Çka po ndodh në Shkup, pse po shkatërrohen varrezat ilire për të bërë ndërtesa moderne?

Ditë më parë, tek po punohej me eskavatorë për qëllime ndërtimi në zonën arkeologjike në Karposh të Shkupit apo Skupit antik, dolën në sipërfaqe pllaka guri me mbishkrime latine të cilat konsiderohen se janë gurë varresh ilire, madje tek njëri gjindet i skalitun edhe emri “Dardanus” (Dardani). Shkaku i ‘zhurmës’ mediale të disa intelektualëve shqiptarë të Shkupit por edhe të një kronike të emituar nga TV21, autoritetet maqedonase i kanë ndaluar punimet. Shkrimi i përkthyer i intelektuales dhe i politikanes maqedonase, Nikica Korubin, flet mbi këtë problematikë dhe hedhë dritë mbi qëllimet e vërteta të pushtetarëve maqedonas lidhur me këtë lokalitet të rëndësishëm, jo vetëm për Maqedoninë

Shkruan: Nikica Korubin

Vëmendja që këto ditë iu kushtua lokalitetit arkeologjik të Skupit, për shkak të urbanizimit masiv dhe brutal të gjithë zonës dhe në pritje të projektit të radhës ndërtimor; hapi pyetjen për trajtimin e trashëgimisë kulturore në vendin tonë në përgjithësi, por konkretisht çfarë nënkuptojnë shteti dhe institucionet tona kompetente me termin “menaxhimi i trashëgimisë kulturore”?

“Në vitin 2016 Qendra Konservatore NU Shkup ka bërë një raport për rivlerësimin e lokalitetit arkeologjik të Skupit, në bazë të këtij raporti ka një vendim të Qeverisë që përcakton kufijtë e lokalitetit, zonën e mbrojtur, zonën e prekur dhe mbrojtjen. Parcelat në të cilat është ndërtuar objekti ndodhen në zonën e prekur, ku parashikohet një regjim ndërtimi i lejuar me kërkime arkeologjike të detyrueshme paraprake mbrojtëse”, thotë institucioni që drejton kërkimin arkeologjik mbrojtës dhe që supozohet të mbrojë truallin. Çfarë po na thonë në të vërtetë me këtë? Akti i mbrojtjes, gjegjësisht vendimi i qeverisë, pas raportit për rivlerësim dhe kontrollit të kaluar nga administrata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të mbrojë ligjërisht dhe faktikisht lokalitetin arkeologjik të Skupit. Pra, sipas institucionit kompetent për mbrojtje, kështu duket praktikisht mbrojtja e lokalitetit arkeologjik më të madh (sipas sipërfaqes) në vendin tonë, dhe ndër më domethënësit, jo vetëm në vendin tonë, sipas natyrës së gjetjes dhe të dhënat historike.

Por ajo që në fakt parashikohet nga ai akt mbrojtës apo vendim i qeverisë, ai elaborim që, bie fjala, është kompetencë ekskluzive e institucioneve kompetente nga sfera e mbrojtjes dhe mbi të, nuk ka absolutisht asnjë ndikim, në kuptimin formal-juridik, asnjë institucion apo organ nga një departament tjetër. Me fjalë të tjera, ligjërisht askush nuk mund të ushtrojë “presion” mbi formën dhe përmbajtjen e atij akti. Ai akt përmban të ashtuquajturin “regjim të mbrojtjes”, pra çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëhet në zonën arkeologjike, pra çdo e mirë që përfaqëson trashëgiminë kulturore të mbrojtur.

Ekzistojnë tre shkallë të mënyrës së mbrojtjes: e para, e dyta dhe e treta (d.m.th., zona e prekur nga njoftimi, ku është parcela aktuale e ndërtimit, por jo e fundit).

