Nga Jeremy Popkin
Nëse Revolucioni Francez i vitit 1789 ishte një ngjarje kaq e rëndësishme, vizitorët në kryeqytetin francez, Paris, pyesin shpesh veten se përse nuk mund të gjejnë asnjë gjurmë të Bastijës, kështjellës mesjetare, sulmi mbi të cilën më 14 korrik 1789, ishte momenti më dramatik i revolucionit?
Të vendosur për të shkatërruar atë që ata e panë si një simbol të tiranisë, “fitimtarët e Bastijës” nisën menjëherë shkatërrimin e godinës. Edhe kolona që është e ngritur në mes të vendit të quajtur “Place de la Bastille”, nuk ka lidhje me 1789-ën: ajo përkujton ata që vdiqën në një kryengritje tjetër një gjeneratë më vonë, Revolucionin e Korrikut 1830.
Trashëgimia e Revolucionit Francez, nuk gjendet në monumentet fizike, por në idealet e lirisë, barazisë dhe drejtësisë, që frymëzojnë akoma demokracitë moderne. Më ambiciozë se revolucionarët amerikanë të vitit 1776, francezët në vitin 1789 nuk qenë duke luftuar vetëm për pavarësinë e tyre kombëtare:ata donin të krijonin parime, që do të hidhnin bazën e lirisë së qenieve njerëzore kudo në botë.
Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara, përmendi shkurtimisht të drejtat e njeriut për “liri, barazi dhe ndjekjen e lumturisë”, pa sqaruar se çfarë synonin, ose si do të realizoheshin ato. Ndërkohë Deklarata franceze e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, shpalosi të drejtat që përfshinin lirinë dhe barazinë, dhe flisnin për një sistem të qeverisjes pjesëmarrëse, që do t’i fuqizonte qytetarët të mbronin të drejtat e tyre.
Shumë më hapur se sa amerikanët, revolucionarët francezë e pranuan se parimet e lirisë dhe barazisë që ata kishin artikuluar, shtronin pyetje themelore në lidhje me çështje të tilla si statusi i grave dhe skllavëria. Një ligj për ri-përkufizimin e martesës dhe legalizimin e divorcit në vitin 1792, u dha grave të drejta të barabarta për të paditur palën tjetër për ndarje, dhe për kujdestarinë e fëmijëve.
Në atë kohë, gratë krijuan klubet e tyre politike, dhe disa prej tyre nisën të shërbejnë në radhët e ushtrisë franceze. Gratë nisën të kenë aq shumë ndikim në rrugët e Parisit revolucionar, saqë i detyruan ligjvënësit burra të përpiqeshin t’i përjashtonin ato nga aktivitetet e tyre.
Gati në të njëjtën kohë, në vitin 1794, e përballur me një kryengritje të madhe të zezakëve të robëruar në koloninë më të vlefshme franceze në Karaibe, Shën Dominik, Konventa Kombëtare e anuloi skllavërinë, dhe i bëri qytetarë me të drejta të plota viktimat e saj.
Nismat e Revolucionit Francez mbi të drejtat e grave dhe heqjen e skllavërisë, janë vetëm 2 nga shembujt se si revolucionarët francezë eksperimentuan me idetë e reja radikale në lidhje me kuptimin e lirisë dhe barazisë, të cilat janë ende të rëndësishme.
Revolucionarët francezë, ishin të parët që i dhanë të drejtën e votës të gjithë burrave në moshë madhore. Por gjithashtu, ata ishin të parët që u përballën me anën e errët të demokracisë, populizmin demagogjik, dhe me efektet e lulëzimit të mediave të reja, të cilat e transformuan komunikimin politik.
Revolucioni pa përpjekjen e parë në shkallë të plotë për të imponuar ide laike, përballë kundërshtimit të zëshëm të qytetarëve që e shpallën veten mbrojtës të fesë. Në vitin 1792, Franca revolucionare u bë demokracia e parë që nisi një luftë për të përhapur vlerat e saj.
