Çka është Besa e shqiptarit?

Nga Sadri Fetiu

Në gjuhën e popujve të ndryshëm ka fjalë që përmbajnë në vetvete përbërës kuptimor që janë karakterizues për një popull dhe për gjuhën e tij. Fjalët e këtilla me domethënie të veçanta për etnosin e caktuar përkthehen vështirë në gjuhë të tjera, sepse si nocione autoktone nuk i kanë ekuivalencat përkatëse në gjuhët e tjera. Ndërmjet fjalëve të kësaj kategorie në gjuhën shqipe dallohet fjala besë, e cila me vetë semantikën e saj nënkupton edhe fjalën përcaktuese shqiptare.

Sado që si aspekt i veçantë i institucionit juridik, kjo fjalë është shpjeguar me shprehje gjuhësore që kanë kuptime përafërsisht të ngjashme me gjuhën latine, gjermane e të tjera, si aspekt i veçantë i fenomenit etik dhe estetik që ka të bëjë edhe me traditën krijuese, mund të kuptohet qartë vetëm në gjuhën e saj burimore – në gjuhën shqipe.

Besa, si fenomen i veçantë i jetës shpirtërore dhe shoqërore të shqiptarit, ka zanafillë që nga periudhat e hershme të jetës fisnore të paraardhësve të këtij populli. Si nocion që shtrihet në sfera të ndryshme të jetës individuale, sociale dhe kombëtare, besa përmban në vetvete një kompleks vlerash, virtytesh dhe karakteristikash etnopsikologjike, që e dallojnë këtë popull nga të tjerët. Besa si kuptim i veçantë i jetës së shqiptarit në të kaluarën, “si komponente e pandashme e etikës individuale”, identifikohet plotësisht me fatin e këtij populli gjatë shekujve të kaluar, si virtyt i një populli të lashtë, si detyrim moral, i bazuar në kuptimin e përgjithshëm që sanksionohet me vet jetën e subjektit.

Ajo njëkohësisht është normë tradicionale e jetës së ashpër të një populli, që ka kaluar nëpër shtrëngata të tmerrshme të historisë, si normë juridike e një populli që nuk u është nënshtruar kurrë institucioneve juridike shtetërore të pushtuesve të ndryshëm, por vetë në mënyrë të pavarur, në bazë të normave të veta kanunore, i ka zgjidhur problemet ekzistenciale të familjes, të fisit e të shoqërisë. Në këtë mënyrë besa është bërë edhe komponente e përhershme etnopsikologjike e popullit shqiptar

Besa – sintezë e virtyteve

Si virtyt që çmohet mbi të gjitha të tjerat, si sintezë e virtyteve të trimërisë, të burrërisë, të besnikërisë, të vetëmohimit e të sakrificës njerëzore për të mirën e përgjithshme dhe si ideal etik dhe estetik, që lidhet me vetë qëllimin e ekzistencës së njeriut, besa i ka kushtëzuar shpesh mërdhëniet e caktuara shoqërore, mënyrën e veprimit të individit dhe të bashkësisë më të gjerë etnike, prandaj edhe është ngulitur në mënyrë të veçantë në të gjitha llojet e krijimtarisë popullore. Ajo në këto aspkte dëshmohet në mbarë kulturën popullore të popullit shqiptar.
Si karakteristikë etnopsikologjike e popullit tonë ajo është dëshmuar dhe vlerësuar lart edhe në trashëgiminë kulturore, në shkrimet e dijetarëve, të poetëve, të prozatorëve, të dramaturgëve e të historianëve shqiptarë që nga Barleti e deri me sot.

Besa – motiv i veçantë i krijimit artistik

Si fenomen i caktuar i jetës, si motiv i veçantë i krijimit artistik, si bazë e sistemit të motivacionit për shumë lloje të krijimtarisë popullore, besa në shumë raste e ka edhe funksionin e agjensit të krijimit letrar artistik. Duke filluar nga shprehjet e zakonshme të të folurit në jetën e përditshme, siç janë përcaktuesit e mohim a të pohimit: “besa po” e “besa jo”, nga frazeologjitë e ndryshme, nga fjalët e urta, nga poezia lirike, sidomos ato të dashurisë, e deri te llojet më të gjata të epikës legjendare e historike, besa si karakteristikë e veçantë etnopsikologjike e popullit shqiptar, si vlerë etike dhe estetike e këtij populli, e ka funksionin e vet të caktuar në krijimtarinë artistike dhe mbarë kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Besa ka një përhapje shumë të gjerë në epikën legjendare shqiptare, sidomos në atë të ciklit të kreshnikëve. Ajo i karakterizon shpesh figurat e heronjve e shpesh edhe të qenieve mitologjike të këtyre këngëve. Si kult i shenjtë i shqiptarit besa është virtyt që i dallon kreshnikët tanë nga kundërshtarët e tyre, të cilët i karakterizon poshtërsia, dinakëria dhe pabesia. Në të gjitha këngët tona pabesia dënohet shumë ashpër, ndërsa besa është kusht i caktuar që i motivon brenda strukturës së tërësishme të këtyre krijimeve poetike këngëve dhe sjelljet e personazhëve, sidomos të protagonistëve të këngëve.

“Besën kreshnikët ia japin mikut për ta ruajtur prej rreziqeve, ia japin njëri-tjetrit për të qëndruar të fortë para vështirësish, për t’u dalë në krye ndërmarrjeve që kërkojnë guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme”. Ajo herë-herë karakterizon edhe mardhëniet e caktuara me kundërshtarët e tyre të drejtpërdrejtë, me kralët e harambashët sllavë, me të cilët shpesh duhet edhe të ndeshën në duele të vështira. Në këngën e njohur për vlera shumë të larta artistike midis krijimeve të shumta të ciklit të kreshnikëve “Martesa e Halilit” vetë heroi pohon:

E un Tanushën vetë e ko’ pa
Kur kem’ pasë besë me Krajli.

Kjo dëshmon qartë se me anë të institucionit të besës si kuptim juridik në ndonjë rast në ciklin e kreshnikëve janë rregulluar edhe marrëdhëniet ndërmjet palëve kundërshtare, është lidhur besa e paqes e njohur në bazë të normave të jetës kanunore në viset e Malësisë së Veriut. Në epikën legjendare shqiptare virtyti i besës u atribuohet, madje, edhe qenieve mitike dhe atyre të besimeve popullore, siç janë: zanat, orët, kuçedra e të tjera. Kuptimi i veçantë i funksionit që ka besa në jetën e shqiptarëve shtrihet edhe deri te kultet e figurave kosmike, siç janë Dielli e Hëna.

*Shkëputur nga libri “Balada popullore shqiptare”, Sadri Fetiu, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2000

Përgatiti: ObserverKult

—————————-

Lexo edhe:

ÇKA DUHET PËKTHYER APO SI DUHET PËRKTHYER? JA ÇKA MENDONTE ARSHI PIPA….