Çun Lajçi: Kur të tjerët ta duen vdekjen!

Ka do njerëz që aq shumë të “duan”, sa nga dashnia e teprueme, tutën mos po vdes e mbesin pa shkrua për nji varrim madhështor. Ndaj menzi presin me t’pa n’shtratin e dergjës e me alarmua miletin për humbjen e madhe, për vdekjen e parakohshme, për shumjen e nji ylli, për kalimin n’botën e përtejshme të nji artisti. Ngutën me shkrua, me shpresë se edhe ti, (i vdekuni i gjallë) ke me i lexua shkrimet e tyne e ke mu bind se sa shumë t’ka “dashtë” ky lloj mileti!
E mbushin letrën lëvdata, e cop’ bien me i gjetë fjalët e rralla, ato t’pa thanunat!
Ato që s’i thanë e s’deshtën me i thanë deri sa merrje frymë.
Tani që je i “vdekun”, kurgja s’kursejnë. Ma e pakta që mund t’thonë për ty, asht fjala “Iku ylli që s’shuhet”!
Po, ylli që shndriste, por ja që ata kurrë s’e panë!
Shkruejnë për vdekjen e artistit, i cili n’lagjën e harrueme merr frymë, e shkruen kujtimet e jetës mbi drrasa, tue harrua mjeranët se vdekja s’vjen kur duen ata!
Mirush!
E sheh si janë njerëzit? Si asht jeta?
Si n’filmat e Hiçkokut!
Zgjohesh i gjallë, por i vdekun përfundon n’shkrimet e tyne.
Ti mos iu beso shkarravinave t’shpirtzive, bile nganjiherë as gjumit as andrrës. Vetëm kambëve tua besoju, kambëve! Nëse të çojnë deri n’banjo, e t’kthejnë të shtrati, dije se mirë je, nuk ke vdekë!
As pasqyrës, (në të cilën shikohemi çdo ditë) mos i beso. Rrenë qelqi i llastuem lum miku.
Edhe syni nganiherë rrenë, siç rrejtën gazetat e shpifuna kur thanë: Mbramë vdiq filan artisti!
Ti preke shtratin. Sigurohu se e ke shtatin aty, para se t’i lexosh ngushëllimet e “miqëve”: Sa humbje e madhe! Çfarë artisti! Nuk do t’lind edhe nji si ky!
Ti lexoi pa t’shtrëngua malli, sikur t’mos jenë për ty! Sikur t’flasin për nji tjetër, që s’e ke njoftë, e keqardhje ndjen!
Mos t’shqetësojnë vajtimet e “miqëve”, t’atyne që t’harruen. As fjalët pa karar, që vetëm njiherë thuhen, kur ikim, vdesim e mbesim emna n’gurë!
Fali, se s’patën kohë t’na i thonë kur i gravuem do role për Kosovën n’flakë, për mija t’vramë e qindmija refugjatë. Për duartrokitjet n’skenë, kur dolëm me do këmisha t’përgjakuna e thirrëm bulevardeve t’Evropës: Kthehuni, se kullat e djeguna po iu presin!
Po Mirush!
Ishte nji kohë kur i kërkuem plisbardhët, rrugëve t’humbuna, ti me Kosovarin e Kutelit, unë me pak dhe e nji plis, e tash shkruejnë për vdekjën tande (edhe për timen nesër) e ti je gjallë buzë detit e unë rranzë malit. Por të dy t’harruem n’lagjet e atdheut!
S’e patën dëshirën apo s’patën kohë, nuk e dimë, por tani kur “vdiqëm” i thonë ato fjalët e mëdhaja, që thuhen vetëm kur mbi kokë na vehet nji gur!
Ti lexo shkrime t’rreme, e knaqu me madhështinë tande, me “vdekjën” që rrallë kush do ta kishte si ti. Atyne që iu gëzuen vdekjës, u thuej: Hijën time e keni pa n’pasqyrë, me këmishën time, mua jo. Unë jam aty ku isha, n’majat e artit, buzë detit, n’Durrësin tim.
Jeto lum miku e kënaqu me vargun, që aq shumë e don, e aq mirë e thua!
Vdekja le t’pret, se kurrë s’na bahet vonë!

Dardani, 08.06.2021

ObserverKult