Çmimi “At Zef Pllumi”, fitues shpallet libri “Fan Noli, rebeli” i studiuesit Ilir Ikonomi

Libri “Fan Noli, Rebeli” i autorit dhe studiuesit Ilir Ikonomi është shpallur fitues i çmimit “At Zef Pllumi” në memorialistikë, në edicionin e vitit 2025, organizuar nga Bashkia e Lezhës.

Mes 25 botimesh të reja në konkurrim, mes të cilëve ishin edhe emra të njohur të letërsisë shqiptare, juria përzgjodhi veprën e Ikonomit si më të spikaturën, për qasjen e thellë historike dhe hulumtimin e detajuar mbi figurën komplekse të Fan Nolit.

I emocionuar nga ky vlerësim, Ikonomi tha se çmimi “At Zef Pllumi” është një nder i veçantë për të, pasi mban emrin e një prej figurave më të mëdha të kujtesës dhe moralit kombëtar, transmeton ‘gazeta tema’.

Vepra fituese sjell një portret të plotë të Nolit në vitet 1920–1924, një periudhë kur ai nga figurë apostolike u kthye në një rebel të politikës shqiptare. Me një hulumtim të thelluar në arkiva kombëtare dhe ndërkombëtare, libri dokumenton përpjekjen idealiste, sfidat dhe pasionin e Nolit për të ndryshuar rrjedhën e historisë së Shqipërisë.

Duke u mbështetur në dokumente të panjohura më parë, letërkëmbime dhe burime origjinale, Ikonomi sjell një vështrim të ri mbi Nolin diplomat, deputet, kryeministër dhe ideator të reformave që nuk u realizuan kurrë plotësisht, por që lanë gjurmë në historinë politike të vendit.

ObserverKult


Lexo edhe:

AT ZEF PLLUMI ISHTE KATËR MUAJ I LIDHUR KËMBË E DUAR ME SHOKUN E QELISË