Edhe pse në një kohë të pazakontë, edicioni i 59-të i Festivalit të Këngës në RTSH, pritet të mbahet edhe këtë funddhjetor, si gara më e madhe muzikore që nuk u ndal asnjëherë, pavarësisht vështirësive politike, ekonomike e sociale që kaloi vendi në 90-ën apo 97-ën.
Ka ende kohë për t’u njohur me kushtet e diktuara nga pandemia, mbi të cilat do të organizohet ky edicion, por RTSH-ja është në fazën e parë të Festivalit: atë të pranimit të këngëve në datat 1 dhe 2 tetor 2020. RTSH fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit të marrin pjesë në konkurrim për të qenë pjesëmarrës në Festivalin e 59 të Këngës.
Përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse do të kryhet nga komisioni i seleksionimit të këngëve në bazë të dëgjimit të tyre. Konkurrentët duhet të dorëzojnë pranë stafit të festivalit në Radio Tirana ose në postën elektronike festival@rtsh.al këngën e plotë me të gjitha specifikimet teknike si më poshtë:
1. Versionin përfundimtar të këngës të kënduar në formatin wave 16 bit 44.1 khz.
2. Versionin përfundimtar të bazës orkestrale me backvocal në formatin wave 16 bit 44.1 khz.
3. Versionin përfundimtar të bazës orkestrale pa backvocal në formatin wave 16 bit 44.1 khz.
4. Partiturën Vokale (me nota) të këngës e shoqëruar me tekstin përkatës në çdo masë.
5. Partiturën e plotë të këngës në nota (transkiptimin) e cila do të ekzekutohet live, për të gjithë formacionin orkestral të Festivalit (orkestër simfonike + band).
6. Versioni MIDI FILE i këngës.
7. Tekstin e plotë.
8. Foto të këngëtarit nëse është pjesëmarrës për herë të parë në Festival.
9. Biografi e shkurtër artistike e këngëtarit (aktiviteti, pjesëmarrjet, çmimet etj).
Të gjitha materialet e kërkuara më sipër duhet të jenë përfundimtare dhe të dorëzohen në datat 1 dhe 2 Tetor 2020 në zyrën e Festivalit në Radio Tirana ose postën elektronike festival@rtsh.al Mos plotesimi i njërit prej elementëve të kërkuar e s’kualifikon këngën nga konkursi i përzgjedhjes./kohajone.com