Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të Adem Demaçit, shkëputur nga libri “Tung vargu im”
Tung vargu im
Para dyzet e sa vjetësh
kopshtari i palodhshëm i letrave tona
kithi sythin tënd o vargu im e më tha
tash kultivoje rreshtin tënd
e sa për vargun ende ka kohë
Nëse nëse
nëse do të vij lëng i vërtetë
ai do të shpërthej përsëri
dhe do të lulëzoj vetvetiu
Mos ki merak
Ashtu tha dhe ashtu u bë
Por tash vargu im
ti linde në kohë të pakohë
në territor pa kufij
dhe në hapësirë me përmbajtje
tulbuke
Pikërisht tash ti o vargu im
duke derdhur lotë për ata
për ata që vanë duke kënduar
duke derdhur djersë për këta për këta
për këta që po mundohen
duke u flijuar për ata për ata
për ata që do të vijnë
ti o vargu im me siguri me siguri
me siguri do t’ia dalësh që
me lot me djersë e me dije
duke e puthur e duke e ngjeshur
tulbukën ta shndërrosh në kristal
në kristal që s’e ha as lima
Tung, vargu im!
Mprehu vargu im
Tung vargu im
Por të lutem
të lutem mprehu
por pa patetikë
Të lutem mprehu
por pa retorikë
Mblidh energjitë vargu im
dhe me forcën e dhembjeve
bëhu raketë dhe shkëputu
nga forca tërheqëse e llumit
Të llumit të iluzioneve
të egoizmit e lakmisë
të padijes e jokompetencës
të korrupsionit e mitomanisë
të gjelozisë e smirës
të urrejtjes e indiferencës
Jepi me forcë vargu im
dhe shkëputu shkëputu
nga ky llum i mallkuar
mbuluar me pellgun e jargëve
Merr me vete vullnetin
vullnetin energjinë
hovin zellin e drejtësinë
Dëgjoje zemrën
se ajo s’të mashtron kurrë
Merr ajrin vargu im
merr qiellin e lirisë
se pa liri jeta s’ka kuptim
Tung vargu im
Balada
Kur foshnje isha,
mbështjellë n’lulak
dhe shtri në djep katundi –
njij karaferku mëngjezuer,
kur nana mejtun pat përkundjen time
(se edhe ajo në krah të gjumit
kotun sytë i kishte)
dhe kur vajit të pashtershëm
unë fillue ja pata –
me kcime t’lehta,
nji leproish i bukur
te unë u afrue,
me këmbët e para
preku thembrat e mija
dhe m’tha urueshëm:
ʺme të shpejt vrapofsh,
si unë
mos u frigofsh!ʺ
Por unë nuk mejta vajin.
Lepuroshi u zhduk
e n’vend të tij
drenusha brijkaqarreme
kryet e ngrehu –
me mjekërr të shkurtë
qime lëmuet
ma gjethletoi trupin
dhe gazmueshëm më tha:
ʺsi veshka në vjam
kalofsh jetën
vuejtjet në krye,
kurr mos rafshin,
si mue
brinat mos të dalshin!ʺ
Dhe unë prap
vajin s’pushova.
U zhbi drenusha
dhe n’vend të saj
ngrehu shtatin e madh
bullica e zezë;
m’i zgurdulloi singishëmsyt e kuq sa beti,
nji copë herë m’tuhati
dhe tha:
ʺi fuqishëm u bâfsh,
si unë
i randë mos qofsh!ʺ
Por unë dhe mâ të madhe
vajin e vazhdova
Bullica theu kryet,
kur nana syt i hapi
dhe me dorë të vrazhdë
nga bishti i shtatit
fytyrën ma lëmoi,
me buzë të plasaritura
nga pisha e diellit
dhe era e fushës
të mijat m’i fërkoi
e më tha sevdashëm:
ʺhesht ty të pastë nana,
he ti, iu bafsh nanës
qatip me dy kalema!ʺ
Dhe unë vajin këputa
e në gojën time,
të thatë sikur rrypi
gjiun e nanës futa.
ObserverKult