Çka po ndodhë me Këngët e Kreshnikëve dhe xhubletën, a do të na i marrin lahutën?

Studiuesi Zymer Neziri, mes rapsodëve nga të gjitha trevat shqipfolëse, prezantoi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë studimin e një jete.

Ai e cilëson folklorin shqiptar, pasuri të përmasave të jashtëzakonshme, që duhet që ta nderojnë të gjithë se janë rrënjët edhe identiteti ynë, pavarësisht se në Kosovë edhe në Shqipëri ka pushtetarë shqiptarë që nuk e vlerësojnë sa duhet folklorin. Megjithatë, studiuesi i njohur shpreson që të vazhdojnë të bëhen përpjekje për futjen e lahutës, gjurmët e së cilës janë mbi 2000-vjeçare, për futjen e sa në UNESCO, ashtu sikundër ndodhi para disa muajsh edhe me guslën serbe.

“Çfarë të them?! Dua që të them se po presim ditë më të mira. Këto ditë kanë nisur në dhjetorin e vitin që shkoi, kur ndodhi ajo që ndodhi me projektin serb për lahutën, e cila u pranua në UNESCO. Dosja tani është në Tiranë, por nuk e di gjendjen e saj të saktë. Ajo që mungon do të plotësohet edhe shpresoj, që së shpejti dosja të marrë rrugën e vet në drejtim të Parisit”, shprehet profesor Neziri.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe lahutarë nga Kosova. Ata u bëjnë thirrje, të gjithë intelektualëve shqiptarë, që të bëhen bashkë edhe të punojnë, që Eposi i Kreshnikëve edhe lahuta, të futet në UNESCO sa nuk është vonë.

“Ne jemi paksa të vonuar. Faji është tek ne jo tek të tjerët. Nuk duhet që të krahasohemi me serbët apo malazezët, por ne jemi të vonuar si komb. Kemi pasur mundësi që të reagojmë më herët, por i kemi lënë pas dore, ashtu siç po lëmë pas dore edhe xhubletën. Nuk shkohet në UNESCO me duar në xhepa. Shqipëria është në UNESCO, përse mos të shfrytëzohet kjo, të shkruhet e folura, ritet, këngët, vallet edhe instrumentet. Ne na i marrin këto vlera, sepse rrimë duarkryq. Vetëm së bashku mundet që t’i ruajmë të gjitha, veçmas nuk mundet që të ruajmë asgjë”, shprehet lahutari Vesel Nikçi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Ansamblit Folklorik “Rugova”.

Image

Isë Elezi edhe Rustem Bajramaj, janë dy nga lahutarët më të njohur në mbarë trevat shqiptare. Teksa rrëfejnë eksperiencën e tyre, si lahutar, që prej vegjëlisë, dëshirojnë që kjo traditë të vazhdohet edhe tek brezat pasardhës

“Ne nuk kemi punuar, ndoshta edhe ne mund të na pranojnë, sepse ne nuk ua marrim serbëve, as ata neve, sepse lahuta është e globit”, thotë Isë Elez Muriqi, lahutari që di mbi 30 mijë vargje.

Rustem Bajrami, lahutari 90-vjeçar, që ka marrë udhën nga Kosova, për të qenë prezent në Tiranë, shprehet se: “ Unë lus kombin shqiptar, që mos të humb veten, të duan njëri-tjetrin edhe mos të duan armikun…”.

Profesor Neziri, i cili numëron rreth 40 vite punë edhe kërkime mbi Eposin e Kreshnikëve ndalet edhe tek emergjenca që duhet bërë për ruajtjen e kësaj tradite, sepse ndonëse në trevat tona janë rreth 300 bartës të eposit të kreshnikëve, vetëm 2 rapsodë dinë rreth 10 mijë vargje.

“Para 40 vitesh 8 lahutarë dinin mbi 10 mijë vargje, sot janë vetëm dy bartës të Eposit të Kreshnikëve. Pra gjendja nuk po ndryshon për të mirë, por është e mirë në krahasim me të tjerët, që nuk e kanë më. Ne kemi edhe 300 bartës të Eposit të Kreshnikëve që dinë mbi 100 mijë vargje. Të hapen kudo shkollat e lahutës, kemi edhe bartës të brezit të rinj, që në vijimësi do të vazhdojnë herë pas here. Unë fajësoj kohën, që ka vepruar kështu me shumë etnokultura, por në këtë rast s’fajësoj vetëm kohën, por edhe pushtetin lokal edhe qendror, që nuk i ruajnë si Monumente të rralla. Ata duhet që të kenë statusin e mbrojtjes shtetërore, edhe pension të shtetit, sepse shumica e tyre jetojnë keq, por shteti nuk është mbrapa tyre”, shpjegon studiuesi Neziri.

Në përfundim të ligjëratës në kuadër të projektit “Tragë” në Akademinë e Shkencave profesor Neziri u bënë thirrje institucioneve shtetërore, që të t’i mbrojnë këto vlera, të cilat përfaqësojnë identitetin tonë kombëtar./shqiptarja