Edhe njiherë e thirri. Edhe njiherë i tha eja te baba se njanit prej nesh o do ti plasë zemra o do t’i shterret uji n’sy!
Eja n’je i imi e n’jam i yti se nuk njofta njeri me dy jetë!
E sata herë ishte, që po ia thoshte të njejtën fjalë?
E sata herë ishte që po e këshillonte, se mbante mend as ai as i biri!
E hoq orën që e kishte kujtim ndër vite.
U çua me rrembim. I foli tue i shkumua buza. Me njenën dorë e mbante orën, me tjetrën e shtrëngonte gjoksin. Kishte dhimbje apo frikë nga ndonji atak, s’e muer vesh as i biri, se ky s’ipej lehtë.
Merre orën e babës, ta keshë dritë pishe, për me t’kujtua se djersa e ballit të duhet, jo pasunia e tjetrit!
Mbaje deri të vdesim që të dy i tha, dhe ia vuni n’dorë! Ia kishte prishë terezinë i biri, prap si herave tjera. Prap kishte vrapua mbas xixillonjave e kishte sharrua n’baltinën e brrakave plot ujë!
Tri ditë kishte dura pa i thanë. E kishte ndrydhë idhnimin në idhcën e fryme. Tri net kishte provua me fjetë, e po sa i kishte mbyllë sytë, andrrat e mortit e kishin kapërthurë e ky n’ankth kishte thirrë; ikni se nuk jam i gjallë! I vdekun jam sa ju e si ju!
Dhe ishte çua i djersitun e tanë natën ishte pështjellë nëpër shtëpi, si lugati nëpër varre.
Ulu zanoku i bablokut, i tha shkurt e egër. Dua m’e shfry mullanin, sa s’ka shpërthye, se të duhet me m’çua o të vorri o të doktorri! Ule bishtin t’flasim se s’more vesh kurrë çka t’thashë!
T’fola butë e s’të pëlqeu. T’fola egër e m’the mos bërtit, se i kam dy vesh edhe unë e kryet e fute mes kambëve si qeni bishtin!
Vesh ka edhe gomari edhe kali. Por mjafton me i çua dy herë deri të kroni, për me mësua rrugën e me shkua vetëm!
Sa herë duhet me ta vu kërpeshin ty për me ta mësua rrugën deri të kroni?
Sa herë duhet me ta vu samarin për me tu mësua shpina me barrën e me ditë sa mundësh me çua randë?
Sa herë duhet me leh baba për me t’i largua ujqët nga vathi?
A t’ka ujë syni ty? A t’ka gjak zemra?
Pse duhet me pasë ma shumë se ç’ke e me qenë ma i lumtun se ç’je?
I foli djalit baba deri sa zani nisi me iu ngjizë. Ai i mbushun vaj nisi me ofsha. Sytë iu skuqën e lotët iu përpoqën n’mjekërr!
I ati u shtri n’kanape e mori frymë randë. I biri i shkoi të kryet. Ia muer dorën. Ia ledhatoi dhe i kërkoi falje. E muer n’grykë e faqet ia lagi me lot.
M’fal i tha se kam me vdekë e ti s’ke me pasë nevojë këto fjalë ma me mi thanë! Çka asht tepër, tepër asht, e përseriti fjalën!
Ia puthi sytë e tue shtrëngua orën e plakut duel përjashta
me dhezë nji duhan e m’u shfry mallit!
Dhjetor, 2021
Titulli i origjinalit: “Ora e babës”
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇUN LAJÇI: KUR VLLAU I SHKON MOTRËS TE VARRI
Kur vllau i shkon motrës te varri
gjëmon toka
m’ço te nana Kostantin i miri i motrës
shkunde dheun veshe këmishën
t’kuqen veshe lum’ vllau jo t’bardhën
flokët e përbaltuna futi n’plis
mua ma vesh pelerinën e korbit gri
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult