Ministria e Kulturës nuk po ia del që të përfillë rregulloret që vetë i ka miratuar. Ajo për ndarjen e çmimeve për teatër është një prej akteve nënligjore që është shkelur nga institucioni më i lartë kulturor në vend.
Sipas kësaj rregulloreje të miratuar në vitin 2014, çmimet ndahen në Ditën Botërore të Teatrit, më 27 mars.
Por MKRS-ja nuk ia ka dalë ta bëjë këtë as gjashtë muaj më vonë. Deri në korrik nuk kishte as juri.
Ajo e emëruar më 30 korrik ka dalë të jetë një problem më vete. Më 5 gusht ishin mbledhur katër anëtarët e jurisë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi, Jeton Ahmetaj dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Për shkak se ndodhej jashtë vendit, kishte munguar regjisori Fatos Berisha.
Përderisa katër anëtarë të jurisë konsiderojnë se kanë përfunduar punën, MKRS-ja konsideron se procesi nuk është mbyllur. Të mërkurën dorëheqje nga juria ka dhënë regjisori Fatos Berisha.
Një letër publike e kostumografes Samka Ferri është midis zërave që kanë shprehur pakënaqësi me vendimet e jurisë që nuk ishte në përbërje të plotë.
Gazeta ka marrë vesh se katërshja e jurisë që ishte mbledhur ishte përcaktuar që Çmimi për vepër jetësore t’i jepej regjisorit Luan Daka, Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, Elmaze Nurës për shfaqjen “Koprraci”, Çmimi vjetor për aktorin më të mirë Adrian Morinës për rolin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua”.
Gazeta ka marrë vesh se juria ka qenë e ndarë sa i përket Çmimit vjetor për shfaqjen më të mirë. Dy vota janë dhënë për shfaqjen “Erveheja” nën regji të Drita Begollit, e dy të tjera për shfaqjen “Unë jam vetë grua” nën regji të Kushtrim Koliqit. Sa i përket Çmimit vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar, katër anëtarët e jurisë kishin zgjedhur qendrën “Multimedia”.
Ministria e Kulturës nuk ka pranuar ndonjë raport nga mbledhja e jurisë. Fillimisht ishte paralajmëruar një mbledhje midis anëtarëve të jurisë dhe ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, për të mërkurën. Por mbledhja ishte anuluar pikërisht në ditën kur edhe regjisori Fatos Berisha ka dhënë dorëheqje.
Regjisori Jeton Ahmetaj ka thënë se në mbledhjen e mbajtur gjatë muajit gusht ka përfunduar puna e votimit.
“Kjo punë është kryer. Fatosi nuk ishte. Vetëm nëse ka probleme ligjore që nuk ka marrë pjesë edhe Fatosi”, ka thënë ai. Në komunitetin kulturor është diskutuar për intervenime e “pazare” midis jurisë dhe kolegëve të tyre që ishin pretendentë për çmime. Por Ahmetaj ka thënë se atij personalisht nuk i ka kërkuar kush gjë./koha.net