Çuliq: Oh, jam një pus i pashterrshëm andrrash

elona çuliq me mujtë

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar para pak kohe nga Shtëpia Botuese “Syth”.

____________________________

Flasim përhanshëm me poeten Elona Çuliq

Nga: Xhemazije Rizvani

U lind më 1986, në Shkodër ku dhe ka studiuar fillimisht për piano në shkollën artistike “Prenk Jakova” e më pas gjuhë frënge në shkollën e gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka”. Studimet e larta në nivelin master i ka kryer për psikologji pranë UT. Ka punuar si pedagoge në një kolegj në Kosovë. Momentalisht jeton në Amerikë.

Poezia është pjesë e pandashme e saj.

Të gjithë duan ta ndryshojnë botën e si duket kjo botë ndryshe sipas teje?

 Tash që e mendoj, asnjëherë nuk kam dashtë me e ndryshu botën, porse rrjedhën e ngjarjeve apo ndjeshmëninë teme ndaj tyne. Kur u rrita e kuptova që e vetmja mundësi me ndryshu diçka asht me e drejtu energjinë e lutjes Atij që duhet, pra Zotit.

Ka dy muej që mundohem me e pa botën nëpërmjet syve të ‘em biri. Patjetër që ajo ka ndryshu tash dhe përmasohet me përqafimin e një qenieje që ka dalë nga qenia jeme.

Tash bota jeme asht e kaltërt, e rrjedhshme e tanë dritë si një ujvarë uji. Unë jam sak nën ujvarë, duke e pastrue veten nga “të qenunit e rritun”.

Cila të duket më e lehtë poezia, apo jeta ?

Asnjena dhe këtu qendroka tanë bukuria. Pas vuejtjes vjen lehtësimi. Dhe si jeta ashtu edhe poezia janë sprova që duhen tejkalue me veten, që në fund me shijue lehtinë që sjellë një jetë e jetueme poetikisht. Vetëm kështu nuk kam me pasë ma pengun e poezive për veten që nuk mundem me shkrue.

Ç’ka mistike në të qenit nënë?

Një nga mënyrat me e mbrojtë ‘em bir asht edhe luetja jeme për te. Duke u lutë jam ma afër Zotit. Besoj kjo asht mistika.

Çfarë të tremb kur sheh natën djalin?

Nuk du me e thanë me za, me shkrim në këtë rast.

A i ke krahët e fortë të mjaftueshëm t’i strehosh krejt ata që do?

Krahët ndoshta jo, por luetjet e mia për to padiskutim që janë të forta e të mëdha sa me strehue të gjithë sa due.

A mjafton veç me dashtë?

Për fat të mirë jo. Me dashtë njeriun, Zotin, natyrën apo çkado tjetër asht punë. Duhet me kenë i vemendshëm dhe i pranishëm për gjithçka në çdo kohë, që me mujtë me e përjetue tanësisht në të mirë dhe në të keq. Vetëm kështu dashnia bahet zbavitëse, ripërtërihet dhe të rritë shpritnisht. Përndryshe “veç” me dashtë, të jep një shije pasiviteti dhe kjo e vret të bukurën. 

Kjo grua që ec në ty sa merr atë që meriton?

Nefsi i njeriut asht përherë i unshëm. Gjithmonë mas diçkaje që merr, kërkon ma shumë, edhe ma shumë. Nuk ka ushqim që e mund untin e tij. Prandaj ka kohë që kam ra në paqe sa i takon me marrë atë ça më takon. Përqëndrohem ma shumë në atë që jap, me e dhanë me dashni dhe pastërti, pa zhigla.

Sa ëndrra mban me vete?

Oh, jam një pus i pashterrshëm andrrash! Kam në vete andrrat e mia, andrrat e t’em biri dhe të njeriut që due, e të krejt të dashtunve të mi të zemrës. Sa bukur asht këtu ku jam unë, nuk kam fjalë me e përshkrue.

Çfarë ngjyre ka malli n’Amerikë?

Ngjyrën e syve të prindërve të mi.

