
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Jorge Luis Borges të përkthyera nga Kujtim Morina:
Adami i parë në kohë
A kishte një kopsht apo kopshti ishte ëndërr?
Pyes veten, ngadalë në dritën e mbrëmjes,
Pothuaj për ngushëllim, pa ngazëllim
Nëse ajo e kaluar ishte reale apo më duket mua
ashtu tani në mjerim, një iluzion?
Jo më shumë se një shfaqje magjike
Të një zoti që nuk e njoh
Por e ëndërrova dhe ajo parajsë, e vagullt tani,
vegim i rremë?
Por e di se ajo Parajsë do të jetë diku
edhe nëse nuk ekziston për mua.
Incesti ndërluftues i Kainëve dhe Abelëve
është një lojë e ashpër tokësore që më mundon.
Megjithatë është një gjë e mirë të kem ditur
për lumturinë apo të kem prekur dashurinë,
Kopshtin e gjallë, qoftë edhe për një ditë.
Gjumi
Nëse gjumi është armëpushim, siç thuhet
Një kohë e përkryer e mendjes për pushim dhe shërim
Pse, kur të zgjojnë papritur, të duket
sikur të kanë vjedhur gjithçka?
Pse është kaq e trishtueshme të zgjohesh në dalë-dritë?
Kjo na zhvesh nga një dhunti aq e çuditshme, aq e thellë
që mund të kujtohet vetëm sapo na del gjumi/
Momente jermie që shkëlqejnë dhe stolisin
mendjen që zgjohet me ëndrra, që mund të jenë
veçse imazhe të thyera të thesarit të natës.
Një botë e pakohë që nuk ka as emër as masë
dhe thyhet në pasqyrat e ditës.
Kush do të jeni ju sonte, në mbërthimin e errët të gjumit
Kur i përvidheni mureve të tij?
Shkruar në një kopje të poemës epike Beowulf
Pyes veten kohë pas kohe çfarë më shtyn
Të studioj ndërsa terri afrohet,
pa shpresë për mjeshtëri apo përpikmëri.
Gjuha e anglëve dhe saksonëve të ashpër,
e humbur ndër vite, kujtesa ime.
I lë të bien fjalët e përsëritura më kot
Dhe më së shumti kështu, jeta ime vazhdon
Duke endur dhe çendur historinë e saj të rrëgjuar
Mbase (i them vetes), është ajo që shpirti e njeh
në një farë mënyre të fshehtë dhe të mjaftueshme,
Atë, të paracaktuarën, ashtu siç është, për të mos vdekur kurrë
Sfera e varrit gjigant e kaplon të tërën
Përtej kësaj përpjekje të mundimshme, përtej këtij vargu
Pret, i pashterrshëm, universi.
* I referohet një poeme të vjetër epike angleze
ObserverKult
Lexo edhe:






