Çmimet për teatër me laureatë e akuza për favorizime

Me gjithë problemet që e kanë shoqëruar procesin e ndarjes së Çmimeve për teatër, Ministria e Kulturës ka vendosur ta mbyllë këtë kapitull. Është paralajmëruar që për sot (e premte) në orën 10:00 në kabinetin e ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, të dorëzohen çmimet.

Problemet e kanë shoqëruar këtë proces qysh nga fillimi. Edhe rezultati, nga perspektiva e atyre që e kanë vëzhguar nga jashtë, është goxha problematik, transmeton ‘koha’.

Gazeta ka mësuar edhe emrat e laureatëve. Çmimi për vepër jetësore do t’i jepet regjisorit Luan Daka, Çmimi vjetor për regjinë më të mirë, Elmaze Nurës për shfaqjen “Koprraci”, Çmimi vjetor për aktorin më të mirë Adrian Morinës për rolin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua” e Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, Drita Begollit për shfaqjen “Erveheja”.

Sa i përket Çmimit vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar është zgjedhur qendra “Multimedia”. Kësisoj, një juri që në shumicë përbëhet nga pedagogë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” ka vlerësuar se shumica nga pesë laureatët e çmimeve për teatër duhet të jenë kolegë të tyre që punojnë në Fakultet. Bile tre nga pesë anëtarët e jurisë, dhe tre nga pesë laureatët, punojnë pikërisht në Degën e Arteve Dramatike.

Juria ishte e përbërë nga pesë anëtarë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi, Jeton Ahmetaj, zyrtarja e MKRS-së, Zethane Bahtiri dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Agim Selimi, Jeton Ahmetaj dhe Seadet Beqiri janë ligjërues në Degën e Arteve Dramatike të Fakultetit të Arteve. Edhe tre laureatët – Luan Daka, Elmaze Nura dhe Drita Begolli – janë po ashtu ligjërues në Degën e Arteve Dramatike.

Pos kësaj, në komunitetin artistik është çuar goxha pluhur për çmimet e teatrit. Pjesë e pesëshes së jurisë fillimisht ishte regjisori Fatos Berisha. Më 5 gusht ishin mbledhur katër anëtarët e jurisë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi, Jeton Ahmetaj dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Për shkak se ndodhej jashtë vendit, kishte munguar regjisori Berisha.

Përderisa katër anëtarë të jurisë konsideronin se kanë përfunduar punën, MKRS-ja konsideronte se procesi nuk është mbyllur. Të mërkurën e javës së kaluar dorëheqje nga juria kishte dhënë regjisori Fatos Berisha. Ishte zëvendësuar të premten e javës së kaluar nga zyrtarja e arteve skenike në MKRS, Zethane Bahtiri. Po atë ditë është mbledhur prapë juria dhe ka dalë me rezultate.