Cikël me poezi nga Ramadan Musliu: I LIDHUR ME KËRTHIZË

ramadan musliu

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Ramadan Musliu:

PSHERËTIMA 

Sa çel e mshel sytë u ngjit mbi çati 
nëpër ato shkallë të thyera të moshës 
për ta ndrequr tjegullën 
prej nga pikon shiu 
Një gëzim i papërshkrueshëm 
lëkund gjandrat nga vendi 
sa telat nga vjen drita jeshile 
u këputën 
Ato re të zeza, ai peizazh gri 
ajo ëndërr e përhimtë e fëmijënisë 
filluan të zbardhen nga psherëtima 

ANDRRA E JETËS

Me një krahër me brymë 
kaloi tinëzisht vjeshta 
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta 
ndahen në dysh mbi vetulla 
dhe vazhdojnë krela-krela 
rritjen në bronz 

Dhe prapë dritë neoni 
përzier me borë 
ndriçon ballin tim 
me shiritat magjikë të moshës. Lëng 
vetëtimash 
pikon nga damari i fshehur i dritës 
në strall. Ndërsa netëve të vona 
nën ndriçimin e ftohtë 
zgjohet në kafaz 
dhe zë e këndon bilbili 
për retë e bardha në qiell tek pikojnë 
currila kristali 
për gjethet e verdha të vjeshtës 
që dridhen në erë nga frika e moshës 

O imagjinatë që trillon në errësirë 
peizazhe të gdhendura në metal 
porta të hapura të parajsës 
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë 
era mbi xham dhe t’i fshijë 
të gjitha mbetjet 
nga andrra e madhe e jetës 

GJENDJE NEUTRALE

Lufta ime e fundit me veten time mbaroi
Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum
ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi
dhe s’pata më si të dal. Duart
i harrova në bedene mbështetur
për heshte tek vigjiloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt
teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet
në astral. Një gjilpërë e harruar
më ther në palcë dhe askush s’ më dëgjon.
Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale
dhe më mbështillet nëpër asht.
Një dritë jeshile vjen nga syri im
në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë
kuajt duke u tërhequr zvarrë
nëpër orenditë e pluhurosura
teksa koha grindet me rrudhat
në trurin e lodhur për haloret e flokëve
të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës
me stalagmite me therin në zemër. Euridika
qanë për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guaskë.

I LIDHUR ME KËRTHIZË

Kruspull i mbledhur
këmbë e duar bashkë
fshihet në barkun e nënës
nga inercioni

Duhet dalë jashtë
duhet shtyer në jetën
e paperspektivë historisë
dhe të shohë
se ç’ e ardhme
të ka zënë pritën
në rrugë

Qaj po deshe
bërtit në kupë të qiellës
gërvish tokë e qiell
vetëm mund t’i lidhësh
edhe më keq
këmbët e tua me kërthizë

Njerëzit jane si kafshët
për dioptrinë tënde
të pamësuar me këtë dritë
rrinë në këmbët e prapme
sa për të mbërri
frutat e natyrës në pemë

Fillo që tani
ta lëpish ashtin tënd
dhe shikoje herë pas here
hënën e plotë në qiell
tinzisht
dhe mos bëj zë

STAZHI I PUNËS

Edhe kjo ditë
me mot të lig që iku
regjistrohet në stazhin e punës
në librezën e zverdhur
nga ngjyra e dedhur e viteve

Po ka vite e vite
që mua më dhembin eshtrat
se dikush ka hyrë në palcë
dhe i strukur shkruan
dramën e vet
në pëlhurëne e mushkërive të mia

Në rini
i kuq nga shëndeti
s’ka nevojë të mendosh fare
sepse dikush
gjithmonë mendon për ty
dhe për të ardhmen tënde
të ndritshme

Ai nga brenda sikur bën me dije
se kur pushon rrita
s’ka më të ardhme
prandaj grabit
në shportën plot
të ditës së sotme
atë që që mund të ketë tepruar
nga dreka

Në pauzë pune
del për të pirë një gotë çaj
se me rregulloren e punës parashihet
kur ke punë me palë
duhet qenë i kthjellët
përballë vetëvetes

Pra nisu vetë për bar natyre
për pak vaj peshku
për një kafshatë bukë
nëse do të arrish
brenda orarit të punës
në maje të majes
së asaj kodre
para se të të rrëshqasë
dheu nën këmbë

NJËRËN KËMBË E KA NË VARR…

Vetëm me mendje është këtu
se njërën këmbë e ka në varr
e tjetrën në hijen e rrapit

I ndjekur si ujku nga uria
bredh nëpër fushat
e pamata të imagjinatës
dhe nuk gjen strehë
as në tokë as në qiell
për ta shtrirë shtatin
për vetëm një minutë pushim

Shëtitja nëpër oborrin me gjelbërim
i erdhi në majë të hundës
se tani ia zë frymën edhe oksigjeni
që vjen nga tubat
e një bombole prej çeliku

Ata i qepin lëkurën
derisa ai vetë qep
ëndrrat e bëra copë-copë
nga gërshërët e nostalgjisë
për barkun e nënës

Historia e shkruar pa gabime
me të gjitha faktet
me arsye gjaku
i rri varur te këmbët

Shpesh fishkëllen nën hundë
duket se e këndon
një histori të vjetër
saqë dikush tha lëre të këndojë
se vaji i burrit është kënga.

ObserverKult

lexo edhe:

Zbërthim i mirëfilltë i sistemit poetik të Ramadan Musliut

Ramadan Musliu – intelektuali i kohërave të vështira

Ramadan Musliu, zëri i veçantë i kritikës letrare

Vjeshta e mbrame e poetit Ramadan Musliu