Manifesta është shtrirë në 25 hapësira emblematike të Prishtinës duke paraqitur në to 103 pjesëmarrës prej më shumë se 30 shteteve
Edicioni i 14-të i Bienales Nomade Evropiane, Manifesta, ka transformuar disa prej hapësirave të njohura publike të kryeqytetit kosovar – Prishtinës.
Manifesta është shtrirë në 25 hapësira emblematike të Prishtinës, duke paraqitur në to 103 pjesëmarrës prej më shumë se 30 shteteve.
E ftuar nga Komuna e Prishtinës, ky festival po mbështet ambicien e qytetarëve të Kosovës për të rikthyer dhe rivitalizuar hapësirat publike. Për të ndihmuar në rishkrimin e të ardhmes së kryeqytetit të tyre.
“Kur dielli perëndon, ne e ngjyrosim qiellin”
Hoteli ikonik i Prishtinës, Hotel Grand, i cili hapi dyert më 1978, është bërë pjesë e transformimit nga artistë të këtij edicioni të Manifestas.
Pesë yjet që kishte dikur ky hotel i janë hequr një nga një gjatë viteve dhe dritat në logon e tij ikonike i janë fikur.
Autori, Petrit Halilaj, e ka transformuar përkohësisht logon e errësuar në majë të hotelit në thirrje poetike “Kur dielli perëndon, ne e ngjyrosim qiellin”.
Logoja e re e tij e përkohshme, kombinon shkronjat ekzistuese me disa shtesë. Të gjitha të ndritura dhe me yje të vendosura gjithandej hapësirës së hotelit, duke i dhënë “shpresë” godinës” e cila nuk është renovuar tash e disa dekada.
Prishtina, si qytet me pjesën kryesore të saj arkitekturore jugosllave, viteve të pas-luftës (1999), është karakterizuar si qytet i mbindërtimeve. Pothuajse të gjitha llojet e ndërtesave, nga ato rezidenciale dhe ato komerciale kanë një pjesë të mbindërtuar.
Arkitektura “parazitare”
Arkitektura të tilla “parazitare”, për të cilat aludon autori Alban Muja me ndërhyrjen e tij të quajtur “Mbi të gjithë”, shfaqen nëpër qytete në gjithë botën. Sipas tij, në Prishtinë, prania e tyre sinjalizon jo vetëm rënien e sistemit socialist të akomodimit, i cili të paktën në teori, u garantonte të gjithëve një banesë me çmim të përballueshëm, por edhe shpërbërjen e besimit dhe vështrimit për institucionet publike, pronën dhe hapësirën.
Vendimi i artistit për të ngritur një shtëpi mbindërtim në ish-shtëpinë e mallrave Gërmia, thekson urgjencën e debatit të hapur rreth të ardhmes së ndërtesave publike si dhe jehonën e rezistencës kreative. Gërmia është një vend shumë i dashur i kujtesës kolektive, në qendër të kryeqytetit, i shpëtuar kohët e fundit nga shkatërrimi me qëndresë publike.
Ka ndryshuar ngjyrë edhe përmendorja e Heronjve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Kjo u ndërtua gjatë udhëheqjes së Titos në vitin 1961. Ndryshe njohet edhe si “Trekëndëshi” dhe është projektuar për të konsoliduar “vëllazërim bashkimin”.
Autori Ugo Rondinone e ka transformuar përkohësisht përmendoren e hirtë, në një përmendore me ngjyra të çelura, me synim që të nxjerrë në pah një “objekt të bukurisë dhe soditjes”.
Po kështu, një instalacion artistik i veçantë, është vendosur në një hapësirë të gjelbër, afër pazarit të vjetër të qytetit. Disa karroca me rrota të vendosura krah njëra-tjetrës, tregojnë se ato i kanë mbijetuar marshit të transportit të motorizuar nëpër vendet e zhvilluara.
Ende shihen njerëz që shtyjnë prodhime me karrocë nga tezgat në ndonjë pikë ngarkimi
Sipas autorit Lulzim Zeqiri, pavarësisht nëse vizitoni tregjet e Prishtinës, Portsmuthit, Madridit apo Mumbait, pashmangshëm, ende do të shihni njerëz që shtyjnë prodhime me karrocë nga tezgat në ndonjë pikë ngarkimi. Sipas tij, ato shpesh shihen të mbledhura në rrathë të cilat përpos mallit, shërbejnë për të pushuar edhe pronarët e tyre. Madje gajtë kësaj kohe, ata shkëmbejnë tregime me të tjerë tregtarë të rrugës.
Ndërsa lëviz mes çatisë së ngritur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të Prishtinës – një ikonë e arkitekturës socialiste jugosllave – dhe veturave tokësore të parkuara në arenën sportive të djegur, balona e argjendtë e autorit Lee Bul, pjesë e ndërhyrjeve artistike në kryeqytet, fton për “reflektim mbi atë që mund të shpëtojmë nga ëndrrat e të kaluarës dhe çka mund të sjellë kjo për të ardhmen”.
E themeluar në fillim të viteve të 90-ta, Manifesta ndryshon vendndodhjen çdo dy vite. Dizajnon lidhjen mes kulturës dhe shoqërisë civile duke hulumtuar dhe marrë nisma për ndryshime pozitive sociale. e gjithë kjo duke u realizuar përmes kulturës bashkëkohore, që i përgjigjet dhe është njëkohësisht në dialog të ngushtë, me sferën shoqërore të Qytetit Nikoqir dhe komuniteteve të tij.
Edicioni i kaluar i Manifestas u mbajt në Marsej të Francës, kurse destinacioni i radhës pas Prishtinës do të jetë Barcelona, për edicionin e 15-të./aa.com
ObserverKult
Lexo edhe:
PRISHTINA NIKOQIRE E EDICIONIT TË 14-TË TË “MANIFESTA”, NGJARJES KULTURORE MË ME NAM NË…