Çka ndodhi në ’98-ën, rrëfimi i Helena Kadaresë për ‘sekretet’ pas fotove të Roland Tashos

Nga Ismail Kadare tek Ben Blushi, Roland Tasho rrëfen si e firmosën 43 shkrimtarë karrigen e tij të shtëpisë, sot me vlerë muzeale. Helena Kadare në ekspozitë, rrëfen shkrepjen dhe lidhjen e familjes me fotografinë. Mimoza Ahmeti e Ylljet Aliccka, rrëfejnë si u realizuan portretet.

Në vizionin e tij, nuk e shihte si karrige për shkrimtarin, por si karrigen e shkrimtarit, disa prej atyre që kanë shënuar gjurmë në letërsinë shqipe. Si simbol i kësaj shenje Roland Tasho, mendon plot një çerek shekulli më parë, t’i ftojë disa prej autorëve më në zë të firmosin në një karrige të vjetër prej druri, që prej vitesh plotësonte tryezën e familjes së tij… Vetëtimthi e merr këtë objekt familjar, e në krye të ’98-ës idetë i qartësohen, ajo që dukej një kapriço e çastit, në të ardhmen do të kishte tjetër vlerë…

“Karrigia vjen nga shtëpia. E madje siç e kemi ne fotografët, e marr një ditë vetëtimthi, e hipi në makinë dhe mamaja që po më gjëmonte pyeti se ku po e çoja. Ne kishim 4 të tilla, në shtëpi e mbetën 3, njëra tashmë ishte destinuar, për projektin me firmat”, shprehet fotografi Roland Tasho.

Nga fotografët e parë e të besuarit të Ismail Kadares, Tasho e fton shkrimtarin që të lërë gjurmën i pari. Firmat do të shoqëroheshin me një foto portret, të shkrepur në studion e shkrimtares Mira Meksi. Një lapustil, e gjurma e Kadaresë është aty!

Firmat e para janë të Ismailit, Mira Meksit e Helena Kadares. Firmat e fotot me çiftin Kadare u mundësuan në vitin e largët në vitin 1998 meqenëse kisha një lloj miqësie, aq sa mund të konsiderohet e tillë me Ismailin, por edhe me Meksin po ashtu. Gjithçka u realizua në zyrën e Meksit, dhe unë prej firmës së Kadaresë, pata parandjenjën se gjithçka do të shkonte mirë. E në fakt kështu ndodhi, firmosën edhe Helena me Meksin, e pastaj vijova me të tjerët”, shprehet Tasho.

Pas tri shkrimtarëve të parë, karriges për mbi dy vjet iu shtuan 40 firma të tjera… portrete në foto që ekspozohen bashkë me objektin me vlerë këtë fund dhjetori në Qendrën e Librit, janë mbi 50. Secila prej tyre mbart një histori, emocionet e shkrimtarit, por edhe të vetë fotografit… Të dy aktorët e kësaj dëshmie, rreken të kujtojnë momentin pas imazhit e firmës… bisedën që u parapriu shkrepjeve…

“Patjetër që para fotografive ka komunikim e njohje. Shkrimtarit i tregohet projekti e pastaj është procesi i fotografimit, që duhet të kalojë i qetë”, tregon më tej ai.

Në bisedat që i paraprinë këtyre firmave, Kadare i pat thënë se këto fotografi të tij janë njëfarësoj të vlefshme si librat që shkrimtarët shkruajnë, ndërsa Dritëroi, thoshte se karrigia e firmosur, njësoj si vera, me kalimin e viteve do të kishte edhe më shumë vlerë… E ja tani, portretet e tyre, me emocionet e dikurshme të mbërthyera në bardhë e zi e me dritëhije, u flasin vizitorëve…

“Pa marrë përsipër të bëj antologjinë e letërsisë shqipe, por me këtë punën time dhe për fatin tim kam mbledhur shkrimtarët dhe përkthyesit më të mirë të asaj periudhe, e tashmë mund të them se është kthyer në një vlerë muzeuale”, thotë fotografi.

Imazhet janë fiksuar me të njëjtin aparat analog “Nikon”, e fotografi siç rrëfen për secilën prej tyre ka bërë një sërë shkrepjesh.

“Aparatin digjital do ta kisha 5-6 vite më vonë. Për secilën prej portreteve mund të kem shkrepur 100-150 poza për çdo portret, të cilat janë punuar me negativ”, shton më tej.