Një pasojë kryesore e asaj lufte, ishte vendosja e diktaturës së parë moderne totalitare, sundimi i Komitetit të Sigurisë Publike gjatë Mbretërimit të Terrorit. Pesë vjet pas përfundimit të tij, Napoleon Bonaparti, që ishte bërë i famshëm gjatë luftës, drejtoi të parin grusht shteti të epokës moderne, duke pretenduar, si shumë liderë autoritarë pas tij, se vetëm një regjim autoritar mund të garantonte rendin shoqëror në vend.
Napoleoni anuloi zgjedhjet, i dha fund lirisë së shtypit dhe rivendosi statusin publik të Kishës Katolike. I vendosur për të mbajtur dhe madje për të zgjeruar pushtimet e huaja të revolucionarëve, ai vazhdoi luftërat që ata kishin nisur. Por tanimë ushtritë franceze luftuan për të krijuar një perandori, duke hedhur çdo pretendim të sjelljes së lirisë tek popujt e tjerë.
Nëse rënia e Bastijës mbetet një simbol i aspiratave për liri, simboli tjetër i njohur botërisht i Revolucionit Francez, gijotina, na kujton se lëvizja u karakterizua edhe nga dhuna. Është e vështirë të shmangësh përfundimin se gjatë revolucionit ekzistonte një marrëdhënie midis radikalizmit të ideve, dhe dhunës që e shoqëroi lëvizjen.
Në librin tim “Revolucioni Francez”, unë i njoh lexuesit me një personazh, Per Dyken, që përfaqësonte impulset më populiste të revolucionit. Ai nuk ishte një person real. Pasi nisi revolucioni, një numër gazetarësh filluan të botojnë pamflete që supozohej se ishin shkruar nga Per Dyken, ku ata kërkuan që Asambleja Kombëtare të bënte më shumë në dobi të të varfërve.
Ashtu si populistët e sotëm, Per Dyken kishte një program të thjeshtë politik. Elitat që sunduan Francën para 1789, e kishin pasuruar veten e tyre në kurriz të popullit. Ato duhej të detyroheshin të ndanin pushtetin dhe pasurinë e tyre. Kur revolucioni nuk e përmirësoi menjëherë jetën e masave, Per Dyken fajësoi drejtuesit më të moderuar të lëvizjes, duke i akuzuar ata për shfrytëzimin e tij për përfitime vetjake.
Gazetari më i suksesshëm që shkruante nën këë pseudonim, Zhan Rene Hebert, nxiti krijimin e një ushtrie revolucionare të kontrolluar nga miqtë e tij, për të frikësuar armiqtë e revolucionit, dhe u duk se ishte në prag të marrjes së kontrollit të qeverisë.
Maksimilian Robespieri dhe kolegët e tij në Komitetin e Sigurisë Publike, u tmerruan. Ata vendosën të përballeshin me Hebert dhe ndjekësit e tij. Duke përdorur taktikat dinake të Per Dyken, ata e akuzuan Hebert për intriga me të huajt dhe aktivitete të tjera të dyshimta. Hebert u rrëzua shpejt, dhe turma që brohoriti dërgimin e tij në gijotinë në marsin e vitit 1794, ishte më e madhe se në shumë nga ekzekutimet që ai vetë kishte nxitur.
Nga ana tjetër shpjegimi se si Robespieri, mbrojtësi parimor i lirisë dhe barazisë, u bë brenda vetëm pak vitesh avokati kryesor i një sistemi të qeverisjes revolucionare, që i parapriu diktaturave totalitare të shekullit XX, është ndoshta sfida më e madhe në mbrojtjen e trashëgimisë së Revolucionit Francez.
Robespieri nuk ishte i pafajshëm, dhe në muajt e fundit të karrierës së tij të shkurtër politike – ishte vetëm 36 vjeç kur vdiq – përballjet e tij të ngathëta me kolegët e tij, i krijuar një numër të rrezikshëm armiqsh. Por në dallim nga Per Dyken, Robespieri nuk e përqafoi kurrë dhunën si një synim në vetvete.
Kur radikalët si Hebert, nisën një fushatë për të de-kristianizuar Francën, me synim mbylljen e gojës së atyre që e kundërshtonin lëvizjen për të reformuar Kishën Katolike, dhe shitur pronat e saj për të mirën e revolucionit, Robespieri ri-forcoi pozitat e klerit.
