Nga: Çun Lajçi
Gala u shtri si hini n’stan! S’po m’mbajnë kambët m’tha.
Jo, s’i dilte ma fjala, e sytë s’i tereshin mbasi u kthyem nga vorret. E hetova, se u shtri mbi dhimbjën e vet! E lashë të çmallet!
U solla rreth e rreth livadhit t’vockël, tue fërkua ballin.
I preka të gjitha pemët shtatvjeçare, e shikimi m’rrinte kah stani. Sikur donte t’me kthente, n’atë pranverën e hershme kur i mbolla, deri sa Buba ime po flente në stan, si nana e saj sot.
Njena mollë i kishte vetëm dy kokërra. Tjetra pak ma shumë. Dardha trupvogël ishte përplot. Kumbullat s’kishin kokërra. Ato s’paten as vitin që shkoi!
Trupova livadhit t’Sadikajve, që prap gufua kishte tërfoja!
Shkova të Baliu.
Lulja e nxuerr tepsinë nga shporeti, me mish e oriz.
– Mirë që s’asht si Zakja e Istrefit, kjo gruja ime, tha Baliu, me iu djegë tepsia. Asaj i digjeshin kompirët n’furrë, kur shkojshim me ndejt mbasdarke!
Veç kur e ngucte Dema, kur i thoshte, Zake po del tym prej shporetit, veç atëherë i nxjerrte.
E shkreta Zake, sa dorë shtrengueme ishte, as guri s’delte prej saj!
Qeshem tue i kujtua të ndjerët, që s’lanë djalë mbrapa, dhe u afruem të sofra, mbasi erdhi edhe Gala!
Kur hija duel mbi katund, shkuem me pa Isufin, lisin e rrëzuem mbi shtagën krrutë, n’dorën që dridhet!
Ai gëzimin e ka t’përhershëm për musafirin, dhe s’mund ta mshef, ani se sytë s’ia kanë pa dritën tash e dy dekada.
Isufin e morem ngrykë, a hijën që i ka mbetë, nuk di, por krejt afër tij u ula!
Baliu m’dha shej, se mixha i tij e vllau im, qenka ba gati m’u nisë n’rrugën mbi dërrasa.
Ia aprovova parashikimin me luhatje koke!
Ai po gjëmonte, e gjamët si duket e kthyen Baliun mbrapa n’vite.
U gërmuc, dhe n’pëshperitje, nisi rrëfimin e vonuem për vdekjën e nanës sime Sheke, gjyshës se tij që e rriti jetim.
Ajo ditë n’Bregun e Hutës, s’harrohet. Ajo po nxjerrte nga goja copa këlbazi e gjaku, m’tha!
Gjamën s’ia duronte as Molika e Bajramajve as t’banishta. Bjeshka atë ditë gjëmonte me kollin e saj të thatë.
Te shtegu i sokakut e prita gjithëditën Dinin. Kur ra muzgu, e erdhi me dhenë prej Bregut t’Zenel Agës, unë brita: Nana po vdes bre Din, çoje n’Pejë të doktori!
Ti vlla e ke pasë Dinin, por ai ka qenë ma i dhimbshmi prej jush, s’di a e ke ditë!
– Mos bre, briti, e vrap i shtini dhentë n’torishtë pa i mjelë, e vrap shkoi n’Kodrën e Hazirit.
U kthye me nji gomar t’vogël pa samar, se kalë s’kishim!
E muer nanën para duersh, dhe përmbys e vuni n’shpinë t’gomarit.
O kurrë s’dita, si mund t’rrinte nji plakë gjysëm e vdekun, thikë tëposhtë, mbi gomarin pa samar!
Deri n’fund t’kodrës, ia kam ndëgjua gjamën!
Dini vdiq i ri, unë shkova n’studime, e kurrë s’mu dha ta pyes, se si shkoi deri të Ura e Mullinit, me nanën përmbys?
Kujt ia dha gomarin kur doli n’xhade?
Me çka e çoi nanën të doktori n’Pejë, kur s’kishte autobus, e kamionët me dru endeshin rrallë!?
Por e di, se të nesërmen gomari duel n’Kondrën e Hazirit, e dhentë i lëshum n’kullotë pa i mjelë, se baçica kishte shkua n’dispanzerr për tu kthye n’Drelaj, me lâ e me ba mejt!
Ai po fliste, e mua m’zhurmojshin fjalët e saja, kur ia ngjynte koret e bukës kollomoqe n’lang djathi, tue i thanë: Ha se t’kuqen faqet o jetimi i nanës!
Unë s’u durova pa qajt, kur u nisa livadhit me shkua të kerri e me ikë për Prishtinë!
Dardani, 30.07.2020
ObserverKult
Lexo edhe: