E sheh atdhe çfarë bimësh ke?
Unë s’thashë se duhej rrëzua, bile shkrova edhe poezi, prej mallit e dhimbjës, por iu thashë se dardha ishte e kalbët e m’shanë, m’thanë t’paska ble pushteti!
Po cili pushtet ore t’mjerë?
M’thuej tashë, a duhet me i dashtë a duhet me i nemë!
Secili e mbushë stomakun mirë e mirë, i pin edhe dy gota, e veshin e palon n’jastëk.
S’don me ditë se çka bahet n’dynjallëkun e tij!
Por kur dikush bërtet, atëherë çohet edhe ky, e t’i bashkangjitët britmës tij! Biles bahet edhe ma i dishëm, e lëshon ma shumë za, ani çka, se nuk din për çka proteston. Mjafton njeni t’jetë i paknaqun, që t’bahet i paknaqun edhe ky!
E sheh atdhe, se si bahemi t’rrëmbyeshëm kur zgjohemi nga gjumi?
Tridhet vjetë kemi vrapua mbas punëve tona, mbas fitimeve tona, e kryet këthye s’e kemi kah Teatri, n’mes t’qytetit, se trishtue na ka si fantazma, e lere ma me hi me pa shfaqje. Jo, se na ka shpua era tej për tej. S’kemi dashtë me na marrë teshat erë myku e kalbësimi. Veç sa s’i kemi sha e mallkua edhe artistët, që marrin rrogë e bajnë shfaqje ne nji hallakamë ndërtesë, që dikur ishte krenaria e qytetit!
E vajtua i kemi të gjithë, varg e vi, ata që shkri vetën e kanë atyne kthinave!
Po atdhe, kemi pritë të shkatërrohet plotësisht, që të zgjohemi nga gjumi e t’bërtasim pse e rrëzuen, e protestat t’i drejtojmë kah shejtani.
– Por jo për teatrin, jo, se ate e lam të kalbët secili nga pak, e 30 vjet nuk protestuem, si sot, me na tërheqë zvarrë, që ajo godinë të rinovohej, tue ditë se për trollin e kanë ata, jo për artin!
– Jo, se frigoheshim që artistët do t’dalin menç nga gëzimi, prej kushteve t’mira, tuteshim se do t’vdesin kënaqësie!
– Jo, ne vetëm kundërshtonim që t’mos rrëzohej, por luteshim që të shembej vet, e faji t’i mbetej jetimit!
Atdhe, mjafton njeni t’flet mbarë e mbrapsht, e të gjithë t’bahemi ekspertë. Po, edhe artista t’bahemi, e t’flasim se sa modern ishte ai teatër, sa funksionale ishte ajo skenë, sa park t’madh ndriçues kishte, sa hapësinë rreth skene, sa garderoba moderne, sa tualete, sa akustikë. Oh sa e ngroht salla, e sa të ngrohta ato ku aktorët bajnë prova!
Po atdhe, shesheve t’bërtasim, para kamerave, por asnjeni t’pranoi me punua n’ato kushte!
Sa mjerim.
Kështu asht dashtë me protestua tash e 30 vjet, me fjetë n’shkallët e tij, që shteti t’investonte miliona dollarë, që teatri t’rinovohej e aktorët t’kishin kushte normale për shfaqje.
– Jo t’prisnin, kush po e shtynë hoxhën prej minarës, e turr ta gjuejmë me gurë lanetin, e ta politizojmë artin!
Dhambi i kalbun n’shesh Tiranës nuk lihej. E keni ditë edhe ju, që iknit nga erë e keqe e tij.
Atdhe, këta do t’me shajnë mua, jo që po flas t’vërtetën, por, se si m’paska ble Edi e Veliaj, (që s’i njoh, t’betohem) e unë po ua mbaj krahun.
Sa mjerim!
Ne këndej gardhi, i kemi shkatërrua qindra objekte t’rralla kulturore, edhe Kalanë e Novobërdës, e i fusim hundët n’Teatrin e Tiranës, që kurrë mbrenda s’i kemi hi!
A s’asht ky mjerim atdhe?
Jo, ju kurrë ma shumë se unë dashtë s’e keni, e kurrë ma shumë s’u asht dhimbë. E pse e di vetëm unë!
Por nuk e keni shartua dardhën, kur asht dashtë ta nxjerr pipin e ri, ndaj u tha trungu dhe u rrëzua. Çka tash?
Kërkoni ore të ndertohet i riu, dhe protestoni ore që pamjen ballore ta ketë t’paktën njësoj, e mos e futni n’thes artin me politikën se nuk shkojnë bashkë! ObserverKult