Cili ishte synimi i Lidhjes së Prizrenit, lëvizjes së parë shqiptare të madhe, 143 vite më parë…?

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës.

Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër trupave osmane.

Afro 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15.000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës. Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën.

Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 prill 1881.

Luftëtarët e Lidhjes i thyen më shumë se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut. Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën.

Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan luftime në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.

Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat.

Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut.

Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës.

Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese.

Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtinës, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj. Këto komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme.

Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit, e cila kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit. Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë të rëndësishme: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut.

Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet.

Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë.

Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit:

“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane.

Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës./panorama.com

ObserverKult


Lexo edhe:

144 VJET NGA FORMIMI I LIDHJES SË PRIZRENIT

144 vjet më parë, më 10 qershor 1878 filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e XV.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


KUSH ISHIN DY THEMELUESIT E VËRTETË TË LIDHJES SË PRIZRENIT?

“Le Moniteur Universel” ka botuar, të premten e 13 gushtit 1880, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me themeluesit e vërtetë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

“Lidhja Shqiptare i detyrohet origjinës së saj dy burrave që zënë sot në kabinet (qeveri) dy postet më të rëndësishme. Abedin Pasha (Abedin pashë Dino ose Abedin pashë Preveza), ministër i Punëve të Jashtme dhe Hysen Hysni Pasha, ministër i Luftës.

Një ambasador më tha së fundmi se kur pa këta dy burra vdekjeprurës të vinin në pushtet, ai ishte dëshpëruar për zgjidhjen paqësore të çështjeve në pritje dhe kishte filluar të frikësohej për ndërlikimet më të rënda.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult