Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Klejda Plangarica.
DËSHIRA – DHIMBJE
Dëshpërimisht e lumtur sonte!
I huaj ky shtrat
ku ngjizet dëshira-dhimbje
e ku prushitet mbarim-fillimi i dashurisë.
I pari shtrat për ne!
Pafundësisht i fundit…
E vetmja fushë-betejë e paqes
ku duhemi duke u vrarë,
ku vritemi për t’u dashur…
Dëshpërimisht, e lumtur sonte!
Fshehur në terr – më mungon
hëna e vështrimit tënd.
I pari shtrat për ne,
I përgjithmonshmi…
Ti po më çmend!
NE-TË MIRËT
Kur u bëra kaq e ligë vallë,
Sa t’mos këqyr një ylber të ngrirë
Që lidh dy retë e tua të persiatjeve,
Atë të ngasjes dhe të mosardhjes
Dhe mallit që sinor ka frikën?!
Kur u bëre kaq i lig vallë,
Sa më vërtit si fugë mes një loje
Që e tërheq dhe spraps sipas trilleve,
Kur fluturimin ndal e m’i cik rrezet,
Në ndezje-fikesh, në fikje-ndizesh?!
Kur u bëmë kaq të ligj vallë,
Ne – të mirët, që i druhemi dritës?!
KURRË LUMË!
Asnjëherë nuk jam kredhur në një lumë
Jo se ka munguar lumi – As ura!
Jam ulur shpesh brigjeve në soditje,
Me maja gishtash gurë zalli kam puthur
E majë gishtash jam rrëqethur ujit-acar,
Kam lëshuar gjethet si varka në ikje
Ngaherë të ngarkuara përplot me ngasje
E kurrë s’jam kredhur pas tyre në ndjekje…
Kohën kam pritur të rrjedhë mbi urë,
Druajtur prej shtjellash, fundosjesh të thella…
Një varkë që ikën – një vragë mbi trup!
E rrjedhtë koha, e tkurrur unë…
Kurrë shtjellë s’u bëra – kurrë lumë!
I PASHMANGSHMI!
Ka ardhur ai çast që të ta ngul atë thikë!
Atë thikë të ujtë ku ta shoh veten pasqyruar,
Që reflektimi im me trajtën e një Ore të Ligë
Brenda teje të shpërbëhet si një ndëshkim.
Ka ardhur ai çast që gjaku të të bëhet ujë,
Trazuar me ato pikëlza të ujta reflektimesh.
Bash ai çast – që të ta fik atë Orë të Mirë,
Me copëza (tehëza) sysh e buzësh të ta shpoj lëkurën.
Ka ardhur ai çast i mbramë i thikës,
I pashmangshmi!
KUR UNË TË PERËNDOJ TE TY
U muzgofsh!
Cep më cep të këtij kurmi –
Thua më thua –
Qerpik më qerpik –
Kur unë të perëndoj te ty,
Se e di, një ditë…
Terr mos paç
(Se terrohem edhe unë me ty…)
Veç mugëtira e rroktë gjallimin tënd,
Kryekëput!
SKICË E MBRAPSHTË
Në ç’pikë u bashkuam për t’u ndërprerë në çast?
A thua shtigjet tona ishin veç dy vijëza?
Cila skicë e mbrapshtë përvijoi pikëpjekjen,
Me puthitje të shkurtra – Me tërheqje të befta?!
Në ç’skicë hodhëm hapat dhe gjurmë lamë aty?
Kujtesa e mohon – Dëshira struket fshehtas…
Kur lindi dhe mërgoi ky afsh i trishtë si tym,
Me ofshama të shkurtra – Me zmbrapsje të befta?!
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA MEXHID MEHMETI: NË TY SHOH TË GJITHA GRATË QË I DESHA
CIKËL POETIK NGA BISER MEHMETI: NË SYRIN TËND HAPA VARRIN TIM!