Ajo Zana që lahej cullak n’ujin e borës!
Nga Çun Lajçi
Doja t’ia zbukuroja vetës ditën, përkundër qiellit të zymtë që po përgatitej për shi. Doja t’shkrueja për copëzat e kujtimeve që kan mbetë jetime, n’Gurin e Kuq, n’atë podalakun mbi kërrshat e lartë, që rrin si dhëmballë kali, mes Bjeshkëve të Nemuna.
Nga aty, (kur qielli s’kishte re), shihej Rrafshi i Dukagjinit si n’shuplakën e dorës. Madje edhe do bjeshkë Shqipnie dukeshin nga ajo maje e lartë e m’dukej se po bahesha edhe unë Shqipni tue i kqyrë! Po bahesha shqiptar si ata e bërtitsja; – plis unë e plisa ju, shqiponja me bollëk në të dya anët! Më pritni se erdha mu ba i kuq si ju! – dhe i hapja krahët e era e fortë me shtynte drejt shpellës, që rrin si gojë e hapun mes podalakut, prej të cilës dilnin korbat e lakuriqët, sa herë hudhnim gurë n’fytin e saj!
-Mos iu afro gojës së korbave, – m’thoshte për shpellën, nji çobaneshë e veshun si mashkull, me plis e me tirqi t’bardhë!
-Ajo ka fyt por s’ka bark, – m’thoshte e ma kapte dorën!
Afrohesha të faqja e lame e kërrshit. Aty ulesha. Nga aty i shikoja tufat e deleve n’Bregun e Zenel Agës! N’fund të zallinës shihej nji liqe krejt-krejt i vogël mes gurëve të mëdhej. Shkëlqente si pasqyrë e madhe mes kërrshave gjigant! Ishte ujë bore, që shkrihej zgërlyqeve të kërshave e n’gropën mes tri kodrave, fryhej si liqe!
Njiherë derisa po i shikoja delet n’kullosë, e pashë nji femën cullake tue u la n’atë ujë, e gati luejta mendësh!
E kishte shtatin si tamlin e deleve. Flokët i kishte krela-krela! Buzët all e sytë si dy qershia t’zeza! Gjijtë e mëdhej si plisa bore!
-Ku-kuuuu, bërtita! – qenka Zana e bjeshkëve! Tash me merret goja e flas me gishta. I bana edhe dy -tre hapa përpara e gati rrëshqita faqes së kërrshit!
Thashë, Zana m’zanoi dhe shpejt i mbylla sytë. U shtrina përmbys në podalakun e Gurit të Kuq dhe ma s’lëviza!
Ajo çobanesha as femën as mashkull, shpesh me fliste për Zanat që lahen krojeve e rrezitën kërrshave e m’thoshte; – po i shikove, ato të zanojnë! T’marrin me vete e t’hudhin kërrshave e copë-copë t’bajnë!
Derisa po rrija i kthyem përmbys, dikush me kapi për krahut.
-Çohu n’daç me pa atë çobaneshën e Lumbardhit, tue u la të kërrshat, n’ujin e borës?
Kur i çela sytë e pashë Ujkën, që ishte afrua të faqja e kërrshave!
-Mos e kqyr, bërtita, se asht Zana e bjeshkëve e t’zanon. Ta then qafën. Ik Ujk, ik!
-S’ka zana o Çuni i Alisë, m’tha, po ka çobanesha! Çohu e kqyr cica si plisa t’bardhë e vithe t’gjana!
Ma vonë e mora vesh se kush po lahej n’liqenin e vockël me ujë bore, të dbanët e Grabovcit. Edhe emnin ia mësova po kurrë s’i kallxova kujt! Ajo i lente delet n’Bregun e Zenel Agës e tue kujtua se bjeshkët s’kan sy, afrohej e lahej e cullakueme!
Oh sa e bukur ishte ajo Zana që lahej n’ujin e borës e nuk m’zanonte!
ObserverKult
Lexo edhe:
POEZIA E ÇUN LAJÇIT PËR VAJZËN E NDJERË: KE DASHTË ME MBETË E RE