Tasho, tregon se nuk pati asnjë refuzim nga shkrimtarët që ua propozoi idenë, ndonëse jo çdo fotografi u realizua në studion e Meksit. I tillë qe rasti i poetit Llazar Siliqi… imazhi i të cilit është jetësuar pak muaj para ndarjes nga jeta. E bija, e poetit, Zana rrëfen se i ati, prej muajsh i shtrirë për shkak të shëndetit të rënduar, u çua për këtë foto e kërkoi një kapelë… Atë kapelë republikë që sot mbi dy dekada larg, ia nënvizon buzëqeshjen e brishtë. Me vështirësi, arriti të firmosë, thotë ajo, por ai moment i kishte falur me të vërtetë copëza lumturie…

“Ai ishte i sëmurë, i shtrirë në shtrat, shëndeti ishte rënduar për shkak të moshës. Edhe në momentin e fotos, pranë i qëndronte e bija. Kujtoj se e ngritëm, dhe menjëherë pasi i vendosëm kapelën, ai buzëqeshi, dhe doli kjo foto që i pëlqeu atij, mua dhe të bijës”, thotë Tasho.

Ndonëse cikli i firmave thuajse ishte mbyllur në vitin 2000, fotografi Tasho, 4 vite më vonë do ta bënte përjashtimin me shkrimtarin Ben Blushi, që sot po ashtu lëvron fotografinë. Por, si ishte Blushi para aparatit fotografik të Tashos në atë kohë?

“Blushi rishtazi ka nisur me fotografinë. Në atë kohë ishte tërësisht nën diktatin e fotografit”, tregom në tej.

Fotografitë e Helenës dhe Ismailit në Qendrën e Librit, ekspozohen ndarazi. Siç tregon ajo, imazhet nuk janë shkrepur në të njëjtën kohë.  Tasho e sjell, jo si bashkëshorten e shkrimtarit, por për kontributin e saj në krijimtari letrare e përkthim… 24 vite larg, Helena viziton projektin e përfunduar e ndan me ne përjetimet.

“Së pari unë jam e emocionuar sepse shikoj figura të njerëzve, shumicën prej të cilëve kam pasur miqësi e për fat të keq sot nuk janë më midis nesh. Dhe kjo është e trishtueshme. Nga ana tjetër shikoj plot figura duke filluar me radhë, nga Piro Misha, Bashkim Shehu, Visar Zhiti, Preç Zogaj etj., treçerek të shkrimtarëve, portetet e të cilëve janë sot këtu, janë  figura shumë të dashura për mua”, tregon shkrimtarja e përkthyesja Helena Kadare.

Shkrimtarja tregon se e tërheqin shkrepjet që e nxjerrin sa më natyrshëm, mundësisht në pa mëndje…  ndaj kur takon veten në këtë imazh të 24 viteve më parë,  rrëfen kështu përshtypjet.

“Përshtypja ime… mua më duket vetja atje shumë serioze, si e pozuar, kjo nuk më pëlqen në një foto”, shprehet Helena Kadare.

Ndryshe nga bashkëshorti shkrimtar, Helena thotë se kamera dhe aparati e timidojnë. Ndonëse imazhet e saj në të dyja kohët kanë ardhur këndshëm tek publiku, e madje ajo ka qenë një model referimi, sa i përket kujdesit në dukje e stilit të veçantë.

“Unë kisha fatin se isha lidhur me një njeri si Ismaili, kështu që, doja s’doja isha shumë kërkuese ndaj vetes për të qenë gjithmonë e pëlqyeshme në këtë raport.  Ndoshta kjo ka luajtur një rol”, thotë ajo.

Janë të shumta fotografitë nga çifti Kadare që mbajnë firmën e Roland Tashos…

“Rolandi gjithë jetën ka qenë një fotograf që na ka ndjekur si këtu, ashtu dhe në Paris, sa herë që vinte atje. Ne kemi shumë fotografi të tij atje në apartamentin tonë.  Sidomos gjatë krizës së Kosovës në ‘99-ën, ai ka bërë një plak kosovar të dobët me një cigare, është një shkrepje e tillë, që çdo mik që na vinte në shtëpi, ose gazetar për intervista për Ismailin na thoshte çfarë është kjo foto kaq e bukur…”, rrëfen Helena.

Por në familjen Kadare, fotot jo gjithmonë janë bërë nga fotografë…

“Kur ishim të rinj, Ismaili kishte qejf të fotografonte. Mbaj mend veçmas, kur isha shtazënë me vajzën e parë, pavarësisht këmbënguljes sime, ai bëri shumë foto. Pastaj ka qenë një periudhë që hoqëm dorë dhe rifilluam sërish. Kurse ata që vinin për të bërë fotografitë sigurisht kishin qëllimet e tyre për një revistë për një ekspozitë. Për mua kjo ishte e meta kryesore e tyre kur i shoh tani…pozat”, tregon më tej

Fotot e saj më të bukura thotë se janë shkrepur në rini…

“Rinia e ka bukurinë Brenda, fotot e rinisë padyshim janë më të bukurat”, rrëfen.

