Cikël poezish nga “Poema e mungesës” së Rita Petros

rita petro

Ju sjellim një cikël të zgjedhur poezish nga Poema e mungesës e Rita Petros, një vëllim që e zhvendos përvojën e dashurisë dhe të humbjes nga territori i ndjeshmërisë së menjëhershme në një hapësirë reflektimi ekzistencial. Këto poezi nuk e trajtojnë mungesën si gjendje emocionale kalimtare, por si strukturë të qenies, si përvojë që riorganizon marrëdhënien e subjektit me veten, me tjetrin dhe me kohën.

***

Mes turmës së madhe
mes mijëra syve indiferentë
që më anashkalonin,
dallova sytë e tu.
Ata lëshuan valë drite drejt syve të mi,
u dashuruan me shikim të parë,
u verbuan.
Më pas iu rikthye shikimi
dhe prapë u dashuruan,
por me vështrim të qartë.

Tani s’i dalloj më dot.
Eeeeeeeeej, jam këtu!
Nuk duken gjëkund.

Kam mbetur mes turmës me sy jetimë.

***

Nuk është njëlloj ai që asnjëherë nuk dashuroi,
me atë që dashuroi dhe e humbi dashurinë.
Dhimbjet e humbjes së dashurisë janë male
që u bëjnë fushave hije.
Dhimbjet e të mospasurit kurrë dashuri
janë gropa,
që, deri në fund të jetës,
nuk mbushen kurrë.

***

A ke dashuruar ndonjëherë një grua të martuar?
Një grua që, pasi vë fëmijët në gjumë
me përrallën për princin që u bë bretk
dhe vajzën e varfër që u bë princeshë,
nuk e zë gjumi teksa bashkëshorti fle i qetë?
Ajo ëndërron për mashkullin
me sy që i xixëllojnë kur e sheh
dhe duar të mëdha,
që trupin ia modelojnë.
A ke dashuruar një grua
që vuan përnatë në heshtje
se Ai nuk po vjen
dhe asaj vitet po i shkojnë?!
A ke dashuruar ndonjëherë një grua të martuar,
që me fëmijët kalipiç
vrapon pas teje,
kudo që të jesh?
A ia ke ndier gjakun se si i vlon
nga dëshira e zjarrit,
nga epshi mëkatar,
pa ia bërë syri tërr
nga predikimi,
se paska karakter të fortë
vetëm ajo që mposht epshet e kësaj bote?
A ke dashuruar një grua të tillë të çmendur,
që i del epshit gjokshapur,
pa u trembur se do ta qëllojnë, shajnë, përçudnojnë,
a e ke provuar?

– A ke dashuruar një grua të martuar
të marrosur deri në vdekje për ty?
– Po… të kam provuar ty, – më the.
– Të kam provuar në këtë jetë.
Dhe do të doja edhe në jetën tjetër.
– Atëherë më prit… – të thashë.
Vij me njollat mavi në trup,
pa asnjë pelerinë të m’i mbulojë mëkatet,
jam vetë Mëkati,
e tëra dhe e bëra.

***

Ne ishim kampionë, i dashuri im
kampionë
Dhe ngjiteshim veç lart
në rrugën që rrallë shkohej.
Paraja, Arroganca, Pushteti
mundoheshin të na joshnin
e të na ngjitnin me teleferik të shpejtë në majë,
po ne u besuam këmbëve dhe shpatullave,
të rënduara nga ngarkesat,
i besuam mendjes dhe intuitës sonë
për të shijuar rrugën e ngjitjes,
për të provuar shtigjet e rrezikut
dhe daljen prej tyre,
për ta sfiduar erën përballë.
Ne i besuam kohës
që suksesin ta sjell ngadalë,
por të sigurt.
Ndaj dhe në sheshpushime nuk rehatoheshim,
por mendonim për ngjitjen.
Ne ishim kampionë të jetës, i dashuri im,
ishim kampionë të dashurisë
që rrallë përjetohet.

Kur ike, më le të vetme në ngjitje, goxha lart.
Po asnjëherë kampionët nuk mbeten vetëm,
se shtigjet e shpirtit i bashkojnë
me të ngjashëm si ta.

***

Do të zgjidhja përherë mungesën tënde,
sesa të kem në krah një prej zhurmuesve mëtonjës,
që rrahin gjoksin për të fshehur frikërat,
që fjalën e dhënë e përdorin si letër higjenike,
që kollaren e quajnë status edhe në shtrat,
që pushtetin e quajnë burrëri,
që lirinë e gruas e quajnë perversitet,
që besnikërinë e një gruaje e quajnë të dalë mode.
Ata, të cilët kurrë një orgazëm për së mbari
nuk mund t’i japin një femre…

***

Nuk e kam ëndërruar ndonjëherë veten
mbretëreshë me kurorë diamantesh,
më bënin të lumtur të gjitha kurorat
që ti m’i thurje dhe m’i vije mbi kokë,
qofshin ato me gjemba a hithra,
qofshin me luledele a dafina.
Kur të humba ty, mbreti im,
nuk qava se humba mbretërinë tënde,
por mbretërimin tënd
në trupin dhe trurin tim.

***

Bashkë jetuam gjatë,
po varret do t’i kemi shumë larg
fati i keq i dashnorëve…
Ndërsa burrë e grua,
edhe sikur të jenë urryer në jetë,
i vënë të prehen përjetësisht bashkë,
ose pranë e pranë.

ObserverKult