Buzë lumit Piedra…
… U ula dhe qava. Legjenda thotë se gjithçka bie në ujin e këtij lumi, gjethe, insekte, pendë zogjsh, shndërrohet në zaje për shtratin e tij.
Ah, ta shkulja zemrën nga gjoksi dhe ta hidhja në rrjedhë, atëherë nuk do të kishte më dhimbje, as përmallim, as kujtime.
Buzë lumit Piedra u ula dhe qava. I ftohti i dimrit më bëri t’i ndiej lotët mbi fytyrë: lot të nxehtë që u përzien me ujërat e akullta që rridhnin para meje.
Diku, lumi bashkohet me një tjetër. Pastaj edhe me një tjetër, derisa larg syve të mi dhe larg zemrës sime, të gjitha ujërat bashkohen me detin.
Le të rrjedhin lotët e mi aq larg, saqë dashuria ime të mos e marrë vesh kurrë se kam qarë për të.
Le të rrëshqasin lotët e mi tutje, që atëherë ta harroj lumin Piedra, manastirin, kishën mbi Pirenejtë, brymën dhe shtigjet që kemi prekur bashkë.
Do t’i harroj rrugët, mallet dhe fushat e ëndrrave të mia: ëndërrat që më përkisnin dhe që unë s’i njoh më.
Kujtoj çastin tim magjik, atë moment kur një “po” ose një “jo” mund të ndryshojë gjithë qenien tonë. Më duket sikur ka ndodhur shumë kohë më parë, e megjithatë ka kaluar vetëm një javë që kur rigjeta dhe e humba të dashurin tim.
Këtë histori e shkrova në brigjet e lumit Piedra.
Duart më ngrinin, këmbët më mpiheshin ngatë ndenjurit në një vend dhe shpesh më duhej ta ndërprisja të shkruarit.
“Mundohu vetëm të jetosh. Të kujtosh është trashëgimia më e lashtë”, thoshte.
Mbase dashuria na plakë para kohe dhe na rinon kur rinia na ka lënë.
E si të mos kujtohen ato momente? Prandaj shkruaj, që ta shndërroj trishtimin në përmallim, vetminë në kujtime. Sepse, pasi ta kisha shkruar këtë histori, mund ta hidhja në lumin Piedra. Këtë këshillë më dha gruaja që më kishte mikpritur. Për të folur me fjalët e një shenjtoreje: ‘’Ujërat do të mund të fiknin atë që kishte shkruar zjarri”.
Të gjitha historitë e dashurisë janë të ngjashme.
*Shkëputur nga romani i Paulo Coelho: Buzë Lumit Piedra u ula dhe qava
Përgatiti: ObserverKult
LEXO EDHE:
COELHO: RRUDHAT E THINJAT, DËSHMI SE KENI BËRË DIÇKA NË JETËN TUAJ