Si duket Shqipëria prej andej?

U ba ma shumë se një vit që nuk e kam vizitu Shqipninë apo Shkodrën, qytetin tem. Prej tisit të mallit ato vijnë butë dhe bukur. Patjetër që ka momente kur dëgjoj apo lexoj lajme të kobshme e kjo më trishton e zemron aq sa i them vetes si me u hakëmarrë me vendet “nuk du me shku as vitin tjetër”. Kjo nuk zgjat shumë. Malli ban punën e vet. 

Cila është e bëma më e veçantë që dikush ka bërë për ty?

Kur njeriu që due m’kërkoi me e kalue jetën me të. Asht bëmë me kërkue, por edhe me thanë po.

Çka mund të fshehësh pas atyre syve?

Kam kujtu se mundem me fshehë gjithçka ndaj kujtdo, por jo. Gjithmonë jam lexue nga mama dhe Miri, ‘em shoq.

Cilën poezi të huej e ke më për qejfi?

Kam shumë, por meqë së fundmi kam rilexu Rumin, po e them poezinë e tij që e kam më për qejf sot, të cilën për fat e kam shqipërue vetë.

Duke kërku fytyrën tande
Prej n’zanafillë të jetës ‘eme
kam kërku fytyrën tande
por sot e pashë.
Sot pashë
hijeshinë, bukurinë,
mirësinë e pashoq
të fytyrës
që isha duke kërku.
Sot të gjeta ty
e ata që deri dje më përqeshnin
e tallnin
sot kanë keqardhje që nuk të kanë kërku
sikur kam ba unë.
Jam i habitun prej madhnisë
së bukurisë tande
që ndih në mue dëshirën me të kundru
me të paktën njiqind sy.
Zemra jeme shkrumet prej pasionit
për këtë bukuri të mrekullt
që gjithmonë kam kërku.
E tesh’
turpnohem
me e quejt këtë dashni njerzore
e kam frikë prej Zotit
me e quejt hyjnore.
Fryma jote ermirë
si flladi i nadjes
ka trazu qetinë e kopështit,
ke ndih jetë të reja në mue
jam ba dielli
dhe hija jote.
Shpirti jem po çmendet prej lumtunisë
krejt qenia jeme
asht e dashunume me ty.
Prania jote
ka ndezë nji zjarr në zemrën teme
për mue
tokën dhe qiellin.
Shigjeta jeme e dashnisë
ka arritë n’destin
jam në shtëpinë e mëshirës
dhe zemra jeme
asht nji faltore lutjesh.

Çka s’të nxe Amerika?

E kam kokën edhe mbrapa, në Shkodër, ku kam prindërit, por në Amerikë kam ‘em bir. Dashnia për te plotëson çdo boshllëk.

Çfarë s’mund të lësh n’Shkodër?

Prindërit.

Në ç’gjuhë ëndërron ?

Kisha dashtë me thanë në gjuhën e nanës, por nana jeme nuk asht gege. Prandaj po them andërroj në gjuhën që natyrshëm e ka zgjedhë zemra. Andrroj në gegnisht.

A je bërë poete se di të ndjesh fort apo…?

E bukura asht se mendojmë që njeriu e ka në dorë me realizu vetveten apo dëshirat që ka për të. Në të vërtetë asht Dikush tjetër që na lejon për…Unë nuk e di nëse Ai dikush mendon që jam poete, por unë e di që rruga përpara asht e gjatë…

Ç’kishte me thënë Bodleri për poezinë tënde?

Ah, sikur Bodleri të kishte ditë gegnisht!

Po Rreshpja?

Rreshpja veç do më kishte kujtue mos me harrue me vdekë çdo mbramje.

Kush është Elona Çuliq?

Gjatë gjithë jetës mundohena me kriju një imazh për të tjerët, po aq sa edhe për veten, nëpërmjet veprave që bëjmë. Unë ka dy muej që i kam dhanë jetë një kryevepre, prandaj nuk më mbetet shumë me thanë veçse “Elona Çuliq asht mama e Zakharias”.

ObserverKult