Çmimi “Opera Omnia – për autorë të huaj” për shkrimtarin Arian Leka

Arian Leka

Shkrimtari shqiptar Arian Leka vlerësohet me çmimin e lartë letrar “Tudor Arghezi” për vitin 2022, dhënë në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Rumani.

Veprimraria e rëndësishme letrare u zhvillua në qytetin rumun Târgu Jiu mes datave 19 dhe 22 maj 2022, si pjesë e edicionit të 42-të të Festivalit. Përveç vlerave letrare të lidhura me poezinë, ky qytet është mjaft i njohur, pasi “strehon” Ansamblin Monumental “Tryeza e Heshtjes”, “Porta e Puthjes” dhe “Kolona e Pafundme”, krijuar nga patriarku i modernizmit në skulpturë Constantin Brâncuși.

Këtë vit fitues i Çmimit “Opera Omnia – Autorë të Huaj” ishte shkrimtari shqiptar Arian Leka, të cilit iu vlerësua vepra poetike dhe ajo eseistike, botuar tashmë me sukses në disa gjuhë të huaja e veçmas në rumanisht (me vëllimin “Anija e Gjumit” / “Nava Somnului” dhe “Biblioteka lundruese” / “Biblioteca plutitoare” – antologji autori).

Në vlerësimin e saj për çmimin ndërkombëtar “Tudor Arghezi”, juria e kryesuar nga Horia Gârbea (poet, dramaturg dhe përkthyes i mirënjohur i veprës së Shakepeare) çmoi lart risitë stilistike e tematike, si dhe thellësinë befasuese të poetikës së Arian Lekës, jo vetëm si përfaqësues i letrave shqipe, por edhe i atyre europiane. |

Përveç librave të Arian Lekës, botuar më herët në gjuhën rumune, juria vlerësoi shumë edhe publikimet e shpeshta të shkrimtarit shqiptar gjatë viteve 2020-2021 në revistat më të rëndësishme rumune, si: NEUMA (Pionieri, gabeli, si traficanti de femei); ROMÂNIA LITERARĂ (Mai presus de cuvinte); CONVORBIRI LITERARE (Auschwitz maritimo; De unde a venit Lumina?); LUCEAFĂRUL DE DIMINEAŢĂ (Poetul în piaţă) etj, në të cilat Arian Leka botoi ese nga libri “Në kërkim të këmishës së humbur” dhe poezi nga libri “Hartë memece për të mbyturit”.

Festivali “Tudor Arghezi” organizohet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë dhe në ceremoninë e çmimeve mori pjesë Akad. Nicolae Manolescu, president i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Festivali mban emrin e njërit prej klasikëve të letërsisë rumune, Tudor Arghezi (pseudonim letrar i Ion Nae Teodorescu-t, 21 maj 1880-14 korrik 1967).

Poet, prozator, dramaturg dhe gazetar gjenial, Arghezi vlerësohet si njëri ndër tre autorët rumunë që e e sprovuan rumanishten deri në skajet e saj shprehimore, duke i zbuluar mundësi e fuqi metaforike të panjohura më parë (bashkë me Eminescu-n dhe Nichita Stănescu-n). Autor i një vepre poetike me thekse moderniste e simboliste; i një proze tejet të pasur; i disa librave tashmë mitologjik për fëmijë; i mjaft pamfletesh të shndërruar në pika referimi, por edhe zbulues e botues talentesh të reja, Arghezi ndikoi mbi mjaft autorë të shquar dhe në jetën letrare rumune për mbi gjysmë shekulli.

Ishte akademik, kandidat për Çmimin Nobel, por edhe prani e fuqishme në hapësirën anekdotike të bohemës rumune.

Falë përkushtimit të organizuesve ndaj vlerave estetike e artistike, laureatët e Çmimit Arghezi gjatë këtyre 42 edicioneve janë emra të mëdhenj të letërsisë rumune, mes të cilëve edhe Ana Blandiana, Nichita Stănescu dhe të disa letërsive të tjera europiane.

Arian Leka është i pari autor shqiptar që fiton këtë çmim të rëndësishëm ndërkombëtar./javanews.al

ObserverKult

Lexo edhe:

“SI PESHKU ME GREP” – ARIAN LEKA BOTOHET NË GJERMANISHT