje për të janë bërë edhe këngë (ku më e pëlqyera mbetet ajo e këngëtares së famshme kubane Nathalie Cordona “Comandante Che Guevara”). Të famshëm atë e bëri dhe fotografia e Alberto Kordës “Guerrilieri heroik”, vlerësuar nga një Institut Artesh në Merilend, si fotoja më e bukur e shekullit të XX-të, e stampuar në miliona bluza, të shitura, sa për propagandë, po aq edhe për biznes, apo e stampuar si tatu (fjalë e njëjtë me një nga pseudonimet e Che-së), në trupin e Tajsonit dhe Maradonës.

Ekzekutimi i Che-së ndodhi në preludin e Pranverës Revolucionare të Rinisë më 1968 (sidomos në Francë) dhe mjeshtrat e mëdhenj e të palodhshëm të propagandës së majtë, të trushpëlarjes dhe trullosjes së njerëzve, e shfrytëzuan dhe e përdorën në favor të tyre shembullin e tij, sidomos mes rinisë studentore. Ata shfrytëzuan po kaq mirë dhe takimin e vlerësimin e parë të Sartrit (Jean-Paul Charles Aymard Sartre 1905-1980), babait të ekzistencializmit dhe Dë Bovuarit (Simone Ernestine Marie Bertrand de Beauvoir 1908-1986), bashkëjetuese e Sartrit, me Che-në në zyrën e tij në Havana, mars 1960, për t’i bërë më pas atij një publicitet të amplifikuar. Më vonë, Sartri ky filozof i madh frëng, i rishikoi qëndrimet dhe vlerësimet e tij të majta, duke pranuar se kishte gabuar (sidomos për socializmin e llojit sovjetik, ku krimet e tmerrshme dhe varfëria e skajshme për miliona njerëz, ishin ambalazhuar me një cipë të sheqerosur nga propaganda e fuqishme zhdanoviane e Stalinit e pasuesve të tij).

Edhe në Shqipëri është shkruar jo pak për Che Guevarën, por është interesante të thuhet se në gjallje të Enver Hoxhës, kjo nuk ndodhi dhe natyrisht, jo vetëm për shkaqet që treguam më sipër, që çuan në mospërfilljen ndaj tij, por edhe për faktin se Partia Komuniste kubane dhe Kastro u konsideruan shpejt revizionistë nga Hoxha, ndaj dhe nuk guxoi kush të shkruajë për të. Nostalgjia për Che-në, çuditërisht shpërtheu te ne, fill pas përmbysjes së regjimit. Më shumë se për Che-në, kjo ishte nostalgji për mënyrën afërsisht të ngjashme me të cilën erdhën në pushtet komunistët shqiptarë dhe si një justifikim për terrorin dhe krimet që ata bënë, si gjatë, ashtu dhe pas Luftës, duke kompromentuar rëndë heroizmin, sakrificat dhe gjakun e derdhur kundër pushtuesve nazi-fashistë. Ndryshe, si duhet kuptuar fshehja e anëve të errëta, krimet dhe terrori, që deri personalisht edhe ndaj bashkëluftëtarëve, madje dhe miqve të ngushtë zbatoi Che-ja, kur ishte guerilas dhe fill pas marrjes së pushtetit, kur i kërkoi Fidelit emërimin në postin e komandantit të burgut të tmerrshëm “Kabanja” që më 2 janar 1959, në më pak se 6 muaj u ekzekutuan deri 105 persona!
A nuk ngjan ai me kryeterroristin shqiptar Enver Hoxha, kur “dekoronte” me plumba pas koke, Anastas Lulën, Zai Fundon, Mustafa Gjinishin e shumë të tjerë, burgoste e internonte Ymer Dishnicën, Sejfulla Malëshovën, Zef Malën, Gjin Markun etj., për të mos përmendur listën pa fund të anëtarëve të Politbyrosë, të Komitetit Qendror, ministrave, gjeneralëve, deputetëve e shumë kuadrove të larta, që shkoi deri te Mehmet Shehu, të ekzekutuar, burgosur e internuar nga “Fideli” ynë!

Me të drejtë mund të pyesë dikush: Pse Che-ja nuk u ngrit të organizonte në luftën për liri, barazi, demokraci dhe drejtësi kundër borgjezisë kapitaliste dhe latifondistëve, popullin e tij argjentinas, por mori rrugët e malet deri në Kubë, Afrikë e Bolivi, mijëra e mijëra km larg?! Pse Che-ja nuk e nisi barazinë nga familja e tij, pasurinë e madhe të së cilës, mund t’iu a shpërndante të varfërve, duke i shpëtuar edhe nga shtypja e shfrytëzimi kapitalist, që me aq pasion ai, përpiqet t’i shpjegojë në tre librat e shkruar, apo publicistikën e tij?! A nuk del qartë dyfytyrësia e Che-së, në pasionin e egër të tij për t’iu a marrë tokën, fabrikat, pronat të tjerëve, kur kryesonte komisionet apo dikasteret për shtetëzimet dhe reformat, e shpesh, duke iu a marrë edhe jetën!

A nuk ishte e Che-së përgjegjësia për dështimet e rënda të industrisë, bujqësisë dhe financave kubane konstatuar herët nga ekonomisti i famshëm francez Rëne Dumont, e shumë të tjerë?! Po për moralin e Che-së, ç’mund të na thonë idealizuesit tanë të majtë?! Lidhjet e para të njohura me një femër, ishin ato me një grua të martuar, 30 vite më e madhe se ai, vajza e madhe e dy herë Presidentit hondurian, Ponciavo Leiva Madrid dhe gruaja e biznesmenit amerikan Henry Holst, marksiste e majtë e Aleancës për Gruan, farkëtuar në kudhrën e komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë?! Pa u divorcuar ende nga Hilda, nëna e fëmijës së parë të tij, që aq shumë u investua për të, ai kalonte netët e nxehta pyjeve me Aleidën, e cila edhe pse nëna e katër fëmijëve me të, tradhtohej lehtësisht prej tij në xhunglat e Afrikës dhe në pyjet e Andeve, me shoqen komuniste Tanja, që po të ishin partizanë në Shqipëri, do të kishin pasur fatin e Ramize Gjebresë e Zaho Kokës, të cilët “morali” partizan i çoi drejtë vdekjes, moral ky, që për trojkën Hoxha-Shehu-Kapo nuk vlente!

Ky pra ishte Ernesto Guevara, i mbiquajtur “Che” prej miqve të tij kubanë, që kur u njoh në Meksikë me ta, të cilëve u bënte përshtypje përdorimi i shpeshtë i fjalës “Che”, që rëndom përdoret nga argjentinasit dhe ka kuptimin miqësor “hej”, glorifikimi majtist gjysmëshekullor i figurës së tij, duket se është “ndihmuar” sadopak edhe nga karizma, që do ia kishin zili edhe aktorët e Hollivudit, por kjo vetëm për filma, se në jetë s’kishin pse të zgjidhnin vetësakrifikimin e jetës, falë delirit të madhështisë dhe protagonizmit./ ObserverKult