SHKALA E PARË: “Regjimi i mbrojtjes i shkallës së parë nënkupton mbajtjen, respektimin, ruajtjen, duke kultivuar dhe përdorur të mirën sipas qëllimit të saj…”

SHKALA E DYTË: “Regjimi i mbrojtjes së shkallës së dytë nënkupton ruajtjen e gjendjes origjinale dhe mundësinë e përshtatjes së ambientit të brendshëm, punimeve për rivitalizimin, rregullimin ose ndërtimin e ndërtesave të reja në vendet bosh, në kushte të caktuara…”

SHKALA E TRETË: “Regjimi i mbrojtjes së shkallës së tretë nënkupton përshtatjen arkitektonike të ndërtimit dhe kufizimi në lidhje me madhësinë dhe lartësinë e ndërtesave.”

Me fjalë të tjera, vetë institucioni kompetent për mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik të Skupit e ka “hequr” mbrojtjen e pjesëve të lokalitetit arkeologjik të Skupit dhe ligjërisht ka lejuar ndërtimin e objekteve në një pjesë të lokalitetit në një lokacion të njohur që nga shekulli i kaluar, si Nekropoli Lindor, dhe duke e bërë këtë në të ardhmen e afërt (derisa të përfundojë plotësisht zgjerimi ndërtimor i lokacioneve tërheqëse), “kërkimet arkeologjike mbrojtëse” të cilat do të përfundojnë me një “hapësirë ​​krejtësisht të lirë nga çdo gjurmë e një lokaliteti arkeologjik” dhe kjo do të paraqitet si “mbrojtje e trashëgimisë kulturore”?! Pra, çfarë e mbron, sitin arkeologjik nga urbanizimi, apo e mbron urbanizimin nga trashëgimia kulturore, e cila shfaqet si “pengesë”? Gjithçka është legale, apo jo?

Dhe deri ku shtrihet në të vërtetë “zona e prekur”, domethënë shkalla më e ulët e mbrojtjes? Pse, për shembull, nuk është një zonë e dytë, për të kontrolluar atë që guxohet të ndërtohet? Cilët janë kufijtë e lokalitetit? Sa është reduktuar në fakt Skupi me shkallën e parë të mbrojtjes, pra çfarë nënkupton sot shteti kur thotë “lokaliteti arkeologjik i Skupit”? Kam frikë, as afërsisht asaj që është në të vërtetë. Dhe ky është matësi për qëndrimin ndaj trashëgimisë kulturore, institucionale, profesionale dhe laike. Dhe cila është strategjia e shtetit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të cilën e zbaton kjo dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente?

Në fund, edhe një tjetër paradoks, që në fakt është vetëm “maja e ajsbergut” për mospërputhje institucionale, kompetenca të përziera dhe të ndryshuara qëllimisht, dhe një përshtatje ndaj monopolit, klientelizmit dhe përfitimit të pastër që fshihet pas perdes të “mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”.

“Regjimi i mbrojtjes së shkallës së parë i referohet:

1. Trashëgimisë kulturore me rëndësi të veçantë; dhe

2. Zonës së rezervuar arkeologjike”.

“Trashëgimia kulturore me rëndësi të veçantë” është një kategorizim i trashëgimisë kulturore sipas vlerave të saj dhe ka dy nënkategori: të jashtëzakonshme (që ka rëndësinë më të lartë kombëtare dhe vlera universale për njerëzimin) dhe të mëdha (që ka rëndësi të madhe vetëm për historinë kombëtaren). A mendoni se Skupi është logjikisht në kategorinë e parë? Po mashtroheni. Skupi, sipas institucioneve tona kompetente, nuk ka rëndësi universale dhe nuk është e rëndësishme për njerëzit.

Përktheu: Fahredin Spahija

*Titulli i origjinalit: SKUPI si model për vrasjen institucionale të trashëgimisë kulturore?

————–

Lexo edhe:

ISA BOLETINI: MË DHEMB ZEMRA KUR MENDOJ PËR SHKUPIN, MANASTIRIN, KOSOVËN…