Në 100-vjetorin e tij të lindjes, shkrimtarja Flutura Açka pati zgjedhur ta kujtojë Arshi Pipën përmes një artikulli që e ka shkruar për të mbi 18 vite më parë.
Bëhet fjalë për një përmbledhje që Açka i bën fjalës së tij, gjatë rikthimit në atdhe, pas arratisjes nga vendi në vitin 1957. Artikulli është botuar në 22 korrik të vitit 1992 për “Fjala e lirë”, një nga gazetat e para të pavarura në Shqipëri.
Pipa, gjatë një diskutimi të mbajtur në Universitetin e Elbasanit, prek disa nga problematikat më kritike të kohës, në cilësinë e publicistit, poetit, gjuhëtarit, përkthyesit e veçanërisht kritikut letrar.
Në fjalën e tij, dhe duke iu përgjigjur interesit të medias dhe auditorit, ai shpalos pikëpamjet për dy nga shkrimtarët më të njohur në vend, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, si dhe ndalet te raporti i tyre me pushtetin, parë në këndvështrimin e tij.
Ai tregohet kritik dhe sa i përket shqipes së njësuar dhe vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972. Pipa shprehet se “në gjuhën e njësuar nuk është futur as pesë për qind e shqipes”, dhe se ajo është formuar sipas një “recete
sta liniste”. “Panorama” solli më poshtë fjalën e plotë të Pipës.
ARSHI PIPA PËR ISMAIL KADARENË
Kjo pyetje më bëhet gjithnjë dhe është pak e vështirë nga ana ime të përgjigjem, për arsye sepse kam pasur një polemikë, sikurse e dimë, me Kadarenë dhe nuk mundem në një seancë të tillë të flas gjerë për Kadarenë. Kadareja është një shkrimtar i madh. Kadareja ka shkruar diçka që do të mbetet njësoj, megjithëse një pjesë e saj nuk do të mbetet, pasi ai kur shkruan nuk shkruan për shqiptarët zakonisht, por ka parasysh publikun e huaj, do ta bëjë interesante Shqipërinë, duke e ekzagjeruar dhe përdorur ca teknika grotesku, si komiken e sidomos ekzagjerimin. Këto, natyrisht, janë interesante për botën e huaj, se thonë ata si është e mundur që kjo Shqipëri, përballë Italisë në detin Adriatik, të ketë të tilla absurditete. E me një fjalë e tërheqin lexuesin e huaj.
E natyrisht kjo nuk është e mirë për kombin shqiptar, se e paraqesin të prapambetur. I prapambetur është, por jepet më i prapambetur se ç’mendohet. E me një fjalë, kjo punë që ka bërë Kadareja është pozitive, në radhë të parë për sa i përket rëndësisë artistike. Ai është një shkrimtar shumë i mirë. Po pastaj ai mori një rrugë tjetër. Erdhi një kohë kur ai u vu në shërbim të partisë. Në shërbim të partisë ka qenë edhe kur filloi, por atëherë ishte çilimi, dhe si të thuash, këto kurajo i shkroi me fajet e çiliminjve dhe mund t’i falen. Por në një kohë ai u bë zëdhënësi i komunizmit shqiptar, duke përfytyruar në romanet e tij me Enver Hoxhën, duke i dhënë një zgjidhje disa problemeve, në mënyrën se si i trajtoi, që i përshtaten botëkuptimin Sta linist. Unë kam bërë një studim të gjithë veprës së tij, për ato të botuara të gjatë asaj kohe.
Titulli i tij është “Fenomeni Kadare – nga subversion në komunizëm”. Ai u nis si një subversive, si një njeri i cili donte të shkatërronte si të thuash këtë pëlhurë të shoqërisë të asaj kohe. Këtë e ka bërë me nxit. Dhe ajo që ka bërë ai mund të quhet, me një fjalë, zgjidhje disidente. Por më vonë kjo disidencë e tij fatkeqësisht shkau dhe ai ishte po vetë që i ka kushtuar romane që nga “Dimri i Madh”, pastaj në romanet e tjera që botoi më pas me “Prillin e thyer”, përjashtuar veprën e tij “Pashallëqet e mëdha”.
E me një fjalë u bë konformist, pranoi botëkuptimin sta linist dhe u bë zëdhënës i kulturës shqiptare në botën e huaj. Kjo është ana negative e tij. Unë e vura në dukje edhe këtë anë, e mendova se si kritik letrar unë të them të mirën dhe të keqen, plusin dhe minusin. Por ai e mori jangilesh këtë kritikë timen dhe u përgjigj menjëherë dhe tash e kam të vështirë të flas për këtë çështje, sepse kjo më përket vetëm mua, ka të bëjë vetëm me mua. Kaq kisha për këtë problem.
