Harromë n’mujsh me m’harrua Rugovë!
Pepi nuk zbriste ma poshtë se deri n’Shkallën e vet. Mbi Shpellën e Hasan Sylës ndalej. N’kërshat me molikë e çetinë, ulej kambëkryq, si copë shkambi! Rrinte kacul mes dy katundësh: Njeni të qielli e tjetri të xhamia. Ai rranxë Hajlës e ky rranxë Shkallës se vet! Nji Shkallë katundi i ndante e nji Qafë katundi i lidhte vllaznit e nji nane!
E vnonte n’gju qesën e saftjanit me duhan, fleta t’thata!
Unurin me eshkë e gurin e gacës, ngadalë i nxjerrte prej xhepit t’sahatit. Tue dredhë fletën e duhanit, ia lëshonte sytë me temena katundit, që i rrinte si sini, poshtë kambëve të tij. E zbulonte me shikim t’thekun, thua se po ia heqte jorganin vëllaut mbi shtrat. Mandej e thërriste vllakun e vogël, por jo pa ia qitë tymin duhanit t’sert. Jo rrallë herë vonohej me i çua za vllakushanit, se eshka n’unur nuk ndezej. Ritavej viranja nga mjegullat e gacat e gurit s’bajshin punë!
Dhezu se t’gjuejta n’Shpellën e Hasan Sylës e t’rroi dreqi, i thoshte eshkës, Pepi i madh! Kur tymi i dilte birave t’hundës, kollitej me provua zanin a po ushton çetave e zgërlyqeve!
A je çua o Drel Nika?
A ke djeh me rob e me gja?
A ka far haberi andej kah shehri se e ke ma ngat?
Fliste me t’vëllanë ky Pep Nika e tymi kapej pishave, thuase ato po digjeshin e jo duhani n’buzët e Pepit!
Dreli, me dorë mbi vetulla ia kthente prej oborrit: A jeni në numër, ju atje nalt, ndër Hajla!
A jeni shtua a jeni mangua?
Kështu merreshin vesh vllaznit, njeni sipër Shkallës së Pepit e tjetri përfundi Shpellës Hasanit!
Kur e mundojshin andrrat Drelin e vogël, ngjitej deri n’Majen e Nikut e Pepit i çonte za: Nili e Mali janë mirë me shnet, por ujqit kanë ba kërrdi ndër berre e duhet me iu ndihmua me syka e bardhoka!
Pepi afrohej të Hajla e Koshutanit e Gjekë Stanishtës i thërriste: Na duhen nga nji frymë sykash për shpi, se Nili e Mali kanë mbetë pa gjâ!
Ah, sa mirë merreshin vesh vllaznit dikur! Sa mirë ia qanin hallin njeni tjetrit!
Tash s’dihet ku pushojnë eshtnat e tyne, por dihet ku asht Gurra e Gjekut, Shkalla e Pepit, Maja e Nikut e Brijat e Prelës!
Dihet ku asht Rugova me nipa e mbesa: Mirake e miralana! Dihet kush ishte Kadri Bajri e kush Rexhë Avdia. Kush ishte Bika e Kaja, se kangët s’pushojnë n’lahuta. Por as për kablushëkuqet, n’hije t’banit, s’pushon sharkia!
Harromë n’mujsh me m’harrua Rugovë, se unë vdi qa për ty!
ObserverKult