Ndërsa e ka të vështirë të zgjedh mes imazheve që janë fiksuara me Ismailin.

“Kemi shumë në fakt janë me qindra, por ato më të mirat i kanë marrë vajzat në Paris. I mbajnë në shtëpitë e tyre…”, thotë shkrimtarja.

Disa prej shkrimtarëve, pjesë e projektit, i janë bashkuar çeljes së ekspozitës, për të ripërjetuar copëza të atyre momenteve… Mimoza Ahmeti kujton se në atë periudhë, fillimisht ideja e Tashos për të firmosur në një karrige i dukej e çuditshme, e tani, tek e shikon të realizuar, emocionet për të janë pozitive…

“Tani që e shikoj të realizuar dhe që e pashë dhe përpara pjesërisht, kuptova që Landi kishte për qëllim që të fiksonte frymën e një epoke, të të gjithë autorëve që kanë ndikuar me elementin simbolik shkrimor mbi lexuesin mbi audiencat shqiptare dhe ka bërë një punë të mrekullueshme”, thotë Ahmeti.

Pothuajse si të gjithë shkrimtarët e pranishëm, edhe Ahmeti ka disa fotografi të realizuara nga Roland Tasho… Shkrepjet me përkthyesin Jusuf Vrioni, janë disa prej tyre… Tregon se fotografi është treguar bujar e ka lejuar përdorimin e tyre edhe në raste të tjera.  E në imazhet e tij, ka edhe prej brendisë së njeriut. Si në këtë foto të projektit, kur Ahmeti sa kish shënuar të 35-tat e Shqipëria jetonte një periudhë të vështirë…

“1998-ta të themi të drejtën ishte një vit mjaft i dhimbshëm. Kishte kaluar viti 1997, Lufta e Kosovës ishte nëpër këmbë, të gjitha këto kishin shkatërruar elementët e besimit metafizik, që ka një autor. Kështu që fotografia po të shikosh ka pak lama poshtë syve, të cilat para pak viteve nuk ishin. Dhe ka atë trishtim. Por përveç kësaj Landi më kishte kapur në disa mjedise të tjera, në gjendje të tjera, që kur unë i zbulova më vonë, kuptova që ky personazh punonte në një qetësi , në një profesionalizëm të pa zhurmshëm, dhe unë u habita se sa shumë momente të miat kishte fiksuar, në mjediset e punës ku unë punoja , si dhe tek kjo studio që kisha dhënë firmën. S’ishte firmë po ishte vetëtimë (qesh)!”, tregon më tej Moza Ahmeti.

Ahmeti rrëfen se midis fotografive e firmave Tasho ka gjetur një element përbashkues, ku ka integruar disa prej figurave më me peshë të artit shqiptar letrar .

“Nëse i shikon, për shembull, figura e Hatibit është shumë e spikatur, figura e Plasarit shumë e spikatur. Pra nuk janë thjesht foto, por përpiqen të depërtojnë në brendësi të karakterit dhe për çudi të gjithë melankolinë e viteve ‘98 –‘99 etj., kur u transformua liria ose ideja e lirisë në ide tranzicioni. Të gjithë këtë e ka të përthithur edhe në portretin tim”, shprehet ajo.

Edhe shkrimtari Ylljet Aliçka është në këtë takim mes miqsh, ku krahas shkrimtarëve takon edhe epokat përmes imazheve të ngrira në kohë… Në këtë fotografi të tijën, duket se Tasho ka përjetësuar një moment të gëzueshëm, ose biseda mes të dyve ka provokuar këtë buzëqeshje të çastit.

“Ose na bënte për të qeshur… Se ishte momenti që na thërriste për të firmosur në karrige, çka ishte edhe i pazakontë si gjest. Uleshim aty në gjunjë, dhe ngaqë s’kishte vend, kthenim karrigen nga këmba, nga koka dhe i gëzueshëm quhet. I gëzueshëm kur je bashkë me shkrimtarë të tjerë. Pra është tamam na ka bashkuar jo vetëm fotoja por kjo karrigia, sikur i mishëroi të gjithë emrat!”, thotë shkrimtari Ylljet Aliçkaj./shqiptarja.com


Lexo edhe:

PSE ISMAIL DHE HELENA KADARE NUK E PRESIN MË “NOBELIN”?!