Ç’është poezia?… ja si ishte përgjigjur Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borges a do të qëndrosh
Jorge Luis Borges

Borges për poezinë:


Roberto Alifano: Borges, ç’është poezia për ju? Si do ta përkufizonit?


Borges: Mendoj se poezia është diçka aq intime, diçka aq thelbësore sa nuk mund të përkufizohet pa u tretur. Do të ishte sikur të përpiqeshim të përkufizonim ngjyrën e verdhë, dashurinë, rënien e gjetheve në vjeshtë… Nuk e di se si mund t’i përcaktojmë gjërat thelbësore. Më vjen në mendje se i vetmi përkufizim i mundshëm do të ishte ai i Platonit, pikërisht sepse nuk është përkufizim, por sepse është një fakt poetik. Kur flet për poezinë, Platoni thotë: «Ajo gjë e lehtë, flatrore dhe e shenjtë». Besoj se, në një farë mënyre, ky mund të jetë njëfarë përcaktimi i poezisë, pasi nuk e përkufizon atë në mënyrë të ngurtë, përkundrazi, i ofron imagjinatës imazhin e një engjëlli ose të një zogu.

Përktheu: Bajram Karabolli

ObserverKult

—————————–

Lexo edhe:

KËSHILLË E BORGESIT: MOS U NGUTNI TË BOTONI!

Teksti i Jorge Luis Borgesit , në hyrje të “Pedro Páramo”:

Poetja e shquar amerikane, Emily Dickinson, besonte se botimi nuk është pjesë thelbësore e fatit të një shkrimtari. Juan Rulfo duket se ka besuar po ashtu. Ishte një adhurues i leximit, vetmisë dhe i shkrimit të dorëshkrimeve, të cilat i rishikonte, i korrigjonte dhe i asgjësonte.

Kësisoj, nuk po e botonte dot librin e tij të parë, “Rrafshina në flakë” (1953), deri sa pothuajse shkoi dyzet vjeç dhe, kur një mik i tij kokëfortë, Efrén Hernández, ia rrëmbeu origjinalet dhe i çoi për t’i shtypur.

Ky vëllim me nëntëmbëdhjetë tregime parafytyron dhe paraprin disi romanin. Që e bëri Rulfon të famshëm në shumë vende dhe në shumë gjuhë. Që nga çasti kur personazhi rrëfyes, i cili kërkon babanë e tij, Pedro Páramon, has një të panjohur që thotë se janë vëllezër dhe se të gjithë banorët e fshatit quhen Páramo, lexuesi kupton se ka hyrë në një libër fantastik, degëzimet e papërcaktuara të të cilit nuk i japin mundësi të parashikojë, veç forca tërheqëse e tij e mbërthen.


Shumë të ndryshme janë analizat që kanë bërë kritikët për këtë roman. Ndoshta më e lexuara dhe më kompleksja është ajo e Emir Rodríguez Monegal. Historia, gjeografia, politika, teknika e Faulkner dhe e disa shkrimtarëve rusë dhe skandinavë, sociologjia dhe simbolizmi, kanë qenë çështjet me të cilat janë marrë, me shumë zell, por deri tani askush nuk ka arritur të zbulojë ylberin, në se do të përdorim metaforën e çuditshme të John Keats.
“Pedro Páramo” është një nga romanet më të mirë të letërsisë në gjuhën hispanike dhe madje edhe të letërsisë.


Përktheu: Bajram Karabolli