Ai e kuptoi se shumica e popullsisë nuk ishte e gatshme të përqafonte një lëvizje radikale laike, të prirur t’i kthen te kishat në “tempuj arsyesh”, duke vendosur shenja në varreza, e duke e quajtur vdekjen “një gjumë të përjetshëm”. Robespieri propozoi në vend të kësaj futjen e një kulti të thjeshtëzuar të “Qenies Supreme”, për të cilin ai mendoi se besimtarët mund të përqafonin pa braktisur besimin e tyre tek një fuqi më të lartë, dhe besimin e tyre në pavdekësinë e shpirtit.
Robespieri e dinte që shumë nga kundërshtarët më të egër të revolucionit, ishin të motivuar nga besnikëria ndaj Kishës Katolike. Revolucioni as nuk kishte filluar si një lëvizje antifetare. Përballja e revolucionarëve me Kishën, filloi jo si një debat mbi besimet, por për shkak të nevojës urgjente për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit, realitet që e kishte detyruar vetë mbretin Luigji XVI të mblidhte për radhë të parë pas shumë kohësh një asamble kombëtare.
Shumë klerikë katolikë, të cilët kundërshtonin luksin në të cilin jetonin peshkopët e tyre aristokratë, e mbështetën shpronësimin e pronës së Kishës, dhe idenë që qeveria kishte të drejtën ta reformonte atë. Por të tjerët e panë reformimin e Kishës, si një sebep për një fushatë të frymëzuar nga Iluminizmi kundër besimit të tyre, dhe shumica e popullsisë laike i mbështeti ata.
Në një rajon të Francës, fshatarët formuan një “Ushtri Katolike dhe Mbretërore”, dhe u rebeluan kundër revolucionit që supozohej se ishte kryer për dobinë e tyre. Për përkrahësit e revolucionit, kjo kundërvënie fetare e lëvizjes së tyre u duk si një komplot mbarëkombëtar që parandalonte progresin.
Megjithëse politika toksike e fazës më radikale, ndikoi shumë për ta diskredituar revolucionin, ”Mbretërimi i Terrorit”, që zgjati pak më shumë se një vit, ishte gjithashtu një periudhë e eksperimenteve të rëndësishme në demokraci. Ndërsa mijëra burra dhe gra u burgosën padrejtësisht, mijëra të tjerë mbajtën për herë të parë poste publike.
E njëjta asamble revolucionare që mbështeti Robespierin dhe Komitetin e Sigurisë Publike, hodhi hapat e parë drejt krijimit të një sistemi modern të mirëqenies sociale, dhe miratoi ndërkohë planet për një sistem gjithëpërfshirës të arsimit publik.
Franca Revolucionare u bë vendi i parë në botë, që ndërtoi një sistem të rekrutimit ushtarak universal, ku edhe ushtari i zakonshëm nëse e dëshmonte veten të aftë në fushën e betejës, mund të merrte çfarëdolloj grade që meritonte.
Ideja se shoqëria kishte nevojë për një klasë të privilegjuar udhëheqësish, në mënyrë që të funksiononte, u sfidua si kurrë më parë. Në mesin e burrave me prejardhje modeste, që u ngritën në pozicione që s’ mund t’i kishin arritur kurrë para vitit 1789, ishte një oficer i ri i artilerisë:korsikani Napoleon Bonaparti.
Me gjithë dhunën dhe kontradiktat e tij, Revolucioni Francez mbetet kuptimplotë edhe sot për ne. Ta injorosh ose të refuzosh trashëgiminë e thirrjeve të tij për liri dhe barazi, do të thotë të legjitimosh ideologjitë autoritare, ose argumentet mbi pabarazinë e qenësishme të grupeve të caktuara të njerëzve.
Në rast se duam të jetojmë në një botë të karakterizuar nga respektimi i të drejtave themelore individuale, ne duhet të mësojmë leksionet, pozitive dhe negative, të përpjekjes së madhe për t’i promovuar ato ideale që rrëzuan Fortesën e Bastijës në vitin 1789.
Marrë me shkurtime nga “Aeon.co” – Bota.al