Cikël poetik nga Luan Rama: Nëse shkoj e dashur…

kënga Luan Rama: e dashuruar

Ne nuk patëm kohë

Ne nuk patëm kohë të flisnim, e dashur,
veç puthnim gishtërinjtë dhe gjokset tona,
endeshim mbi trupa që dihasnin dëshirë,
jo, nuk patëm kohë të flisnim,
veç u binim kambanave tona
dhe ato na përpinin e thithnin brenda tyre.
Ne pinim veç burimet e njëri-tjetrit,
thithnim nektarin e kurmeve, të syve, buzëve
oh, ç’nektar i ëmbël, që papiruset e vjetra nuk na e thonë!
Kush je ti, cili jam unë,
nuk thamë asgjë, veç putheshim të dehur,
më shumë se Baudelaire nga poezitë e tij,
s’kishim kohë, edhe pse na dukej sikur njiheshim një jetë;
fqinj të dashurisë,
në atë kohë relative sikur gjetëm Anjshtanjin!
Nga vije ti, nga vija unë,
nga ç’rrugë të këtij globi kaq të nxehtë,
nuk e dimë ende, kush je ti e dashur,
me ato buzë që djegin në skajin tjetër të botës,
kush je ti – ëndërr nderur në tavanin e shtëpisë sime,
që sa hap sytë, të shoh dhe të përshëndes…
Ne nuk patëm kohë të flisnim për jetët dhe dashuritë tona
Ne… e harruam vetë kohën!

Kantikë

Nuk di në ç’kohë isha,
dëgjoja këngën e Solomonit; kantikë e kantikave,
më të vjetrën këngë të dashurisë së botës
dhe mendova: sa të ngjashme janë dashuritë,
nga pllajat e Jordanit deri në cepin tjetër të botës,
sa të ngjashme janë brigjet e saj,
zjarret, lëndinat, blatimet,
thepisjet marramendëse dhe humbjet e mëdha,
pritjet e gjata me dritaren që hapet,
në portën që shtyhet,
është dita, është nata, meteori që shkon,
këmbët e tua, që vijnë plot hire,
aromë gruri, bukë e shenjtë,
dua t’i puth dhe të hyj pastaj tek ti,
të derdhem lumë në detin tënd të kuq,
të dehem, të qaj, të iki e të rikthehem,
se s’kam ku shkoj pa ty;
është kantikë e lashtë sa bota,
veç sytë e dashuruar lënë gjurmë,
një vijë qumështi në qiell, që nuk shuhet!
Nga kantika në kantikë, të gjitha dashuritë ngjasojnë,
të gjitha himnet, vajet, ikjet,
për t’u shfaqur s’dihet ku…

Nëse shkoj e dashur…

Nëse shkoj e dashur, diku, tutje mjegullës e botës,
kjo s’do të thotë që portën ta mbyllësh,
lëre hapur, dyert dhe dritaren, dehur në fllad,
pranvera shpejt do të vijë me buzët mbi lulen e qershisë,
gjithnjë do të jetë një shenjë e ëmbël që do më thërrasë
të vij sërish tek ti.

Nëse s’do marrësh lajm nga unë
kjo s’do të thotë harresë, përhumbje, mungesë,
të gjitha puthjet dhe përpëlitjet e tua djegin ende mbi trupin tim
përkunden lehtë si gjethe lisi në erë,
gjithnjë do të jetë një shenjë diku, mbi tokë, mbi det, nëpër qiell
të të thotë se unë përherë të jam kushtuar.

Nëse do të biesh në pusin e trishtit të madh,
nën kubenë e një zemre të vrarë dhe gjithçka e errët do të rrethojë,
dil në pragun e shtëpisë dhe shko në vreshtën tonë të dashurisë
vështroi atje lastarët e rinj që kërleshen në diell,
gjithnjë do të ndodhë diçka që ti do ta kuptosh se unë nuk jam larg,
por dhe i vdekur të isha,
sytë mi të shuar do të mbeteshin gjithnjë kthyer nga ty…

Feliçeta

Eja Lici, luaj tani,
vëre shpirtin tënd mbi tastierë
dua të të dëgjoj tani, si dikur,
mbi pianon tënde të vjetër, veshur në velur.
Luaj, e dashur, me gishtërinjtë e tu të bukur,
me gjithë dashuritë dhe bohemitë e kësaj jete,
luaj, mos pusho, ashtu si gjithnjë,
një Hendel dehës
dhe gjithë trishtin e shpirtit;
bemoli yt është një dashuri e pafund,
është syri yt, më i bukur se hëna e plotë.
Dua të të dëgjoj sot ty, dashuria jonë e parreshtur,
kënga që n’a zgjonte gjithnjë në ag,
luaj Lici, kërce mbi tastiera,
pasi shpirti yt është një këngë e pambarimtë,
ti Lici gjithnjë ke luajtur veç dashuri,
sytë e tu janë sytë e vetë dashurisë,
është gjaku yt që shkon diku,
për të kënduar dhe njëherë dashurinë e kësaj bote,
gjaku ynë i ëmbël, që di të luajë veç “dashuri”…

Ti shkoje

Nën dritën e bardhë të neonit
shtrirë në agoni
ti ngrije duart lart për të ikur si engjëlli
“Dhashë shpirt!” më the ti
ndërsa unë të shihja i plagosur
pa mundur ta ndal ikjen tënde,
Si vallë kështu?
Duar të nderur që dridheshin
që dikur mbi pëllëmbë kishin mbajtur
veç jetë e dashuri,
pjellën dhe dhimbjen e kohës së mbrapshtë
vdekjen e mëmës dhe atit,
shkoje me duart ngritur
duke shkelur mbi një liqen lotësh…
ti motër,
Hirësia ime,
Dashuria ime e gjakut,
gjithnjë e purpurt
në zemrën time mavi
bërë nga plaga e hapur që ende klith
nën zë,
nën qiej vetmitarë pa zogj,
mërmërimë murgu,
pëshpërimë…
Ti shkoje,
ti më rivjen dhe më ikën sërish
shket në botën tjetër
e unë s’di ç’të bëj
me këtë flutur të bukur
që më trazon çdo çast në natën time kaq të gjatë
në këtë humbëtirë të pafund…