PËR DRITËRO AGOLLIN
Sa për Dritëro Agollin, ju them se ato vjershat e tij të para kanë qenë vjersha të mira dhe kishin dellin proletar brenda, por poezia nuk matet me ideologji. Në qoftë se ka diçka që nuk matet me ideologji, është pikërisht arti. Pastaj ai u vu në shërbim të ideologjisë komuniste dhe kjo e rrëzoi nga vlerat e mëparshme dhe u bë pak a shumë si Kadareja, një zëdhënës i Enver Hoxhës dhe e humbi dhe atë dhuratë që kishte prej antyre. Se në punën e letërsisë dhe artit në përgjithësi duhet të kuptojmë atë që është shumë e rëndësishme: “Arti nuk del vetëm nga logjika, ka të bëjë me logjikën vërtet, por arti e ka burimin e vet në pamjen e lirë, shpërthen nga fundi i shpirtit, nga zemra, dhe kjo që del nga zemra shprehet me metafora.
Artisti, i cili për vetë familjaritetin e tij që ka me artin, priret natyrshëm nga një paraqitje e realitetit tonë, të tillë që nuk është ajo e zakonshmja, por është diçka që e pasuron të zakonshmen, bile duke dalë jashtë hullisë në të cilat zhvillohet vetëm letërsia. Kështu ngjet pastaj në këtë prodhim që ai bën, pra të thellat e shpirtit e ndërrojnë natyrën e tyre dhe marrin tjetër personalitet. Kanë një fenomen psikologjik, pësojnë një fenomen patologjik, e dinë vetëm se janë në rrugë të gabuar, ata bëjnë atë që gjykojnë, por ata shkojnë poshtë e më poshtë. Në këtë mënyrë ata humbin ispiracionin, humbin rëndësinë, origjinalitetin e tyre që kishin më përpara dhe këtu dallohen në shkrimtarë të mirë apo të dobët. Kjo ishte me pak fjalë.
PËR GJUHËN E NJËSUAR
Çështjen e gjuhës e fillova si një çështje madhore. Si të anulohet kjo gjuhë, e cila është punuar kushedi se sa vite me radhë. Kjo nuk mund të bëhet. Kjo gjuhë siç është, e mirë, e keqe, do të vazhdojë ashtu siç është. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe u bë me dekret, u nxor me dekret, proceduar me dekret, pa pyetur të interesuarit, ose duke u bërë sikur pyetej i interesuari. Këtu nuk ka më komedira. Them kjo është gjendja me të ashtuquajturën gjuhë e njësuar, e cila nuk është e njësuar. Kjo gjuhë, e cila është futur në qarkullim, nuk është gjë tjetër, e përsëris, veçse një toskërishte e rafinuar, domethënë e pasur me format fonetike, morfologjike, sintatike, gjithashtu me leksik, në fjalor. Por duhet të dini diçka, dhe unë po e theksoj, kur themi një gjuhë të njësuar, nënkuptojmë një gjuhë, e cila kur është në bazën e saj strukturale, në gramatikë, ka trajta të atilla që janë të përbashkëta në të dyja gjuhët.
Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam shkruar një libër për këtë punë. Unë kam bërë statistika dhe statistikat e mia, të cilat mund të jenë ndofta pak të gabuara, por në përgjithësi janë të drejta, 5 për qind, as 5 për qind e gramatikës shqipe nuk është futur në gjuhën e njehsuar, domethënë, pjesa tjetër e tëra është toskërishte. I janë marrë gegërishtes disa forma gramatikore, të cilat nuk ekzistonin në toskërishte. Për shembull, ato që quhen terma gegnisht: shpues, sulmues. Këto nuk i kishte toskërishtja. Është marrë prapë prapashtesa -uesh: i shpueshëm, i sulmueshëm, i durueshëm. Edhe kjo nuk është në toskërishte, edhe kjo është gegërishte, edhe kjo është e marrë. Janë marrë edhe disa gjëra të tjera, me të cilat është pranuar toskërishtja. Mirë që është bërë kjo punë. Natyrisht, kemi të bëjmë me një shqipe me dy dialekte, që do të duhet ta forcojnë njëra-tjetrën. Por për shembull, diçka e cila mungon dhe e cila është një shkallë shumë e rëndësishme në gjuhën, me fjalë të tjera, paskajorja që ju e dini, kjo i mungon toskërishtes.
Kjo për shembull, mund të merrej nga gegërishtja, mund të futej në përdorim sikurse u futën siç ju thashë këto fjalët që mbarojnë me -ues ose me -uesh. Kjo nuk u bë. Me një fjalë, mënyra se si është njësuar kjo gjuhë i përngjason mënyrës se si njehsohet kalorësi me kalë. Ka qenë edhe një gjë tjetër, një trajtim i gjuhës, i cili ka qenë jashtëzakonisht parsial, saqë njeriu habitet kur e sheh këtë gjuhë në pikëpamje shkencore. Albanologët këtë gjuhë nuk e pranojnë, sepse është një gjuhë e bërë jo në baza shkencore të vërteta. Kjo gjuhë është gjuhë e cila u rregullua dhe u sajua me një recetë e cila është sta liniste, është parë nga ç’ka thënë Sta lini./panorama.com.al
Lexo edhe:
ÇKA DUHET PËRKTHYER APO SI DUHET PËRKTHYER? JA ÇKA MENDONTE ARSHI PIPA….
ObserverKult