Cikël poetik nga Albina Idrizi: Janë hapërdarë në mua metaforat e panxëna!

albina idrizi

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Albina Idrizi:

PRANI

Ti je këtu,
fryma që bën
të ndjej dashurinë
si prekjen e puhisë
mes një shtrëngate,
vështrimi që më sjell
aty ku jam,
banore ëndërrimtare
e rruazës blu
në gjerdanin e universit.

Ti, gjithmonë, je këtu,
me mua,
në mua,
çasti i pakohë,
ndryshueshmëria e vazhdueshme
gjer në ndryshim,
i ëndërrt edhe vetë
në memorien kokave
të njerëzimit.

VAZHDIMËSI

Rrekemi pas imazheve
skalitur në kujtesë kohe
si idhuj paqesjellës
të cilëve duam t’u ngjajmë
me emra të përveçëm.

Ne jemi gjithçka, gjithkush
nga pak,
si ajri, dheu, uji, zjarri,
përcillemi kërthizë pas kërthize
në këtë botë mirazhesh
sa herë puqemi
me dritën brenda tjetrit.

Pastaj mbajmë vesh
pasthirrmat që na bartin
nëpër hojëza shpirti,
si varka të tejmbushura
ku përkunden legjendat
më të hajme
të epokave në ardhje.

Ne jemi njëri tjetri në ne,
tinguj të pabindur
në jehonën e një agimi
të përjetshëm.

BALANCË

Një ti, një unë
luajmë matematikën
e përjetësisë,
pak ti, pak unë
me urtinë e midisit
mbi peshoren
majë abisi,
merr ti, ç’jap unë
ç’tepron nga ti, plotënohem unë
shpëtojmë nga rëndimi,
ujë ti, zjarr unë
mbjell, mbledh
sa ti, sa unë
të mos rrëzohemi
e të zëmë veten përfund.

BRESTI

Janë ndezur bojërat
e mesvjeshtës,
si neone udhërrëfyese
hapave të rënduar
që mallin zhagojnë me vete
teposhtë Siamit,
rrugëve të qullura
të Brestit.

Një strehë
pikon për dikë
vargjet e Preverit,
e unë, në sytë e ujshëm
të të voglit vëlla
(që, për çudi, ka pamjen
e nj burri të thinjur),
shpalos valixhen
e mbushur me fëmijëri.

ASHKËLIM

Në mua janë hapërdarë
metaforat e panxëna
si mbetjet e së djeshmes
në dhomën e ditës
ku mi sjellin mëngjeset.
Një gotë çaji
gjysmë e zbrazët mbi tavolinë,
një shall mëndafshi
hedhur mbi karrigë,
një fletore e hapur
në tri vargje shkruar në ngutje,
pa pikë, pa presje,
fryt i një frymëzimi që ikën
pa ardhur mirë.
Gjej një rimë dhe mbush me të
gjysmën e mbetur të gotës,
një tjetër hedh krahëve si pelerinë,
pastaj ulem në pritje
të ngacmimit tinëzar
prej vargu të lirë
të domosdoshëm si ajri,
që një botë amorfe
bën me trup e frymë.

ObserverKult

Kliko edhe:

ALBINA IDRIZI: UNË TË DUA

ME POEZINË E HAVZI NELËS “PO, O NANË, PO”!